TIRANË- Një vit pas vrasjes së Gentian Bejtjas, Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim një prej autorëve të përfshirë në ngjarje. Bëhet fjalë për Ilir Beqaraj, i cili ka pasur rolin e ndihmësit në atentatin ndaj Bejtjas në banesën e tij më 15 mars 2025. Pas hetimeve, organi i akuzës njofton se Beqaraj ka larguar nga vendi i ngjarjes autorin e dyshuar të vrasjes.
Pas ekzekutimit, Beqaraj ka larguar nga vendi i ngjarjes atentatorin e dyshuar Flodian Plaku, i njohur ndryshe edhe si ‘Pole Qorri’, i cili rezulton ende në kërkim. Pas vrasjes, Beqaraj ka larguar ‘Pole Qorrin’ dhe në fshatin Hasan kanë djegur edhe mjetin e përdorur gjatë atentatit. Prokuroria thotë se rolin e tij e ka të dëshmuar edhe me pamje filmike, por gjithashtu në makinën që përdorën për t’u larguar pasi dogjën mjetin e përdorur për atentat, janë gjetur edhe profili ADN-je të Ilir Beqarajt si edhe të atentatorit të dyshuar ‘Pole Qorri’.
Po ashtu, Beqaraj ka mbajtur disa herë në vëzhgim, Gentian Bejtjan deri në momentin ku u krye edhe ekzekutimi mafioz. Ndaj tij rëndojnë tre akuza ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve’ dhe ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave’. Për vrasjen e Bejtjas në pranga ka rënë edhe një prej autorëve të dyshuar Edison Haxhiun, 30 vjeç, ndërsa atentatori ‘Pole Qorri’ është ende në kërkim.

Mbi Bejtjan në 15 mars u qëlluan 50 plumba, 30 prej tyre fatal, që e prekën në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Dyshohet se Bejtja kishte dijeni për shumë krime të tjera të 10 viteve të fundit. Ishte i dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve. 42-vjeçari vetë para se të vritej u kishte shpëtuar disa atentateve.
Më 4 Korrik 2023, jashtë ambienteve të shtëpisë iu vra kunati Ramazan Sino, 29 vjeç, u plagos Bejtja si dhe dy djemtë e tij, 10 dhe 13 vjeç. Dyshimet e para ranë mbi Vlater Bamin, por pas 6 muajësh ai doli i lirë për shkak të skadimit të afateve hetimore. Më 9 Janar 2022, Gentian Bejtja u qellua me armë në afërsi të Niklës, por u plagos shoku 31-vjeçar Klodian Stafuka.
Njoftimi i Prokurorisë
Vrasja në Larush të Fushë Krujës, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasin Ilir Beqaraj për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ kryer në bashkëpunim Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Ilir Beqaraj për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim,‘Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve’ dhe ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave’ parashikuar nga nenet78/1 e 23, 278/4 e 289/1 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 1944/2 të vitit 2024, për vrasjen e shtetasit Gentian Bejtja në fshatin Larush të Fushë Krujës, Prokuroria arriti të provojë se i pandehuri Ilir Beqaraj ka konsumuar veprën e mësipërme në rolin e ndihmësit.
Sipas prokurorisë ky shtetas me veprimet e tij aktive ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga prokuroria. Teksa u provua se ky shtetas në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës.
Nga hetimet rezultoi se në automjetin e përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegjes së automjetit me të cilin u krye vrasja, është përfituar profil gjenetik i shtetasve, Ilir Beqaraj dhe Flodian Plaku të cilët dyshohet se kanë pasur rol në vrasjen e shtetasit Gentian Bejtja.
SI.E./Shqiptarja.comKomente

