LEZHË- U nisën me motor për të vizituar shtëpitë e vjetra në fshatin Lalm Lukaj, por u përballën me një person të armatosur që kishte mbjellë kanabis në tokat e tyre. I tillë është motivi që fshihet pas krimit të rëndë të një ditë më parë, ku u ekzekutuan me breshëri automatiku, rapsodi i njohur Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni.

Pa pasur dijeni për atë se çfarë ndodhte në tokat e tyre në zonën e thellë malore, Aleksandër Përdoda, i arrestuar këtë të martë pas hetimeve nga policia dhe Prokuroria e Lezhës,  i ka qëlluar me armë sapo dy shokët kanë zbuluar veprimtarinë e tij kriminale. Trupat e viktimave janë lënë në pyll për rreth 5 orë dhe janë gjetur nga djali i Preng Simonit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra.  

Teksa Përdoda është vënë në pranga, vëllai i tij, Edmond Përdoda është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka ndihmuar vëllanë të fshehë çdo gjurmë të krimit. Policia ende nuk ka gjetur armën e krimit, ndërsa në vendngjarje ishte motori i të ndjerëve dhe një thes buzë rrugicës, me 8 kg të jonxhë.

Pjesën më të madhe të plumbave i ka marrë në kokë Simoni, i cili është qëlluar në një distancë të afërt, ndërsa Murrani ka marrë 9 plumba në trup. Burime për Report Tv thonë se nga analizimi që i është bërë qelizave telefonike, Përdoda ka qenë afër vendit të krimit, por referuar dëshmisë së tij dhënë në komisariat, ai ka mohuar të jetë autor i vrasjes së dyfishtë.
1588090646_AleksanderPerdoda.jpg

Aleksandër Përdoda

Aleksandër Përdora ka qenë i arrestuar edhe më herët nga policia për tenativë vrasje, por është liruar më pas në rrethana të paqarta. Sipas dëshmive të banorëve të zonës, Përdoda ishte një person problematik, i cili ka pasur konflikte edhe me persona të tjerë në zonë për çështje pronësie pasi pretendonte se i kishin hyrë në pronën e tij në fshatin Lalm Lukaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:41
Ekzekutimi i rapsodit dhe mikut të tij në Lezhë/ I arrestuari mohon krimin: S'kam lidhje me ngjarjen

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Aleksandër Përdoda ka mohuar që të ketë vrarë rapsodin e njohur Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni. Në dëshminë e dhënë në Komisariat, mësohet se Përdoda ka mohuar krimin, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, megjithatë hetimet vijojnë.

40-vjeçari, autor i dyshuar, ka qenë i arrestuar më herët për vrasje e mbetur në tentativë, por është lënë i lirë.

Ora 10:24
Ekzekutimi i dyfishtë në Lezhë/ Arrestohet autori i dyshuar, në kërkim i vëllai...e ndihmoi për t'u fshehur! Policia: Vrasja për motive pronësie

1588057954_lezherapsodi.jpg

Vetëm pak orë pas vrasjes, është bërë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar për vrasjen e rapsodit të njohur Kol Murrani dhe mikur të tij, Preng Simoni. Në pranga kanë rënë Aleksandër Përdoda, 40 vjeç, e ndërsa është shpallur në kërkim i vëllai i tij Edmond Përdoda.

"Zbardhet ngjarja e ditës së djeshme në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S.

Identifikohet dhe arrestohet autori kryesor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë dhe shpallet në kërkim vëllai i tij, për përkrahje të autorit të krimit.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në pyllin e fshatit Lalm Lukaj, Lezhë, ku u gjetën të vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S., Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, i përbërë nga specialistët e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan edhe grupe të FNSH Shkodër.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi  A. P., 40 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, person me precedent kriminal  në fushën e krimeve ndaj personit.

Bazuar në prova të arsyeshme, Policia bëri kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. P. dhe në përfundim të veprimeve  u bë ndalimi i këtij shtetasi, për veprën penale "Vrasja".

Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe vëllai i autorit të dyshuar, shtetasi E. P., i cili dyshohet se ka ndihmuar të vëllanë për fshehjen e provave. Nga tërësia e veprimeve dyshohet se ky shtetas i ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij. Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit E. P., si dhe vijon kontrollin e territorit përreth për gjetjen e armës së krimit", njofton policia.