Të qënit një gjak nuk e ka ndaluar djalin e xhaxhait të Albi Bashaliut që të ndihmonte në ekzekutimin e tij. Veiz Bashaliu, 41 vjeç u arrestua sot bashke me fqinjin e tij, Mikel Xhaja 30 vjeç, të cilët akuzohen se ndihmuan autorët në ekzekutimin e 32-vjeçarit Bashaliu.

Sipas Policisë, Bashaliu dhe Xhaja kanë tentuar të fshehin rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar policinë për t’u informuar për krimin, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.

Burimet thanë se Veiz Bashali dhe Mikel Xhaja kanë qenë tek lokali ku ndodhi ngjarja. Kur është pyetur nga policia Veiz Bashali, djali i xhaxhait të viktimës, ka thënë se "unë nuk kam pare gjë se jam shtrirë". Ndërkohë Mikel Xhaja në përgjim ambiental ka folur duke theksuar "çfarë na duhet ne më mirë themi s'kemi parë e as kemi dëgjuar gjë".

Albi Bashaliu u ekzekutua mëngjesin e të hënës nga dy persona të cilët e qëlluan atë sapo doli nga automjeti. Pas e qëlluan disa herë dhe u siguruan mirë që kishte vdekur, autorët i vunë flakën automjetit të tyre pasi nuk u ndez për t'i larguar nga vendi i ngjarjes dhe u arratisën me makinën e viktimës.

Automjeti u gjet dje në Gosë të Kavajës, i pa djegur, ndërsa brenda nuk u gjet arma e krimit.

Pista kryesore e hetimeve është e hakmarrjes, kjo sepse Albi Bashaliu është vëllai i Leonard Bashaliu. Ky i fundit ka ekzekutuar 6 muaj më parë Ylber Xhahysën pas sherrit për gërvishtjen e makinës. Kjo është pista kryesore e hetimeve, e megjithatë, vetë viktima Albi Bashaliu ishte arrestuar në vitin 2017, pasi kishte qëlluar me automatik mbi dy persona.