VLORË- Më shumë se 100 policë, ekspertë të antikrimit, dhe ato të RENEA-s, u angazhuan për sigurinë e Sokol Sinomatit, që kur me leje doli nga burgu i Fushë-Krujës deri në Vlorë, për të përcjellë në banesën e fundit, të birin, Gëzim Sinomati. 23 vjeçari që mban emrin e xhaxhait të tij të madh, vrarë gjatë trazirave të 97-s, u ekzekutua me snajper duke pirë cigare në ballkonin e shtëpisë së tij në katin e tretë të një pallati pranë Poliklinikës, mbrëmjen e së dielës (7 Janar).

Siç shikohet edhe nga pamjet, në hyrje dhe në dalje të Babicës, aty ku ndodhen varrezat, askush nuk mund të afrohej, apo të kishte mundësi për të parë ceremoninë. Policia blindoi thuajse gjithë Vlorën. Sinomati i madh, Sokoli, i njohur ndryshe me nofkën “buzëderr”, ish pjesëtarë i bandës së Gaxhait gjatë trazirtave të 97-s, i larguar nga Shqipëria në 2017-n, ndodhej në burg, pas arrestimit të tij në 2021 në Belgjikë, për çështje droge.

Në fund të vitit 2022 ai u ekstradua në Tiranë, për një ngjarje në 2002-in në Skelë, ku i vrarë mbeti Elton Tato dhe u plagos Robert Boraku. Si i përfshirë në konflikt me grupin tjetër, çka ka shkaktuar shumë viktima, të vrarë e të zhdukur, jo vetëm në Vlorë, policia ishte e në gatishmëri për të shmangur ndonjë atentat të mundshëm ndaj Sinomatit që varrosi të birin.

Ky i fundit ardhur nga Belgjika dy herë brenda muajit, sepse i vdiq gjyshja, kishte vendosur të priste edhe të atin, që thuhet se do të dilte nga burgu për pak ditë. Por kundërshtarët, vepruan shpejt. Edhe pse policia nuk ka rënë në gjurmët e autorëve, që besohet të jenë tre, snajperi, dhe dy ndihmësit e tij, duket se ka zbuluar pozicionin nga u qellua.

Në  pjesën e pasme të  BMW  së vjedhur, me targa të modifikuara në Kamëz, e cila pas atentatit u dogj në një lagje tjetër të Vlorës, u gjet një bllok betoni, modifikuar në sedilje për të qëndruar qitësi.  Parkuar në një distancë jo më shumë se 40 m larg pallatit ku banonte i iru Gëzim Sinomati, snajperi kishte fushëpamje nga shënjestra, të cilin e vrau me një plumb të vetëm në kokë.

Në zonë, në lagjen “Hajro Çakerri” atë kohë rreth orës 22.00, energjia mungoi dhe për 10 minuta ishte errësirë e plotë. Deri tani policia nuk ka gjetur as gëzhoja e as armën e krimit por ka mbledhur rreth 50 kamera sigurie. Morti që më shumë se dhimbje u përcoll me frikën e ndonjë vrasje tjetër, këtë herë u mbyll pa probleme në Vlorë, ku hetuesit besojnë se vrasja e Sinomatit, do të nxis hallkën tjetër të zinxhirit të hakmarrjes.

*Raportoi për Shqiptarja.com dhe Report Tv, Armand Xhelili

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:30
Djali iu ekzekutua me snajper në Vlorë, Report Tv foto të ‘Buzëderrit’! Sinomati, ish-anëtari i bandës së Gaxhait

1704821939_sokolsinamati.jpeg

Report Tv ka siguruar foton e Sokol Sinomatit, babain e 23 vjeçarit Gëzim Sinomatit i cili u varros ditën e sotme pasi u ekzekutua të dielën (7 janar) me snajper. 

Foto i përket vitit 1999, kur u dënua banda e Gaxhait, pjesë e të cilës ishte edhe Sokol Sinomati i njohur me nofkën 'buzëderri'. 

Në masa të shumta sigurie, Sokol Sinomati ishte i pranishëm sot në varrimin e të birit Gëzim Sinomati. 

Ora 11:28
Vrasja e 23-vjeçarit, Rrumbullaku mbërrin në Vlorë, ngrihet grup i posaçëm për të hetuar ngjarjen! Sekuestrohen pamje filmike

1704793840_policiavlore.jpg

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, prej mëngjesit të djeshëm deri mëngjesin e sotëm ndodhet në Drejtorinë e Vlorës, pas ekzekutimit të Gëzim Sinomatit, mbrëmjen e 7 janarit.

Drejtor Rrumbullaku ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, për të hetuar ngjarjen. Drejtor Rrumbullaku ka zhvilluar një analizë shumë të gjatë, prej 24 orësh. 

'Analizë, ngjarja e ndodhur, problematikat brenda dhe jashtë vendit. Pjesë e analizës, dosjet e ngjarjeve të vjetra dhe grupet kriminale. Po bashkëpunohet me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Janë grumbulluar një numër i madh i pamjeve filmike në zonë dhe në itinerarin që kanë lëvizur autorët.'- njofton policia.

Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar hartimin e një plani të detajuar operacional kombëtar, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për goditjen e grupeve kriminale.

 

Ora 11:12
Atentati ndaj Gëzim Sinomatit në Vlorë, në makinën e autorëve bllok betoni për mbështetjen e snajperit

 

Ekzekutimi i 23-vjeçarit Gëzim Sinomati ka dyshime se është kryer nga një vrasës profesionist me pagesë. Gëzim Sinomati është qëlluar nga sedilja e pasme e makinës në një distancë prej 35-40 m.

Burime për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, thonë se në pjesën e pasme të makinës që u përdor nga atentatorët dhe që u gjet e djegur, është gjetur një bllok betoni, që ishte modifikuar në sediljen e pasme për të qëndruar qitësi. Blloku i betonit ka shërbyer për të mbështetur armën në mënyrë që mos të ketë tronditje dhe të mos gaboi. Arma nuk është gjetur dhe as gëzhoja deri në këto momente.

Ora 10:48
VIDEO/ Blindohet Vlora, ‘buzëderri’ nga burgu mbërrin në varrimin e djalit

Më shumë se 100 forca policie janë angazhuar në Vlorë, pasi Sokol Sinomati, i njohur me nofkën ‘buzëderri’ ka marrë leje nga burgu dhe po merr pjesë në ceremoninë motore të djalit të tij Gëzim Sinomati i cili u ekzekutua mbrëmjen e 7 janarit me snajper. Report Tv sjell pamjet kur dhjetëra makina policie shoqërojnë ish-anëtarin e bandës së Gaxhait.

Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit, i njohur me nofkën ‘Buzderri’, një personazh shumë i njohur në vitet ’97 në Vlorë. Sokol Sinomati ka qenë pjesë e bandës së Gazmed Brakës i njohur me nofkën ‘Gaxhai’.

Sokol Sinomati është dënuar për vrasje në 3 janar të vitit 2000, pasi gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuhon, qëlloi gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit me biçikletë.

Në 2014 Gjykata e Lartë atëherë me relator Edmond Islamaj vendosën që Armando Sulejmani (Cipuri) dhe Sokol Sinomati me pseudonimin “Buzëderri”,  të dy ushtarë të bandës së Gaxhait - të mos dënoheshin me burgime përjetë si pjesëmarrës në bandën e armatosur të Gaxhait, por të dënoheshin me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim me 16 vite burgim.

Por duke qënë të dënuar për një tjetër krim në Vlorë, në vitin 2002 në Skelë, ku i vrarë mbeti Elton Tato dhe u plagos Robert Boraku, Sonomati mbeti në burg.