Durres- Autori i vrasjes së 33-vjeçarit Branko Shkoza, Majlind Habibi do të vazhdojë të qëndrojë pas hekurave. Gjyqtarja Besjana Garxenaj ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 35-vjeçarin Majlind Habibi, i cili akuzohet për vrasjen e mikut të tij në zonën e Spitallës, më 2 dhjetor.
Gjatë seancës gjyqësore, Habibi ka mohuar që ai të jetë përgjegjës për krimin. Ai ka deklaruar se deklaratën e tij të parë, ku pranonte se kishte vrarë Brankon për shkak të ngacmimeve ndaj gruas së tij, e kishte bërë nën presion.
Sipas tij, hera e fundit që ata ishin takuar ishte më 27 nëntor.
“Jam baba i një fëmije, dhe bashkëshortja ime është shtatzënë. Nuk kam kryer vrasjen e Brankos, sepse në atë kohë isha në punë,” – ka thënë Habibi gjatë seancës.
Policia e Durrësit dyshon se 35-vjeçari ka shtyrë me qëllim 33-vjeçarin në një kanal, duke i marrë jetën. Pas hedhjes së Branko Shkozës nga ura, për shkak të motiveve të dobëta, Habibi ka tentuar të fshehë krimin. Trupi i viktimës u gjet më 5 dhjetor, pas kërkimeve intensive nga shërbimet e Policisë së Durrësit.