LEZHË- Dy ditë pas ekzekutimit të çiftit Mujeci në Lezhë, policia ka arritur të zbulojë një tjetër person që i ka ndihmuar 3 anëtarët e fisit Mhillaj. Blutë e Lezhës ranë në gjurmët e Besnik Kolndreut, 22 vjeç, pasi në banesën e tij u gjet një prej makina tip 'Volkswagen' që u përdor nga autorët për të qëlluar me breshëri plumbash drejt Kreshnik e Gentjana Mujecit, pasditen e 26 prillit.
Mjeti pa targa, me ngjyrë të zezë, u gjet i fshehur mes dengjeve të barit dhe pak ditë para atentatit dyshohet se është marrë me qira në Rinas, nga motra e Florin Mhillaj, edhe ky në kërkim. Sipas Policisë, Florin Mhillaj, i hoqi targat automjetit dhe në bashkëpunim me dy kushërinjtë e tij, Renaton dhe Adrianon, e përdorën makinën në atentatin ndaj çiftit Mujeci në Balldre të Lezhës. Grupi prej 3 autorësh ishte i ndarë në dy makina, me Audin që i preu rrugën Kreshnik Mujecit, ndërsa me 'Volkswagen' pa traga u derdh breshëria e plumbave drejt tyre.
Pas vrasjes, policia ka arritur të zbulojë se autorët janë larguar fillimisht në drejtim të Torovicës, atje ku Florin Mhillaj ka fshehur makinën e marrë me qira, në banesën e Besnik Kolndreut. Ky i fundit është shpallur në kërkim, i akuzuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Po ashtu, policia ka vënë në hetim edhe babanë e tij 79-vjeçar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Autorët ishin kujdesur që të humbin gjurmët dhe mjeti i marrë me qira ishte identik me makinën që kishte pronësi 22-vjeçari, e cila është gjetur nga policia në oborrin e banesës, me targa.
Ndërkohë, në brendësi të makinës që u përdor në atentat, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja model 56, veshjet e përdorura nga autorët, në momentin e kryerjes së krimit, si edhe rezultoi se automjeti ka të thyer xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve.
Ishte këqyrja e kamerave të sigurisë që bëri që policia të zbulojë lëvizjet e autorëve dhe të ushtojë kontroll në banesën e 22-vjeçarit. Nga kamerave të sigurisë rezulton se viktimat janë ndjekur që nga banesa në fshatin Torovicë deri tek lokali ku konsumuan kafen në Lezhë. Në pamjet e kamerave të sigurisë, sekuestruar nga policia, shihen dy makinat “Audi A4” dhe “Golf 5” pa targa që ndjekin çiftin gjatë itenerarit dhe qëndrojnë para lokalit. Teksa kalon një makinë policie, largohet ‘Golf 5’ pa targa me dy qitësit dhe në survejim qëndron ‘Audi’ i cili më pas i ndjek në rrugën e kthimit.
Pamjet filmike kanë ndihmuar grupin hetimor që të zbardhë ngjarjen dhe të identifikojë autorët e dyshuar të krimit, Florin, Renato dhe Adriano Mhillaj. Ky i fundit ishte në kërkim prej 3 muajsh nga Policia e Shkodrës pasi kishte kanosur me armë bashkëfshatarin e tij. 22-vjecari Mhillaj edhe pse në kërkim thurte planin për krimin e radhës. Ai është përgjuar nga policia, teksa komunikonte në telefon me kushëririn për atentatin. Po kështu “Audi A4”, i përdorur në vrasjen e çiftit Mujeci, është i njëjti që është përdorur në konfliktin e Shkodrës.
Çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, prindër të 4 fëmijëve të mitur u përcollën në banesën e fundit këtë martë, në Torovicë të Lezhës. Ata u ekzekutuan me breshëri plumbash pasditen e 26 prillit në rrugën Balldren-Torovicë për gjakmarrje nga djali dhe nipat e Genc Mhillaj.
Zanafilla e konfliktit daton 10 vite më pare, ku një konflikt i çastit degjeneroi në dhune. Mhillaj u ekzekutua në fshatin Mali i Jushit, ndërsa policia arrestoi Kreshnik Mujecin, vëllanë e tij dhe kushëririn. Në vitin 2018, Gjykata e Shkodrës i shpalli të gjithë të pafajshëm për mungesë provash, ndërsa Apeli i Shkodrës la në fuqi këtë vendim. Në 2024, Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim në Apelin e Përgjithshëm në Tiranë, por ende nuk është caktuar data për nisjen e procesit gjyqësor.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Policia e Lezhës ka gjetur makinën nga të cilët autorët qëlluan me breshëri plumbash drejt çiftit Mujeci. Sipas pamjeve të publikuara makina tip “Volkswagen Polo” e cila ishte marrë me qira në Rinas nga motra Florjan Mhillaj u gjet në e fshehur në banesën e 22-vjeçarit Besnik Kolndreu, i cili është shpallur në kërkim.
Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet babai i të riut për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrolleve në brendësi të mjetit janë gjetur dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti rezulton me xham të pasmë dhe pjesë anësore të dëmtuara. Në të njëjtin banesë është konstatuar edhe një automjet tjetër identik, por me targa të rregullta, në pronësi të 22-vjeçarit. Në oborrin e banesës u gjetën gjithashtu rrobat e përdorura nga autorët gjatë atentatit, si dhe një palë targa.
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, që janë kryer dhe vijojnë të kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, Lezhë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë, mesditën e sotme, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar automjetin tip “Volkswagen Polo”, pa targa, të përdorur nga autorët.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja model 56, dhe nga këqyrja, rezultoi se automjeti ka të thyer xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve.
Gjithashtu, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., u gjet një automjet identik me automjetin e parë, në pronësi të shtetasit B. K., por me targa.
Më tej, gjatë kontrollit, u gjetën dhe veshjet e përdorura nga autorët, në momentin e kryerjes së krimit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. M. ka marrë automjetin tip “Volksëagen Polo” (të cilin motra e tij e kishte marrë me qira, në Rinas), i ka hequr targat dhe në bashkëpunim me njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, e kanë përdorur për t’i prerë rrugën dhe për të qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M.. Pas krimit, e ka çuar automjetin, në banesën e shtetasit B. K., dhe e ka fshehur duke e mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve, gjithashtu me pretendimin se automjetin e tij, shtetasi B. K. e kishte identik dhe të rregullt.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi B. K., 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për babanë e 22-vjeçarit, shtetasin N. K., 79 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në terren, për lokalizmin dhe kapjen e autorëve, si dhe të shtetasit të shpallur në kërkim mesditën e sotme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Pas kontrolleve të kryera policia ka gjetur njërin prej automjeteve të përdorura nga autorët në vrasjen e çiftit Mujeci, mesditën e së dielës në Balldren të Lezhës.
Sipas burimeve, mjeti tip “Golf 5”, pa targa, i përdorur nga autorët, është gjetur, në Shkëmbin e Kuq. Dyshohet se automjeti është përdorur nga personat që kryen atentatin.
Në vendin ku u gjet mjeti, janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat pritet të dërgohen në laborator për analiza të mëtejshme.
Ndërkohë, policia vijon kontrollet në terren dhe punën hetimore për kapjen e autorëve.
Komente








