TIRANË - Alfred Qefalia dhe Kristi Pine, të dyshuar nga policia si vrasës me pagesë mendohet të kenë kryer një sërë atentatesh në Kryeqytet, përkundër urdhërave të një tjetër personi, të burgosurit përjetë Admir Tafili, një eksponent kriminal mjaft I njohur për arratisjet e tij spektakolare nga burgjet e sigurisë së lartë.

Të dy të ndaluarit, janë marrë gjatë në pyetje nga policia dhe prokuroria, ku mësohet se gjatë seancave të pyetjeve mendohet se është arritur të “thyhet” vetëm shtetasi Kristi Pine.
 
Për 29 vjecarin Alfred Qefaliaj njihen tashmë prej kohësh lidhjet e tij me Admir Tafilin, si dhe fakti se Qefaliaj, I arrestuar më 13 shkurt të këtij viti, dyshohet të ketë ndihmuar Tafilin në arratisjen nga burgu i Drenovës.
 
Ndërkohë, 26 vjeçari Kristi Pine, edhe ky i arrestuar, dy ditë më parë, dyshohet të ketë lidhje me Alfred Qefalinë si dhe të ketë qenë bashkëpunëtor me të në aktivitete të kundraligjshme.

qefalia dhe pine me logo

Nga burimet pranë policisë, personi i tretë, i burgosuri Admir Tafilaj u jepte detyra Pines e Qefaliajt, kundrejt një pagese që varionte në disa mijë euro. Por këto porosi, që i jepte nga qelia e burgut Tafilaj, këtij të fundit mendohet ti vinin nga jashtë burgut si kërkesa ose porosi.
 
Policia thotë se ka prova të forta që e lidhin Alfred Qefalinë me të paktën një atentat me tritol, atë të ndodhur afërsisht para një viti, më 26 shkurt, në rrugën Budi, ku mbetën të plagosur 3 persona si shkak I shpërthimit të lëndës eksplozive. Dyshoet po ashtu se Alfred Qefaliaj bashkëpunonte me Kristi Pinen për këtë rast.
 
Kristi Pines i janë sekuestruar 9 mijë euro dhe disa armë zjarri që mbante në lokalin e tij pranë Unazës së Re, kur ky I fundit është arrestuar, ndërsa
 
Alfred Qefalisë disa ditë më parë janë sekuestruar një sërë armësh dhe municionesh.
 
Për të verifikuar komunikimet është urdhëruar të zbardhja e tabulateve telefonike dhe e adresave elektronike të Qefalisë, Tafilajt dhe Pines, me qëllim sigurimin e provave.

Transferimi i dosjes
Ka shumë gjasa, që dy dosjet e Kristi Pines dhe Alfred Qefalisë që ndodhet në prokurorinë e Tiranës për armëmbajtje pa lejë të transferohet tek Krimet e Rënda, me qëllim vijimin e hetimeve për akuzën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “vrasjes”, dhe “Veprave terroriste”.

Një gjë e tillë nuk konfirmohet zyrtarisht nga drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët shprehen se të dy personat kanë qënë në verifikim s shumë persona, por që nuk kanë nisur një procedim penal kundër tyre. Burimet thanë, se Qefalia është arrestuar edhe për llogari të prokurorisë së Korçës, pasi është shpallur në kërkim me vendim gjykate, për ndihmën e dhënë ndaj të dënurve që u arratisen nga burgu i Drenovës në nëntor të 2013.

Referuar prokurorisë së Korçës, Qefalia dyshohet se është personi që ka vendosur sasin e eksplozivit pranë drejtorisë së policisë për të çorientuar efektivët blu dhe lehtësuar ikjen e të arratisurve, mes tyre Admir Tafili. Gjithashtu dyshohet se Qefalia ka gisht në vendosjen e eksplozivit në protën hyrëse të lokalit të biznesmenit Armando Ceka në rrugën “Budi” më 26 shkurt 2014.

E-mailet dhe telefonat
Dyshimi se Admir Tafili, i dënuar me burg përjetë për vrasje dhe arratisje nga burgu, mund të ketë porositur shpërthimet me tritol dhe vrasjet,është përforcuar nga dëshmia Pines. Mes këtyre dyshimeve përmendet edhe shifra e 5 deri në 20 mijë eurove për një atentat. Shpërthimi në rrugën "Budi", vitin e kaluar, ku u plagosën 3 persona, disa vrasje apo atentate dhe tritolet e fundit në Tiranë dyshohet se janë porositur pikërisht nga Tafili dhe ekzekutorët e këtyre akteve mendohet se janë,Qefalia dhe Pine.

Ende nuk është i qartë momenti sesi arrinte Admir Tafili të porosiste këto atentate, me telefon, apo përmes takimeve në burg. Por për këtë pjesë policia dhe prokuroria kanë nisur verifikimet e tabulateve telefonike, aparateve të celularit, adrresave të E-mailit dhe facebook-un e dy të ndaluarve. Kjo pasi me anën e këtyre rjeteve të komunikimit është arritur që dy të ndaluarit të mbanin kontakte me njëri-tjetrin.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)