PËRMET - Në qendër të Përmetit, si çdo vit në datën 9 mars, fillon rituali i përvitshëm në nderim të Tomor Mullarajt, mësuesit të gjimnazit të Përmetit, i cili u vra, (nuk dihet deri tani se nga kush) në 9 mars të vitit 1997. Pas vendosjes së kurorave me lule në obeliskun e zi (në foto) për Dëshmorin Tomor Mullaraj, të afërmit, u drejtuan në Kafe Hotel “Përmeti” në qendër të qytetit.

Hyra vrullshëm dhe në krye të tavolinës pashë kryetarin e Bashkisë së Përmetit Gilberto Jaçe. Djaloshi 39-vjeçar, është kthyer në një personazh mediatik kohët e fundit, sa për mungesën e fondeve, sa për mosdhënien e rrogave...I pari që deklaroi se do t’i vinte drynin Bashkisë.

Përshëndetje, jam gazetare. Kam ardhur nga Tirana. Kam ardhur të shkruaj diçka rreth ngjarjes së 9 marsit 1997 në Përmet, dhe kësaj përkujtimoreje të përvitshme që ju bëni...
Në tavolinë bie heshtja. I vëllai i Tomorit, Ylli, që gjendet krah kryetarit të Bashkisë, më fton të ulem në tryezën ku ka gati 20 vetë, të rinj e të vjetër. Në tavolinë bie heshtja. Ata njerëz, janë të zhgënjyer nga media dhe çfarë është shkruar për Tomorin.

U ndjeva paksa në siklet. Do të më duhet të hapja një plagë, për të cilën shumë kemi dëgjuar. Asnjë nga ne nuk e kemi jetuar. Populli i Përmetit po. Kthej sytë të gjej bashkëshorten e Tomorit.

Ajo ishte aty, mes vëllait të ish bashkëshortit dhe kunatit. Krah meje ishte djali i Tomorrit. Vazhdonte studimet e larta në Tiranë në Universitet për inxhinieri elektronike. Përballë meje qëndronte vajza e tij, vazhdonte studimet për mjekësi në Tiranë.

Bashkëshortja, Mjaftore Mullaraj, qëndronte aty fillimisht pa folur. Duke më parë në mënyrë të kohëpaskohshme me sytë e vegjël zhbirilues, ndoshta edhe me ndjenjën pozitive kur më tha pak më vonë se më ndiqte në biseda televizive.

Ajo që e dinim dhe e kishim mësuar më parë, por që u përmend edhe në tryezën e djeshme përkujtimore ishte fakti se Tomorri ishte në strukturat e Partisë Demokratike. Mësuesi i gjimnazit të Pogradecit ishte thirrur paraditen e 9 marsit 1997 në një mbledhje në zyrat ku sot është bashkia. Kishte shumë njerëz të tjerë me të.

“E vranë aty. Vetëm atë vranë për momentin. Trupin ia lanë mes të zyrave. Kush e vrau. Ku ishin këta shok të tij që e lanë të shtrirë në dysheme dhe ikën nga sytë këmbët” thotë Athinaja, kunata e tij, gruaja e Yllit, vëllait të Tomorrit, një burrë që po i afroj të 70-ave, me syze, disi i bëshëm, që rrinte në krye të tavolinës.

“Epo ku dihej në atë moment se kush e qëlloi. Aty plumbat vinin nga të gjitha anët. Njerëzit po mendonin sesi të shpëtonin kokën”, kthehet dikush në të majtën time, që ishte po i fisit.

“Moj vajzë, vazhdon Athinaja, ti nuk e ke idenë se çfarë ndodhi atë ditë. Ky bulevardi në qendër të Përmetit u mbush plot me plumba kallashnikovi. Kush po qëllonte dhe ç’po bëhej. Vajza në atë kohë ishte 9 vjeç, ja kjo që shikon këtu krah meje.

Së bashku me të vëllain shkuan te rajoni i policisë për të parë e për të gjetur babain, të cilin nuk e mendonin fare se mund ta kishin vrarë. E ai ishte i shtrirë në mes të dyshemesë, e këta shkonin në rajonin e policisë”, rikthen memorien Athinaja.

“Dhe nuk mund ta marrësh me mend. E gjetëm atje. E morëm trupin e tij. E çuam në shtëpi. Hapëm dyert e mortit dhe arkivolin e kishim në mes të shtëpisë. Por ç’të thuash e ç’të dëgjosh. Na erdhi njoftimi se do të sulmohej Përmeti. E kemi lënë arkivolin aty. Morëm rrugët të gjithë. Iu ngjitëm malit. E lamë aty. Ç’të të themi moj vajzë”.

E ndërsa dëgjoje që familjarët rikthenin në kujtesë atë që kishte ndodhur 16 vite më parë, në trup të hynin mornica, duke e ditur ngjarjen e atëhershme. U tha se po sulmohej qyteti, e çdo banor i atij qyteti të qetë, mori malet për të ikur nga sytë këmbët.

Kush po i sulmonte?
I vëllai i Tomorit Ylli, ndërhyn në bisedë. “Nuk dua të jap intervista. Po ti e di se kush e bëri? Më bën një pyetje që sigurisht mbante përsipër edhe habinë time. “Menjëherë sa erdhi ngjarja më erdhi një gazetar grek.

Dhe vjen drejt meje e kërkon intervistë për vrasjen e vëllait tim. I kthehem menjëherë: Mor maskara, po si e more vesh ti që në Përmet, këtu në mes të maleve, ku gjithçka është në qetësinë e tij do të vritej dikush? M’u shporr nga sytë këmbët. Ja, këtë i thashë gazetarit grek” tregon Ylli, në sytë dhe tonin e zërit të të cilit ndjehet një lloj urrejtje, sikur e gjithë ajo që ka ndodhur në vitin 1997, të jetë frymëzuar dhe inspiruar nga grekët

“Më pas erdhën shumë nga Tirana. Na thoshin se kishin marrë urdhër të mbronin Përmetin se do ta pushtonte greku. I kishin hipur në kamionë të mëdhenj, nga një copë bukë e gjysmë qepe dhe i nisën këtej. I pyetëm se kush ua kishte thënë këtë gjë. Ata ngrinin supet” kujton edhe Gilberto Jaçe, kryetari i Bashkisë.

Vajza e Tomorit, që dukej se do të bëhej një mjeke shumë e vendosur, ishte shumë e habitur sesi atë ditë, por edhe të nesërmen, media e Tiranës, apo e Shqipërisë nuk kishte shkruar asnjë fjalë rreth kësaj ngjarje. Për vrasjen e tij, shkruan vetëm mediat ndërkombëtare.

Aty ndërhyn edhe bashkëshortja e tij, Mjaftorja: Si shpjegohet, që as në datën 9, as në datën 10 mars 1997, por as më vonë në atë kohë, për vrasjen e Tomorit brenda asaj salle nuk shkrojti asnjë gazetë. E për më tepër, e beson: si mund të mos kryhet asnjëherë autopsia. Pse nuk është bërë asnjëherë autopsia e trupit të tij?

Se as e majta e as e djathta nuk duan të zbardhin se çfarë ka ndodhur mesditën e 9 marsit në Përmet. Ja kjo është” thotë Mjaftorja, e dërrmuar duke kujtuar gjithmonë të njëjtat episode, ndërsa përvit bën të njëjtin ritual pasi u largua përfundimisht nga Përmeti: merr fëmijët, i hipën autobuzit, dhe kthehet në Përmet, te Obelisku i Zi, për të vendosur kurorën me lule.

Athinaja, e cila është pak më në moshë dhe i ka sikur t’i kishte kaluar dje ato ngjarje, jep verdiktin përfundimtar.

“Atë e vranë se i thanë të armatoseshin e të luftonin kundër njerëzve të vet. Tomorri kundërshtoi sesi mund të ngrinte armë ndaj njerëzve të Përmetit. Të gjithë në atë sallë shpëtuan. Vetëm Tomorri u vra. Ja kjo është”.

Familja është e zhgënjyer. S’ka shpresë se do t’i jepet zgjidhje ndonjëherë ngjarjes, nuk mendojnë se ndonjëherë do të dalë në shesh e vërteta. Dhe pas ngjarjeve të tmerrshme të 1997, shohin dhe kujtojnë, e ndjejnë keqardhje, për ngjarjen e Gërdecit, për viktimat, për të cilat mund të thonë se do kenë të njëjtin fat; e mandej kalojnë te tragjedia e 21 janarit, te katër viktimat që u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duket se u ka humbur shpresa se një ditë e vërteta do të dalë në shesh.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)