Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” ka kërkuar përmes avokatit të tij në seancën paraprake, gjykim të shkurtuar.

Të pandehurit e tjerë, Adela Ruko, bashkëshortja e ish-kreut të ARRSH Evis Berberi, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni, nuk janë shprehur ende për formën e gjykimit.

Burime brenda seancës, bëjnë me dije se Gentjan Rumano, avokati që mbron në këtë proces Adela Rukon është larguar nga salla e gjyqit për një proces tjetër dhe është gjobitur me 100 mijë lekë nga GJKKO.

Rumano u zëvëndësua nga një avokate kryesisht, teksa ky i fundit është bërë shkak në të paktën dy seanca për shytrjen e procesit gjyqësor.

Vete kryetari i Bashkisë Shkodër nuk është i pranishëm në seancë. 

Seanca e radhës për kryebashkiakun e Shkodrës dhe pandehurve të tjerë, do të zhvillohet më 17 mars.

Sipas SPAK, Beci ka shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik” me vlerë 96.5 milionë lekë.

Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Evis Berberit.