Detaje të reja janë mësuar në lidhje me vrasjen e çiftit të bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, mesditën e së dielës në fshatin Balldren të Lezhës, një ngjarje që po gjithnjë e më shumë konfirmohet si atentat i mirëorganizuar me qëllim hakmarrjeje. Burimet pranë hetimeve të Report TV thonë se çifti Mujeci është ndjekur hap pas hapi  që në momentin kur kanë dalë nga banesa e tyre në Torovicë. Kamerat e sigurisë tregojnë se ata janë vëzhguar gjatë gjithë rrugës drejt Lezhës, madje edhe kur janë ndalur për një kafe në një lokal në dalje të qytetit.

Në pamje shfaqen dy makina të dyshimta, një “Audi A4” dhe një “Golf 5”, të dyja pa targa. Të dy mjetet shihet teksa qëndronin pranë lokalit ku ishte çifti. Por kalimi i një makine policie duket se i ka trembur autorët duke i bërë që të riorganizoheshin. Siç konfirmojnë edhe pamjet, makina “Golf” largohet drejt Balldrenit dhe qëndron në pritje, ndërsa “Audi” vijon me ndjekjen këmba këmbës deri në momentin e atentatit. Falë këtyre pamjeve, grupi hetimor  ka identifikuar tre të dyshuar: Florin, Renato dhe Adriano Mhillaj. Ky i fundit rezulton person me precedent penal dhe ishte në kërkim që prej janarit 2026 për kanosje me armë dhe armëmbajtje pa leje në Shkodër.

Ngjarja e mëparshme lidhet me një përplasje me armë mes Adrianos dhe shtetasit Eduard Kësalla. Ajo ka ndodhur në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Vinotekës” në Shkodër. Pas konfliktit, Kësalla u shpall në kërkim për vrasje në tentativë, por u arrestua rreth tre javë më parë në zonën e Freskut Tiranë gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 89”. Hetuesit dyshojnë se e njëjta makinë “Audi A4” është përdorur si në atë përplasje, ashtu edhe në atentatin ndaj çiftit Mujeci, çka forcon lidhjen mes të dyja ngjarjeve. Sa i përket motivit, pista kryesore mbetet gjakmarrja.

Konflikti mes familjeve Mujeci dhe Mhillaj nis në vitin 2016, me vrasjen e Genc Mhillajt, babait të një prej të dyshuarve aktualë, pas një sherri banal të shoqëruar me përplasje fizike në Torovicë. Shkak u bë një kamionçinë e viktimës, i cili në sherr e sipër goditi me shpullë një nga kushërinjtë Mujeci. Pak ditë më vonë, Mhillaj u ekzekutua. Për vrasjen u arrestua Kreshnik Mujeci bashkë me kushëririn e tij por në vitin 2018 ata u shpallën të pafajshëm për mungesë provash. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli në 2019, duke e lënë çështjen pa autor të dënuar.

Megjithatë, në vitin 2024, Gjykata e Lartë vendosi ta rikthejë çështjen për rigjykim, duke e rihapur plagën e vjetër mes dy familjeve në gjak. Ekzekutimi i çiftit Mujeci më 26 prill në rrugën Balldren–Torovicë dyshohet se është vazhdim i kësaj historie, që sipas hetuesve, ka degjeneruar në një cikël të ri hakmarrjeje. Ndërkohë, tre të dyshuarit vijojnë të jenë në arrati dhe policia është në kërkim. Në videon më poshtë është momenti i arrestimit të Kreshnik Mujecit në vitin 2017

 

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

K.B/U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Prill, 21:24

    A duhet që seancat në GJKKO të transmetohen live për publikun?