TIRANE- Pas gjashtë muaj hetime, prokuroria është dorëzuar duke mos arritur të zbardhë autorin e vrasjes së shtetases Eleni Basho, ngjarje kjo e ndodhur në 2 shkurt të këtij viti në zonën e Shkozës. I vetmi person i akuzuar dhe arrestuar për këtë ngjarje, bashkëshorti i viktimës, shtetasi Ilia Basho, është zhveshur plotësisht nga akuzat e prokurorisë duke bërë që zyrtarisht për këtë çështje prokuroria dhe policia të mos kenë asnjë person të dyshuar si shkaktar të vrasjes së nënës së dy fëmijëve Eleni Basho. Vendimi për pushimin e akuzës dhe pezullimin e dosjes hetimore, është marrë dje nga prokuroria e Tiranës, ku prokurori Etien Kapo i ka komunikuar pushimin e akuzës të dyshuarit Ilia Basho. Në fakt vendimi për pezullimin e hetimeve është marrë në 20 korrik, por vetëm dje është njohur Ilia Basho me këtë vendim. Gazeta "Shqiptarja.com" siguron të plotë vendimin e akuzës, në të cilin jepen të argumentura shkaqet e mos arritjes së faktimit të vrasjes së Eleni Bashos, nga bashkëshorti i saj Ilia Basho.Ky i fundit për më shumë se tre muaj ka qëndruar në qeli si i dyshuar për vrasjen, ndërkohë që nga dita e arrestimit ai ka mbajtur qëndrim mohues.

VENDIMI I PLOTE
Unë prokurori Etien Kapo, pasi u njoha me aktet e procedimit penal nr.595 të vitit 2012, konstatova se mbi bazën e materialeve të ardhura nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, ka vendosur rrëgjistrimin e emrit të Ilia Bashos si person nën hetim, për akuzën e "Vrasjes me paramendim" dhe "Armë mbajtje pa lejë". Gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se me datë 02.02.2012 rreth orës 18:00 në lagjen "Shkozë" është vrarë me armë zjari shtetësja Eleni Basho. Kjo e fundit është me banim në qytetin e Tiranës dhe është e martuar me shtetasin Ilia Basho, me të cilin kanë dy fëmijë. Më datën e sipërcituar Eleni Basho, po shkonte për në banesën e saj që ndodhet në Shkozë pranë ambienteve të firmës "Sina Beton". Pikërisht, disa metra para se të mbërinte në banesë, shtetëses Eleni Basho i ka dalë një person i armatosur me armë zjari tip pistoletë, i cili e ka qëlluar dy herë mbi këtë shtetase. Si pasojë e kësaj e këtyre të shtënave ka mbetur e vdekur Eleni Basho, ndërsa autori i kësaj ngjarje është larguar së bashku me armën pa u arrestuar nga polcia. Në lidhje me këtë ngjarje janë pyetur shumë persona, dhe konkretisht është marrë në pyetje shtetasja Mirela Zharkalli, e cila është njëkohësisht motra e Eleni Bashos. Në deklarimet e saj ndër të tjera ka mësuar se nëpërmjet bisedave që ka zhvilluar me Elenin, marrëdhëniet bashkëshortore ndërmjet saj dhe Ilias kishin filluar të acaroheshin. Ekzistenca e konfliktit bashkëshortor mes Ilias dhe Elenin, është mohuar gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarit. Është pyetur shtetasi Vasil Dodi, është vëllai i viktimës Eleni Basho. Në deklarimet e tij, ndër të tjera ai ka deklaruar se marrëdhëniet mes Illias dhe Elenit, ishin përkeqësuar për shkak se e motra kishte zbuluar një mesazh të dërguar nga Yllka Shehaj.
PYETJA E  YLLKES
E pyetur shtetësja Yllka Shehaj, ndër të tjera kjo pranon lidhjen intime me shtetasin Ilia Basho dhe se ky I fundit i kishte premtuar se do të zgjidhte martesën me Elenin dhe do lidhte kororën me të.Gjatë kqyrjes së aparatit telefonik të Yllka Shehaj e cila përdor numrin 0672059XXX është gjendur një mesazh me teks "Jeta ime mbaji mënd këto fjalë nëse ajo që dua unë nuk bëhet,ashtu siç dua unë të lutem ndihmoi fëmijët e mi si të tutë. Të dua të dua shumë.Te ora poshtë ke ca lekë, janë të tuat e di ti dhe unë". Njëkohësisht nga deklarimet e tij shtetasi Jonuz Muça, ka pohuar se pas ndodhjes së ngjarjes, Ilia Basho i ka kërkuar Yllkës që të mos takoheshin me të dhe as të mos e merrte në telefon. Në bazë të aktit të ekspertimit ka rezultuar se viktima Eleni Basho është qëlluar dy herë me plumba të kalibrit 9 mm nga prapa. Nga veprimet e kryera rezulton se ekziston dyshimi i arsyeshëm në lidhje me veprën penale për të cilën hetohet shtetasi Ilia Basho, por nuk është bërë e mundur që ky dyshim të mbështet me provat e tjera. Duke çmuar se nuk mund të provohet fakti kriminal që i atribohet shtetasit kriminal, hetimet në ngarkim të tij duhet të pushohen. Nisur nga kjo situatë prokuroria ka shuar dhe masën e sigurimit të "detyrimit për paraqitje" ndaj Ilia Bashos.
Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)