Ngajrja ka qenë e mbërthyer prej misterit që prej kohës kur ndodhi dhe shumë tentativa të mëvonshme për ta zbardhur kanë përfunduar pa ndonëj rezultat të bindshëm.
Por fakti i pakundërshtueshëm në këtë ngjarje është tentativa e regjimit komunist për të fashitur çdo zë që mund të qarkullonte jashtë skenarit që u trumbetua fillimisht në gazetën Bashkimi menjëherë të nesërmen pas kësaj ngjarjeje e më tej me forma të ndryshme të propagandës së regjimit.
Me 19 mars 1947 gazeta Bashkimi dha pikërisht këtë lajmin me pak rradhë mbi ngajrjen:”Dje pasdreke n’ora 3 në kryegjushatë u krye një krim i poshtër e i shëmtuar. Patrioti Baba Faja dhe Baba Fejzua u vranë nga Dede Baba Abazi, i cili pas krimit të poshtër vrau edhe veten”.
Versioni zyrtar ishte se Dedei kishte vrarë fillimisht Baba Fajën tek shkallët e kryegjyshatës me një plumb pistolete dhe në momentin kur kishte dalë Baba Fejzo kishte vrarë edhe atë po me një plumb e në fund kishte vrarë edhe veten.
Komentet e shumta sidomos në rrethet e besimtarëve bektashinj kishin ngritur menjëherë dyshimet mbi këtë version duke mos besuar në asnjë moment se kryegjyshi do të shkaktonte një të tillë gjakderdhje pikërisht në kryegjyshatë kundër çdo besimi dhe norme bektashiane. Madje disa zëra thonin se drejtuesit e lartë bektashinj nuk ishin vrarë më një plumb pistolete por me breshëri automatiku. Gjithësesi ende sot nuk është botuar asnjë dokument ekspertize apo foto që do të dëshmonin më qartë mbi këtë ngjarje.
Nuk dimë nëse do të zbardhim dicka të re që mbase fshihet mes rreshtave në një grup dokumentesh origjinale ruajtur në AQSH mbi këtë ngjarje. Dokumentet në përgjithësi bëjnë fjalë për reagimin e opinionit publik mbi këtë ngjarje. Nga qarqe të ndryshme të vendit ishin dërguar raporte mbi faktin se si komentohej vrasja e këtyre drejtuesve të lartë të bektashizmit, dy prej të cilëve kishin qenë edhe në krye të Luftës Nacional Çlirimtare. Por dokumenti i parë duket se është më intriguesi, ku hapur jepen udhëzime se si duhej bërë propaganda për këtë ngjarje në mënyrë që kundërshtarët e regjimti të mos e përdornin vrasjen e Baba Fajës dhe Baba Fejzos për të kritikuar regjimin komunist.
Mes të tjerash në këtë dokument të 19 marsit 1947 (në të nëjjtën ditë që ishte botuar lajmi ën gazetën Bashkimi) thuhet: “Nuk duhet të flitet nga organizatat rreth asaj reforme që ata kishin në mëndë të bënin por në qoftë se hidhen të tilla parrulla të thuhen se këto janë çështje të tyre të brëndëshme se Shteti nuk ndërhynë ashtu si nuk ndërhynë në fetë e tjera...”.
Me poshtë po botojmë sot pjesën e parë të dokumenteve mbi këtë ngjarje.
KOMITETI QËNDROR I P.K.SH.
Seksioni Organo-Instruktor
Tiranë, 19/III/47
Nr. Extra
GJITHË KOMITETEVE QARKOR TË P.K.SH.
Në lidhje me vrasjen e Baba Fajës dhe Baba Fejzos prej Dedeit organizatat e Partisë duhet të dinë të mbajnë qëndrim për të bërë agitacionin e duhur. Të kuptohet kjo si një çështje politike: Baba Faja e Baba Fejzua ishin patriotë dhe duhet nderuar si të tillë. N’agitacionin t’uaj të vogël duhet të punoni që të dëmohet akti i Dedeit si krim i poshtër dhe i shëmtuar i një njeriu me të kaluar të keqe, reaksionar, kriminel i ndyrë. Armiku do kërkoj t’a shfrytëzojë me parrulla të ndryshme. Të kini kujdes që të mos dali Dedei si mbrojtës i fesë dhe Baba Faja e Baba Fejzua se deshën të prishin fenë gjoja të shtytur nga Qeverija. Të dalë e kjartë se Dedei ka qënë një njeri i poshtër dhe Baba Fejzua e Baba Faja patriotë dhe përparimtarë. Nuk duhet të flitet nga organizatat rreth asaj reforme që ata kishin në mëndë të bënin por në qoftë se hidhen të tilla parrulla të thuhen se këto janë çështje të tyre të brëndëshme se Shteti nuk ndërhynë ashtu si nuk ndërhynë në fetë e tjera. Politika e Shtetit karshi feve dhe klerikëve është e kjartë. Armiku do të nxjerrë parrulla prandaj duhet t’i luftoni sidomos n’ato vende ku ka teqe Bektashiane dhe influencë të tyre. Për këtë punë zyrtarisht do të mbani qëndrimin që shifni në shtypin e qendrës. Do ju vijnë dhe udhëzime të tjera nga Agit. Propi.
(Manush Myftiu)
PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE
v. f. – L. P.
KOMITETI QARKOR
D U R R Ë S
Nr. 13/1 Prot. Res
Durrës, më 1 PRILL 1947
KOMITETIT QENDROR TË PARTISË KOMUNISTE SHQIPTARE
T I RA N Ë
Përgjigje radiogramit t’uajë Nr. 158/1 Res datë 25 Mars 1947.
Ditët e para kurë ngjau vrasje dhe veçanërisht si u shpall në Gazetë dhe ku u bë fonerali i Baba Fajës dhe Fejzos, pati komente të ndryshme nga disa njerës në Popull. Opinioni i përgjithëshëm i Popullit ishte dhe ashtë se këta të dy qenë njerës më përparimtarë dhe kërkonin të bënin disa reforma në besimin Begtashian, dhe këto opinioni i përgjithëshëm i aprovojë dhe i shehë me vend. Përsa i përket vrasjes në përgjithësi nga Populli ashtë komentuar ashtu si ka ngjarë në të vërtetë kanë ç’faqur urrejtje ndaj kryegjyshit tue e paraqitë si njeri injorant dhe besimtarë fanatik gja që e ke shtyer të bëjë këtë krim. Shokët që ngarkuamë për të marrë informata të sakta ndërë rrethet e Begtashijvet dhe në besimtarët në N/Prefekturën e Kavajës dhe të Shijakut (ku ka më shumë të këtillë) na informojnë se atje komentohet në mënyra të ndryshme si: “mund t’i kenë vrarë Dervishlerët e tjerë që rrinë në Kryegjyshatë”, “i kanë vrarë të aratisurit mbasi Kryegjyshata ashtë e izoluar nga qyteti i Tiranës” ashtë ndigjuar tek tuk se kurë i kanë vrarë njerës të Pushtetit, nji gjë të këtillë e ka thënë edhe nji kafexhi në Durrës që ashtë Begtashi “Nexhip Osoja” daja i Kapidenit Ismail Xhevahirit. Nexhipi ashtë njeri i pa kënaqur nga Pushteti i ynë pse e mbante vehten si njeri i Livizjes dhe pretendonte për ndonji pozitë në administrat mbasi ka qenë edhe anti zogist, se Zogu atë e kishte pushuar nga puna si oficer që ka qenë etj.
Tani ditve të fundit në Qarkun t’onë as që flitet mbi këtë çështje, veçanërisht në N/Prefekturën e Qendrës (Durrës) nuk ashtë ndigjuar as nji fjalë në këte drejtim, flitet mbi veprat e Baba Fajës dhe ashtë çfaqur nji urrejtje e madhe ndaj Kryegjyshit në Luz të Kavajës ku ka farefisin e tijë Baba Faja dhe ka pas ardhun shpesh në këtë fshatë ku njihet mjaftë mirë dhe ka pas fituar nji farë simpatije.
Organizata e Partisë ka treguar nji interesim të mirë për skiarimin e Popullit mbi këtë krim dhe ka agituar atje ku ashtë paraqit nevoja për reformat që kanë dashtë të bëjnë Baba Faja dhe Baba Fozua.
P. KOMITETIN QARKOR
(Iljaz Reka)
(firma, vula)
Shënim.
“Nga disa besimtar fanatik në nji teqe të Ishmit asht thanë se mirë ua bëni Kryegjyshi atyne që deshtën me na shkatrrue “fenë”.
Nr. 73/9
I/IV/47.
Koçi Xoxe
Gjegja e radiogramit Nr. 175/3 datë 31/III/47. Në lidhje me ç’ështjen e Bektashinjëve, më pesë Prill marrim përfundimet nga nën-Prefekturat. Sot nuk dimë ndonjë gjë tjetër veç se në Kolonjë kanë thënë që i vravi kryegjyshi se deshin të vinin ligj martesën. Shpërndarja e kartës së Frontit filloj tek ne qysh më (30) Mars në të gjitha nën-Prefekturat.
Mihallaq Gjinkasi
P.K.SH.
V. F. – L. P.
Komiteti qarkor
Gjinokastër, më 2.4.1947
GJINOKASTËR
Nr. 138/7 Prot.
KOMITETIT QENDROR TË PARTIS K.SH.
T I R A N Ë
Gjegje radiogramit t’uaj Nr. 175/3 datë 31.III.1947.
Zonat më influence të bektashianëve në Qarkun t’onë janë krahinat e Buzit dhe Krahësit në Tepelenë, krahina e Dangllis në Përmet, krahina e Dëshnicës në Këlcyrë nga ish dhe Baba Fejzua dhe Baba Abazi, krahin e Rezomës në Delvinë. Ka aty këtu edhe disa në qytetin e Gjinokastrës.
Lajmi i vrasjes së dy baballarëve nga sa jemi informuar deri sot ka krijuar opinione të ndryshme në krahinat e sipërme dhe në masat besimtare si muhip e dervish.
Aty ku ësht folë më shumë për këtë çështje kanë qenë krahinat e Tepelenës.
Këtu elementat fanatikë vrasjen e kanë quajtur si një vepër të madhe për fenë e cila shpëton principet e saj. “Këta kanë qenë njerës që donin të na prishnin fen”. Edhe një shok këtu Naum Çeli që porsa ishte shpërndarë lajmi s’ka ditur që të mbajë qëndrim të drejtë, por i ësht përgjegjur një fshatari që ka pyetur se besoj që t’i ketë vrarë sepse këta donin të bënin një reformë.
Kjo erdhi më tepër nga koncepti i shkurtër i gazetës Bashkimi datë 20.III.47.
Në krahinën e Këlcyrës ku duhet të ndiheshin parullat më të shumta, mbasi ka shum muhip dhe njerës fanatikë dhe që njiheshin të dy baballarët s’ka pasur shumë zhurmë dhe parulla.
Aty është konsideruar si akt kriminal dhe si vrasje nga një element reaksionar dhe kundër Pushtetit t’onë. Famile e Baba Abazit në fillim s’ka dashur as t’a qante, por ësht shtyjtur nga besnik të afërm të tij. Babaj i teqesë së Frashërit i ndodhur përpara një mase populli në Përmet, kur mësoi lajmin e vrasjes dekllaroi se më vjen keq që u vranë dy patriotët dy fetarë nga një ballist i qelbur.
Ka pasur njerëz nga populli që thonë se vrasja ësht bërë nga an e reaksionit sepse dedeja ka qenë i atillë që me kohë.
Në teqenë e baba Aliut në Gjinokastër në një reth muhipësh ësht komentuar si një vepër kriminale. Ësht dënuar si akt kundër fes. Tek ne jo vetëm që vrasja e të tjerëve ndalohet por edhe vet vrasja na nxjerr nga ruga e dervishllëkut.
Vrasja këtu ësht konsideruar si një akt i shtyrë prej reaksionit dhe jo traditë fetare. Ësht konsideruar si një akt i shtyrë prej Baba Mustafajt të Krujës dhe Baba Rustemit të Korçës.
Në radhët e dervishëve flitet se kjo ishte si shpëtim për ne sepse këta donin të na pritnin mjekrën dhe të na bënin të martoheshim.
Në konferencën e Prefekturës u-këshilluan shokët që shokë nga organizata me influenc në këto rrethe të shikojnë se ç’farë efekti ka prodhuar çështja e reformës dhe si komentohet kjo në popull.
Kjo e fundit do t’ju dërgohet porsa të na mbrijnë informatat.
P. KOMITETIN QARKOR:
(Mihal Bisha)
(firma, vula)
Baba Faja