“Përshëndetje! A mund të votoni për Elirën në këtë sondazh? Ajo është vajza e një shoku tim. Çmimi i parë është një bursë falas për vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë shumë për të”. Ky mesazh mashtrues po qarkullon gjerësisht në rrjetin social WhatsApp dhe po u dërgohet përdoruesve të kësaj platforme me qëllim vjedhjen e të dhënave. Pas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, është Policia e Shtetit që u bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes nga kjo fushatë mashtruese.
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik informon qytetarët se këto mesazhet synojnë marrjen e kontrollit të llogarisë në aplikacionin “WhatsApp”, duke i drejtuar përdoruesit drejt faqeve të rreme dhe duke i nxitur të vendosin kode verifikimi, të cilat përdoren nga autorët për të përvetësuar llogarinë.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve:
• Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur mesazhi iu shkon nga kontakte të njohura;
• Të mos japin kode verifikimi, fjalëkalime apo të dhëna personale;
• Të aktivizojnë verifikimin me dy hapa (Two step verification) në aplikacionin “WhatsApp”;
• Të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit po monitoron situatën dhe fton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve që ofrojnë votime, çmime apo përfitime të menjëhershme.

Mesazhi mashtrues që u mbërrin qytetarëve në WhatsApp
Komente











