Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca për vrasjen e Çajup Selimit, e ndodhur në 1 qershor të vitit 2021, ku u pyet si dëshmitar kushëriri i tij, Leonard Selimi.
Leonard Selimi tha se jetonin në një pallat në Tepelenë dhe se kur ndodhi vrasja, ishte në banesë.
Leonardi dëshmoi se Çajupi u qëllua me dy plumba dhe njëri plumb hyri në banesën e tij, duke rrezikuar vajzën dhe gruan. Ai shtoi se nuk i dëgjoi të shtënat dhe nuk pa se kush qëlloi.
“Çajup Selimin e njihja kur ishte gjallë. Jetonim në një pallat në Tepelenë. Kur ndodhi vrasja, unë kisha ditëlindjen dhe isha brenda në banesë. Ka qenë rreth orës 21.00 e mbrëmjes. Unë nuk pashë gjë kush qëlloi. Isha brenda në shtëpi kur ndodhi ngjarja, nuk dëgjova as zhurma. Nuk pashë asgjë. U qëllua me dy plumba, njëri plumb më hyri në shtëpi me rrezikoi vajzën dhe gruan. Nuk dëgjova krisma, dola jashtë kur më hyri plumbi në shtëpi bashkë me nusen", tha Leonardi.
Ai deklaroi se u mundua t'i jepte ndihmën e parë dhe më pas e mësoi nga mediat se pse kishte ndodhur vrasja.
"Unë pashë vetëm që atij i dilte gjak nga goja. Vetëm unë iu afrova, e kuptova që kishte vdekur. U mundova t’i jap ndihmën e parë, por ai nuk reagoi. Nuk kisha mundësi t’i beja gjë, ai nuk reagonte fare. Doli nusja e tij duke bërtitur, pastaj dolën të gjithë poshtë. Edhe ata nuk kishin dëgjuar gjë. E mora vesh pastaj nga televizori se pse kishte ndodhur", theksoi ai.
Leonardi tha se takohej me Çajupin dhe bisedonte, por nuk e dinte që kishte probleme. Sipas tij, Çajupi kishte pasur konflikt me tre djem nga fshati.
"E njihja djalë punëtor, të qetë, punonte, e njihja për pozitiv. Çajupi shiste çimento , kishte magazinë. Takoheshim bashkë, në kafe nuk u ulëm kurrë sepse nuk pinte, por bisedonim. Derisa u vra nuk kam ditur gjë, mora vesh më vonë që ka pasur probleme. Kishte pasur konflikt me disa djem nga fshati, me të tjerë nuk di gjë. Si fytyra i njoh, me emra nuk i mbaj mend. Janë tre djem, kishin bërë sherr me të, pastaj erdhën te varrimi. Sherri u mbyll më pas mes tyre. Ahmet Abedinin e njoh. Ka një dyqan aty në krah të Çajupit. Drita Abedinin, gruan e Ahmetit e njoh. Nuk di të ketë pasur konflikt mes tyre", përfundoi Leonard Selimi.
Për vrasjen e Çajup Selimit ka dëshmuar Artur Tafani, tashmë i penduar i drejtësisë. Tafani tha se vrasja e Çajupit ishte porosi nga Laert Haxhiu dhe se u pagua 25 mijë euro.
Pas vrasjes, Tafani tha se armën e hodhi në Lumin Vjosë.
Lajmi në përditësim...
Komente











