TIRANE- I akuzuari për vrasjen e komisarit të Kombinatit, është ekstraduar dje në Rinas, nën masa të rrepta sigurie.

Arben Frroku dhe nipi i tij Jak Jaku, të akuzuar si autorë të ekzekutimit të Dritan Lamajt, u kapën 9 muaj më parë, në Selanik dhe dje u sollën para drejtësisë shqiptare.

Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, u ekstradua dje nga Selaniku, duke i hapur kështu rrugën gjykimit rreth ngjarjes së rëndë.

Ndërkohë, nipi i tij, Jak Jaku, u ekstradua pardje dhe të dy, nën masa të rrepta sigurie, janë vënë në dispozicion të drejtësisë shqiptare, pasi Gjykata e Lartë në Greqi, më 7 qershor 2013, kishte vendosur ligjshmërinë e arrestit, në Selanik, ku u kapën me drogë. Asokohe, prokuroria zbuloi telefonatën e parë të Frrokut, porsa kishte kaluar kufirin, në drejtim të bashkëjetueses së tij, ku shprehte gëzimin se kishte mbaruar një punë të rëndësishme.

Mirëpo, kjo, sipas Frrokëve, s’do të thotë asgjë, pasi pretendojnë se ka filmime të Arbenit, pranë bizneseve të tij, në kohën kur ka ndodhur vrasja. Nga ana tjetër, Mark Frroku, lideri i Partisë Kristian Demokrate, shpeshherë ka deklaruar pafajësinë e të vëllait, duke pretenduar se i vëllai njihte shumë politikanë. Kësisoj, me një lëvizje taktike, të lirimit të vendit, nuk është çudi që postin e shefit të kristiandemokratëve e njëkohësisht, “koracën e imunitetit politik” ta marrë vetë Arben Frroku. Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë “blitzi” politik, ku vëllai deputet Mark Frroku të lërë mandatin e ligjvënësit, duke i hapur rrugë sipas ligjit të dytit në listën proporcionale rajonale në qarkun Shkodër, vëllait të tij Arben Frroku.

I cili ka gjithë hapësirën ligjore që të jetë deputeti më i ri i Kuvendit, pasi dhe precedentët ekzistojnë. Rasti i ish-deputetit të Tropojës, Azgan Haklaj i cili u zgjodh deputet nga qelitë e burgut, ku kishte marrë dënimin nga gjykata, e ilustron më së miri mundësinë e hyrjes në Kuvend të demokristianit Arben Frroku. Por gjithsesi gjykata do të procedojë për të dhënë vendim ndaj tij. Arben Frroku, kur dolën fotot e kupolës së Policisë së Shtetit, pat deklaruar se i njihte ata, i kishte miq e madje kishte njohje me politikën, pasi ishte propozuar si deputet, në disa raste. Përherë ai e ka mohuar autorësinë e vrasjes dhe pretendon pafajësi absolute. Më 2 mars 2013 është bllokuar automjeti me të cilin Arben Frroku udhëtoi drejt Selanikut.

Burime të rezervuara pranë organit të akuzës thanë asokohe se, në automjetin tip “BMË”, e cila u dogj në Domje, pasi u përdor nga autorët e ngjarjes për ekzekutimin e Lamajt, janë gjetur një sërë provash të rëndësishme. Sipas të njëjtave burime, dëshmia e dhënë nga Gentian Bejtja, personi i arrestuar për vjedhjen e automjetit me targa të Durrësit, konsiderohet si një pjesë e rëndësishme për zbardhjen e hetimeve. Grand Frroku, i biri i biznesmenit, u kap teksa kthehej nga Selaniku me makinën tip “Mercedes Benz” ML me targa AA 008 DC.

Policia tha se në atë makinë u gjetën gjurmë nga gëzhojat e armës së zjarrit, që u përdor mbrëmjen e 24 shkurtit, fije floku, gjurma gishtërinjsh, etj. Lamaj u vra më 24 shkurt, rreth orës 18.30, në zonën midis shkollës “Vasil Shanto” dhe “Vilave të Selitës”, 20 m larg banesës, në automjetin e tij “Citroen Ypsilon”. Në momentin që futej në parkim autorët i janë afruar dhe është hapur dera e BMW-së. Në momentin që ka qenë thuajse paralel me Citroenin e kryekomisarit dhe janë zbrazur të paktën 16 plumba nga një armë automatike kallashnikov, të cilat vijnë nga pas, nga krahu i pasagjerit për në drejtim të shoferit.
 
Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)