Ulen temperaturat/ Dëborë në Kukës, Dibër e Korçë, zbardhet edhe Dajti! Shumë fshatra mbeten pa energji (VIDEO)

Ardhja e masave ajrore me origjinë polare do të diktojë në vendin tonë mot të ftohtë me vranësira të shpeshta dhe reshje dëbore në pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Mesdita sjellë përmirësim të përkohshëm të motit për të ri-kthyer sërish reshjet e dëborës gjatë mbrëmjes dhe natës në zonat malore.

Sipas MeteoAlb: Temperaturat e ajrit ulen ndjeshëm në vlerat minimale dhe maksimale duke u luhatur nga -7°C mëngjesi në zonat malore deri në 11 °C mesdita në zonat e ulëta dhe bregdet.

Era do fryjë e fortë, ku në det shpejtësia i kalon 80 km/h nga drejtimi Verior duke krijuar në det dallgëzim 7 ballë.

VIDEO nga Mali i Dajtit

Rajoni dhe Europa:

Europa Qëndrore dhe ajo Veriore paraqiten në kushtet e motit të kthjellët, por vijon me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta Pellgu i Mesdheut dhe Europa Lindore. Herë pas here do kemi stuhi të forta ere në këto rajone.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:03
Korça 'pushtohet' nga dëbora, nuk ka akse të bllokuara

Ulja e temperaturave është shoqëruar me reshje të dendura dëbore në qarkun e Korçës. Bora që vijon të bjerë prej disa orësh ka arritur një trashësi në qytet nga 5-7 centimetra. Në zonat malore të Dardhës, Qafës së Qarrit,Voskopojës dhe Vithkuqit trashësia e dëborës ka shkuar në 25-30 centimetra, ndërsa janë shoqëruar me erë të fortë.

Deri tani nuk raportohet për rrugë të bllokuara apo zona të izoluara, ndërsa policia rekomandon që rrugën për të shkuar në Dardhë të përdoren zinxhirët nga drejtuesit e mjeteve.

Përkeqësimi i motit ka bërë që firmat kontraktore të nxjerrin në terren borëpastrueset dhe të bëjnë kriposjen e rrugëve.

Ora 19:02
Anullohen dy udhëtime në linjën Durrës-Bari për shkak të motit të keq

1580925784_durres.png

Autroriteti Portual i Durrësit ka pezulluar 2 udhëtime për shkak të motit të keq.

Janë pezulluar udhëtimet e linjës Durrës – Bari të trageteve “Bari” dhe “AF Marina”.

Udhëtimet ishin parashikuar të niseshin mbrëmjen e sotme rreth orës 23.00 por për shkak të kushteve të këqija atmosferike nuk do të kryhen.

Agjencitë e lundrimit kanë njoftuar tashmë pasagjerët për këto ndryshime dhe do të njoftohet përsëri për udhëtimin pasi situata të kthehet në normalitet.

“Agjencitë lundrimore kanë bërë njoftimin e të gjithë pasagjerëve për këto ndryshime, deri në një njoftim të dytë për rikthimin në normalitet.

Ndërkohë, trageti i linjës Durrës-Ankona është nisur pa problem drejt destinacionit, sot në orën 17:00, pasi situata në këtë Port paraqitet më e qetë”, shkruhet në njoftimin e Autoritetit Portual Durrës.

Gjithashtu kërkohet mirëkuptim nga të gjithë udhëtarët, për vonesat e krijuara.

Ora 12:53
Kreu i ARRSH në Report Tv: Të gjitha akset në vend janë të kalueshme

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, (ARRSH) Ergys Verdho ka deklaruar se të gjitha rrugët janë të kalueshme edhe pas reshjeve të dendura të dëborës gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Verdho ka  bërë edhe një apel për shoferët duke thënë se nëse rrugën e kanë në mbi 1200 m lartësi duhet të marrin zinxhirët me vete për çdo të papritur.

"Parashikohet që në pjesën e rajonit verior, qarkullimi të bëhet pa zinxhirë, ndërsa në Qarkun e Korçës ka trashësi deri 20 cm të dëborës. Dhe është shoqëruar edhe me ciklone, ka edhe një pjesë të vogël që kalimi bëhet me zinxhirë. Jemi të përgatitur për çdo lloj situate. Kemi një apel për drejtuesit mbi zonat 1200 m të marrin me vete zinxhirët. Edhe në Dibër kontraktorët janë 24 orë në punë. Edhe në qarkun e Korçës që janë pika që vizitohen shumë. Deri më tani nuk ka zona të bllokuara. " tha Verdho.

Ora 12:05
Bora zbardh Elbasanin, probleme me energjinë elektrike (VIDEO)

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe qarkun e Elbasanit. Bora ka zbardhur njësinë administrative Steblevë në Prrenjas , por edhe njësinë administrative Rrajcë në Prrenjas.

Ndonëse qarkullimi kryhet me vështirësi në këto dy njësi rrugët janë të hapura. Problem për bashkinë e Librazhd është mungesa e energjisë elektrike që prej një nate më parë në disa zona. Në Elbasan reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe piken turistike Gjinar, ku mësohet se ka rënë 6- 7 cm dëborë, por pa problem në qarkullim. Edhe në Gramsh dëbora ka përfshirë zonat më të largëta , si Grabove, Poroçan, Skënderbegas dhe Lenie.

Aktualisht sipas emergjencave civile situata është nën kontroll.

Ora 09:30
Kukësi përfshihet nga dëbora, probleme me energjinë elektrike në disa fshatra (FOTO-VIDEO)

Përgjatë gjithë natës, ulja e temperaturave në qarkun e Kukësit ka sjellë reshje dëbore të dendura. Lartësia e dëborës në disa zona është në Valbonë 25 cm, Qafë Morinë 15 cm, Qafë Luzhë 20 cm. Në Qafë Shllak  të Kukësit 50 cm. Në Qafë Prush 25 cm dhe në Qafë Tobël 30 cm.

Rrugët nacionale:

Rrugët nacionale në Qarkun Kukës janë të kalueshme pa zinxhirë.

Po punohet kryesisht për hedhje kripe ,pastrim nga bora , largim gurësh hapje kanalesh për kullim.

Forca e mjete të angazhuara nga firmat kontraktore janë :

Mjete 19 borëpastruese, 4 fadroma  kamionçinë 1 forca 72 punonjës.

Rrugët bashkiake: 

Të gjitha rrugët rurale janë të kalueshme normalisht.

Si pasojë e erërave të forta kemi ndërprerje të energjisë elektrike në: 

Bashkia Kukës:

Nj.Ad. Zapod, Topojan, Shishtavec. Ujmisht. Bushtricë ,Qrykë Çajë e Malzi.

Bashkia Has:

Nj.Ad. Golaj e fshatrat Cahan,Mujaj e Dajç të bashkisë qendër Krumë

Bashkia Tropojë :

Nj.Ad. Lekbibaj e Bytyç.

Nga grupet e punës po punohet për eliminimin e defekteve. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal në të gjithë Qarku Kukës.  Aktualisht nuk ka kërkesa nga Bashkitë e Qarkut në ushqime , për njerëzit e për kafshët. 

Ora 09:29
Era e fortë lë pa energji 8 fshatra në Tepelenë

1580891410_shtyla.png
Edhe Tepelene është përfshirë nga moti i keq gjatë natës. Fshatrat si Danaj, Canaj, Izvor, Martalloz, Buz, Rabie, Anë Vjose, Mamaj kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e erës së fortë që kanë shkaktuar bashkimin e përcjellësve të rrymës.

Ora 09:11
Dëbora përfshin të gjithë Pukën, kjo është situata me qarkullimin

1580890563_puka.jpg
Edhe qyteti i Pukës është përfshirë gjatë orëve të fundit nga reshje të dendura dëbore. Trashësia e dëborës ka arritur në 12 cm, ndërsa me nisjen e reshjeve, Bashkia e Pukës angazhoi edhe punonjësit për pastrimin e rrugëve rurale.

Për të pastruar dëborën janë angazhuar tre mjete borëpastruese. Aktualisht në bashkinë e Pukës si pasojë e reshjeve të Borës nuk ka asnjë problem, ndërkohë që të gjithë institucionet arsimore u hapen dhe po funksionojnë normalisht dhe me ngrohje.

Bashkia Pukë po vijon monitorimin e situatë teksa pritet që qyteti të përballet me uljen e ndjeshme të temperaturave që pritet të sjellin ngrica.

Ora 09:00
Reshjet e dëborës izolojnë disa fshatra në Dibër, probleme edhe me energjinë elektrike

1580890258_diber.jpg
Reshjet e borës kanë përfshirë pjesën më të madhe të qarkut të Dibrës. Ndërkohë në disa njësi të thela të këtij qarku lartësia e dëborës ka shkuar deri në 40 cm. Si pasojë disa fshatra për momentin janë të bllokuar për shkak se rrugët rurale janë të amortizuar dhe reshjet e dëborës e bëjnë të pamundur qarkullimin e mjeteve.

Në disa zona ka edhe mungesë të linjës elektrike, ndërsa rruga nacionale Burrel-Peshkopi është pa probleme. 

Njësitë problematike janë Lura, Kalaja e Dodës, Arras, Trebisht, disa fshatra të njësisë Zerqan janë të bllokuara. Po ashtu edhe Ternova e Madhe dhe Ternova e Vogël kanë  probleme, lartësia e borës vijon nga 30-40 cm.

Ora 08:59
Moti i keq/ Probleme në disa fshatra në Pogradec e Korçë (FOTO)

Moti i keq që ka përfshirë vendin gjatë orëve të fundit ka shkaktuar probleme të shumta në furnizimin me energji elektrike në qarkun e Korçës dhe Pogradecit.

Konkretisht pa energji elektrike kanë mbetur disa fshatra në Njësinë Administrative Ceraves në Pogradec, fshatra në Vithkuq, disa fshatra në Fushën e Korçës si dhe një lagje e tërë në Maliq.

Ora 08:03
Ulen temperaturat, Korça zgjohet e zbardhur nga dëbora (VIDEO)

Prej orës 4 të mëngjesit të sotëm reshje bore kanë mbuluar qarkun e Korçës. Reshjet me intensitet më të lartë dhe të shoqëruara me erë të fortë janë në zonat malore si Qafa e Qarrit që lidh Korçën me Ersekën, fshati turistik i Dardhës dhe ai i Voskopojës. Në Dardhë trashësia e borës varion nga 10- 15 cm, ndërsa në Qafën e Qarrit dhe Voskopojë nga 2-10 cm.

Qarkullimi i mjeteve është pa probleme në të gjitha akset, lëvizja bëhet pa zinxhirë, por përjashtim bën vetëm km 5 deri në km 13, në fshatin Dardhë ku për mjetet e vogla rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.Firmat kontraktore janë duke punuar për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Barazimi me Everton, Guardiola: Pësojmë gol në goditjen e parë në portë

Barazimi me Everton, Guardiola: Pësojmë gol në goditjen e parë në portë