Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër ngushëllimi Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, pas vrasjes së 3 ushtarëve nga një sulm me dron në Jordani. Në letrën e bërë publike në rrjetin social X, kreu i qeverisë shprehet se Shqipëria qëndron krah SHBA në këtë kohë të vështirë me solidaritet dhe vendosmëri.
'Në emër të popullit shqiptar pranoni ngushëllimet tona për Sgt. William Rivers, Kennedy Sanders dhe Breonna Moffett, tre shpirtra të guximshëm që bënë sakrificën përfundimtare duke mbrojtur lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Në këto momente të vështira, duhet të jemi të gjithë të bashkuar. Si aleate, Shqipëria qëndron përkrah SHBA-së me solidaritet dhe vendosmëri.'- shkruan ndër të tjera kryeministri Edi Rama në letrën e tij drejtuar presidentit Biden.
Letra e kryeministrit Rama drejtuar Biden
Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në një sulm me dron në një bazë amerikane në Jordani, pranë kufirit me Sirinë, të dielën 28 janar. Kjo ishte hera e parë që ushtarë amerikanë vriten nga sulmet e armikut në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës së Gazës.
Sulmi vjen pas javësh përpjekjesh nga zyrtarët amerikanë për të shmangur një konflikt më të gjerë. Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se sulmi ishte ndërmarrë nga 'grupet militante, që mbështeten nga Irani dhe se përgjegjësit do të përgjigjen'.