TIRANE-Gjykata e Krimeve të Rënda administron dëshminë e tre personave për rrëmbimin e më pas vrasjen e Gazmend Çollakut 1 vit më parë në Durrës.
 
Ndër dëshmitarët ka qenë dhe e fejuara e Çollakut shtetësja A.Th e cila ka rrëfyer se “pak orë para ngjarjes ajo kishte drekuar në zonën e Golemit me të fejuarin e saj Gazmend Collaku".
 
E pasi ishin kthyer sipas dëshmisë së saj, Gazi kishte ndaluar tek lokali e ajo kishte shkuar në shtëpi. Pasi Çollaku nuk i ishte përgjigjur disa herë në telefon ajo kish shkuar tek lokali dhe ku kishte mësuar për ngjarjen.
 
E pyetur për dijeninë mbi konflikte të të fejuarit ajo ka shpjeguar para togave të zeza se Gazmend Çollaku merrej me shitjen e automjeteve dhe ajo s’kishte dijeni për ndonjë konflikt qoftë dhe me Denis Shtrazën të cilin ajo e njihte pasi banojnë në të njëjtën lagje.
 
Dëshmi para gjykatës kanë dhënë dhe kamerieri dhe banakieri i lokalit ku u rrëmbye Çollaku, të cilët kanë deklaruar se kanë dëgjuar krismën e një arme dhe kanë parë një automjet “Audi” me portobagazh që është larguar me shpejtësi por pa e ditur se çfarë kishte ndodhur dhe nuk kishin fiksuar pamjen e asnjë personi.
 
Aktualisht Krimet e Rënda po vazhdojnë gjykimin për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut ku i pandehur ka mbetur vetëm Denis Shtraza, pasi Ervin Dalipaj i akuzuar për të njëjtin krim u ekzekutua dy javë më parë në Sukth.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com