Vrasja e Elvis Doçit në Tiranë 
hetimet në pistën e karrotrecave

Vrasja e Elvis Doçit në Tiranë <br />hetimet në pistën e karrotrecave
TIRANE- Policia e Tiranës po heton tre pista për vrasjen e biznesmenit 35-vjeçar Elvis Doçi dhe plagosjen e kushëririt të tij Ali Doçi, 18 vjeç. Sipas policisë, pistat e hetimit kanë të bëjnë me lojërat e fatit, tenderin për shërbimin me karrotrecë për policinë dhe për një plagosje të ndodhur në vitin 2009, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë të arrestuar.

Tre pista hetimi janë ngritur për atentatin ndaj 35-vjeçarit Elvis Doçi, i cili humbi jetën dy net më parë, ndërkohë që mbeti i plagosur rëndë një kushëri i tij, dy prej të cilave lidhen me bizneset, ndërsa e treta me një ngjarje të ndodhur në vitin 2009. Nga ana tjetër, policia ka nxjerrë jashtë hetimeve të plagosurin Ali Doçi, 18 vjeç, që sipas grupit të punës nuk ka qenë objekt i atentatit. Grupi hetimor tha se tre pistat hetimore që po ndiqen për vrasjen janë pikërisht shitja e aksioneve të një kompani lojërash fati, procedurat për tenderin e karrotreceve që Doçi pritej të merrte pjesë dhe ngjarja e ndodhur në vitin 2009.

LOJRAT E FATIT
Pista e parë e vrasjes së biznesmenit 35-vjeçar, i ekzekutuar në kryqëzimin e rrugëve “Sulejman Delvina”, me atë “Medar Shtylla” në Tiranë, teksa ai lëvizte me makinën e tij, ka të bëjë me shitjen e aksioneve të kompanisë së lojërave të fatit ”BEV Game 2000”, tek një prej aksionarëve të tjerë të kompanisë. Sipas të dhënave që ka mbledhur grupi hetimor, një muaj para nisjes së aksionit policor “Fund Marrëzisë”, Doçi ka shitur të gjitha aksionet e tij dhe kjo mund të ketë sjell ndonjë konflikt që nuk ka qenë publik me bashkëpronarët. Burimet policore shpjeguan se konkretisht, bashkëshortja e Elvis Doçit, Vilma Doçi, ka qenë personi që ka pasur aksionet në kompaninë “BEV Game 2000”, dhe pikërisht ajo ka shitur aksionet tek dy aksionarët e tjerë.

Sipas tyre, Doçi i ka shitur aksionet te biznesmeni Denis Kuçi, ndërkohë që në këtë kompani mësohet se aksioner gjithashtu është edhe një person tjetër, i identifikuar si Bedri Merhori. Policia tha se nëse ka fakte të reja në lidhje me këtë pistë hetimore, atëherë do të merren në pyetje aksionarët e kësaj kompanie, por kjo do të kryhet pasi të dëshmojë bashkëshortja e 35-vjeçarit të ekzekutuar, e cila nuk është pyetur ende nga oficerët e policisë gjyqësore.

KARROTRECET
Një tjetër pistë që po ndiqet për këtë vrasje është edhe ajo për një tender të Ministrisë së Brendshme. Burimet policore shpjeguan se ka të bëjë me anulimin e shërbimit të karrotrecëve në Tiranë dhe ritenderimin e këtij shërbimi. Sipas të dhënave, biznesmeni 35-vjeçar mësohet se kishte shfaqur interes për të marrë pjesë në këtë tender dhe ishte përgatitur për të ndjekur procedurën e tenderimit. Madje, nga informacionet e pakonfirmuara, policia ka marrë informacion se ai ishte shpallur fitues i tenderit, megjithatë kjo mbetet për t’u vërtetuar dhe për këtë arsye, prokuroria do i kërkojë informacion më të detajuar Ministrisë së Brendshme.

Siç dihet, ky shërbim, deri para pak javësh ofrohej nga subjekti “Edilizzia Dossetti”, e cila ishte fituese e praktikës së parë dhe të fundit tenderuese të këtij shërbimi, i hapur për herë të parë në vitin 2009 në vend, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës. Megjithatë, kjo e drejtë iu hoq në muajin shtator nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili urdhëroi anulimin e tenderit dhe fillimin e procedurave të reja të tenderimit. Në këto kushte, grupi hetimor dyshon se përfshirja e Doçit në këtë tender mund të ketë sjellë përplasje për konkurrencë me biznesmenë të tjerë, të cilët kanë paguar eliminimin e tij fizik.

PLAGOSJA 2009
Pista e tretë hetimore është ajo e një ngjarje të ndodhur në vitin 2009, ku ka mbetur i plagosur një person. Burimet policore nuk kanë dhënë shumë detaje në lidhje me këtë plagosje, por që grupi hetimor po shikon të gjitha konfliktet e mundshme që Elvis Doçi ka pasur në të shkuarën. Për këtë arsye, policia e Tiranës ka kryer edhe disa shoqërime, por deri në orët e vona të natës nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për të arrestuar. Policia shpjegoi se ka marrë në pyetje të shoqëruarit në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, por nuk ka mundur të arrijë në prova konkrete për dokumentimin e krimit.

VENDI I NGJARJES
Nga ana tjetër, në lidhje me ngjarjen, policia deklaroi zyrtarisht se nga hetimet paraprake të kryera në vendngjarje, është konkluduar se, përgjatë momenteve të ngjarjes, Elvis dhe Ali Doçi kanë qenë duke udhëtuar me automjet tip “Benz GL”, me targa AA 777 FH, i drejtuar nga viktima, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen në spital si dhe është plagosur 18-vjeçari, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes janë sekuestruar dhe administruar në cilësinë e provës materiale 10 gëzhoja të kalibrit 9 mm, të cilat mendohet se i përkasin ndonjë armë automatike dhe janë dërguar në laborator për ekzaminime të mëtejshme.

DESHMIA
Studentja: Si ndodhi atentati para meje
Atentati ndaj Elvis Doçit u krye në pritë, pasi autorët po prisnin kur ai të kalonte me makinë. Kjo mësohet nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, të cilët kanë parë me sy të gjithë krimin, por nuk kanë mundur të japin shumë detaje për grupin hetimor. “Unë isha duke u kthyer për në shtëpi, pasi kisha pirë kafe me disa shoqet e mia në qendër të kryeqytetit. U ndava nga shoqet dhe duke ecur në afërsi të kryqëzimit, tek vendi i quajtur “Komuna e Parisit”, vura re diçka, që nuk e kisha parë herë të tjera. Të gjithë shikonin me vëmendje një motor dhe më pas ndërronin rrugë. U bëra kurioze dhe hodha vështrimin tek motori, i cili priste diçka.

Ata ishin pozicionuar në anë të rrugës, përballë dyqaneve të kompanive celulare. Kam përshtypjen që motori kanë qenë ngjyrë i errët afër të zezës, por mbase e kam fiksuar edhe gabim. Ai dukej që ishte ndezur pasi lëshonte zhurmë dhe kuptohet që dy djemtë po prisnin dikë që të vinte. Pashë dy djem të rinj dhe personi që ishte ulur mbrapa, kishte një armë zjarri me vete. Tyta e armës dukej sheshit dhe kam përshtypjen që ishte automatik. U tmerrova, por nuk pata kohë që të largohem, sepse ngjarja ndodhi vetëm brenda pak sekondave”, është shprehur një studente, e cila ka parë skenën e atentatit. Sipas saj, kur ka ardhur makina, pasagjeri i ka drejtuar armën shoferit për të ndaluar dhe ka qëlluar disa herë ndaj tij. Më pas, dy autorët janë larguar me shpejtësi, ndërkohë që njerëzit vraponin për t’u fshehur.

DEKLARATA
Nëna e të plagosurit: Im bir s’ka konflikte
Djali im nuk është i përfshirë në asnjë konflikt. Jam e interesuar vetëm për shëndetin e tij, por ky atentat nuk ka lidhje me të. Kështu është shprehur nëna e Ali Doçit, e cila kërkon vetëm përmirësimin e shëndetit të të birit, ndërkohë që në spital janë parë edhe shumë forca policie, të cilat kërkojnë të marrin në pyetje të plagosurin, menjëherë pas përmirësimit të tij, me qëllim për të ndihmuar në zbardhjen e krimit të rëndë. Nëna e Ali Doçit shprehet se ai nuk ka pasur asnjë konflikt, ashtu siç thonë edhe shokët e tij, të cilët shtojnë se nuk kanë vënë re ndonjë shqetësim këto kohët e fundit dhe se gjithçka ka qenë e papritur për ta.
 
Shkrimi u publikua sot (25.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Fitorja e mundshme e Le Pen/ Demonstrata në Paris: Fashizmi është gangrenë

Fitorja e mundshme e Le Pen/ Demonstrata në Paris: Fashizmi është gangrenë