Niveli i jashtëzakonshëm i arritur nga Carlos Alcaraz në këtë fillim të 2026-ës është certifikuar edhe nga numrat. Tenisti spanjoll së fundi fitoi finalen e Dohas, 6-2 dhe 6-1 kundër Arthur Fils, brenda 50 minutash. Kjo ishte edhe ndeshja me pikët më të larta e regjistruar nga 'Tennis Insights' që prej vitit 2023. Nota 9.68 është shumë afër perfeksionit, një 10 e munguar për një paraqitje përtej imagjinatës, sidomos në setin e dytë.
Askush në 2024-ën dhe 2025-ën nuk kishte arritur një rezultat të tillë. I fundit që ia kishte dalë ishte Novak Djokovic, në finalen e 'Finals 2023', kur mundi Jannik Sinner dhe mori një 9.75 stratosferike.
“Mendoj se ndonjë kundërshtar më konsideron të pathyeshëm në këtë moment”, tha Alcaraz në Doha. Dhe me këta numra, i pathyeshëm në 2026-ën me një seri 12-0, kuptohet pse.
'Tennis Insights' bazohet në metoda ta avancuara matjeje, përllogaritje nëpërmjet inteligjencës artificiale, algoritmeve dhe gjurmimit të topit e lojtarëve në kohë reale. Këto të dhëna matin kualitetin e lojës dhe performancat strategjike nga 0 në 10, duke ofruar analiza më të detajuara në krahasim me statistikat tradicionale.
Llogariten kualiteti i goditjeve (shërbimi, kthimi, e drejta, vështirësia, shpejtësia, thellësia, gjerësia dhe impakti), treguesit e sulmit (përqindja e pikëve të fituara dhe eficenca), treguesit e rikuperimit 'steal score', që kalkulon kur një lojtar fiton pikën në mbrojtje.
Merret në konsideratë edhe 'performance rating', që kombinon sulmin, shkëmbimin, mbrojtjen dhe kualitetin e goditjeve të lojtarit, të kombinuara me statistikat “under pressure”, që do të thotë aftësia e reagimit kur pika është më e rëndësishme. E gjitha kjo mblidhet nga inteligjenca artificiale dhe nga gjurmimi i gjuajtjeve bazuar në telekamera me shpejtësi të lartë në 3D.
Në finalen e dominuar kundër Fils, Alcaraz ishte impresionues, mbi të gjitha në kualitetin e gjuajtjes së drejtë (9.7), ndërsa mesatarja e cirkuitit në këtë sektor është 7.29. Spanjolli shkëlqeu edhe në kualitetin e shërbimit (8.6). Në total është paraqitja më e mirë në karrierë për Alcaraz, i cili i shkoi shumë afër perfeksionit. Në turin e parë kundër Rinderknech, ai në gjuajtjen e drejtë arriti vlerësimin 9.9.
Komente









