Daniele Bedini është autori i dyshuar i vrasjes së shqiptares Nevila Pjetri dhe transgjinores Camilla ka rrëfyer se është i pafajshëm dhe pretendon se natën e krimit ishte në lokal me disa shokë. 32-vjecari ndodhet në burgun e La Spezias ku pret seancën gjyqësore për të mësuar masën e sigurisë.
Pas takimit me avokatin, ka thënë se natën e vrasjes ka qenë me disa shokë në lokal, ku ka qëndruar edhe pas mesnatës. Kështu pretendon të hedhë poshtë fajin për vrasjen që dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit, shkruajnë mediat italiane.
Ndonëse hetimet janë përqendruar tek vdekja e Nevilës, ngjarjet dyshohet të kenë lidhje me njëra-tjetrën. Aktualisht po hetohen telefonatat nga celulari i Pjetrit që ishte i ndezur deri para orës 2 ndërsa i Camillës ishte i ndezur deri në mëngjes. Të dy telefonat janë të zhdukur së bashku me disa sende personale.
Ndërkohë po kontrollohet edhe telefoni i Bedinit pasi mund të sjellë fakte të reja për dy vrasjet.
Nevila u vra me dy plumba, ndërsa edhe Camilla u ekzekutua me një ose 2 plumba. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë. Trupi i pajetë i gruas shqiptare, u gjet gjysmë i zhveshur, pranë një përroi në Parmignola, në kufirin midis Toscana dhe Liguria.