Një tjetër incident i rëndë është regjistruar gjatë festivalit tradicional të San Ferminit në Pamplona të Spanjës, ku një vrapues u plagos rëndë në fytyrë, pasi u godit nga briri i një demi.
Përveç tij, edhe 12 persona të tjerë mbetën të lënduar gjatë vrapimit të pestë me dema, një nga aktivitetet më të rrezikshme dhe më të njohura të festivalit.
Gjashtë dema u lëshuan në rrugët e ngushta të qytetit në veri të Spanjës, duke vrapuar mes qindra pjesëmarrësve që përpiqeshin t'u shmangeshin. Gjatë itinerarit, i cili zgjati rreth dy minuta e gjysmë, shumë persona u rrëzuan në kalldrëm, ndërsa demat vazhduan drejt arenës, ku më vonë gjatë ditës u vranë nga toreadorët.
Sipas Spitalit Universitar të Navarrës, një burrë pësoi plagë të rënda në fytyrë nga goditja me bri, ndërsa 12 persona të tjerë morën trajtim mjekësor për lëndime të ndryshme.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se një dem i zi u shkëput nga tufa në fillim të garës dhe u vërsul drejt turmës së vrapuesve, duke goditur njërin prej tyre në anën e fytyrës. Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse bëhet fjalë për të njëjtin person që u plagos rëndë.
Vrapimi i së shtunës ishte i pesti nga tetë vrapimet tradicionale që zhvillohen gjatë festivalit të San Ferminit, një prej ngjarjeve më të njohura në Spanjë.
Ky vit shënon edhe 100-vjetorin e botimit të romanit "Dielli gjithashtu lind" të Ernest Hemingway, vepër që e bëri festivalin e San Ferminit të njohur në mbarë botën.
Edhe pse rasti i fundit me humbje jete gjatë vrapimeve me dema u regjistrua në vitin 2009, incidentet me plagosje nga brirët e demave dhe frakturat mbeten të shpeshta. Çdo vit, krahas vendasve me përvojë, në këtë aktivitet marrin pjesë edhe shumë turistë pa përvojë.
Pjesëmarrësit veshin tradicionalisht rroba të bardha me rrip dhe shall të kuq, simbole të festivalit. Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e kafshëve vazhdojnë të protestojnë çdo vit kundër këtij eventi, duke e cilësuar atë si një praktikë mizore dhe të pajustifikuar ndaj kafshëve.
Komente









