TIRANE- Teksa kërkimet për gjetjen e tre autorëve që qëlluan dhjetëra plumba kallashnikovi mbi Astrit Gjepalin, dhe dy kunetërit e tij Halil Fici dhe Ilirjan Sulkjan, policia dhe prokuroria e Kavajës kanë përqëndruar hetimet në përgjimin e telefonatave të personave që dyshohet se kanë pasur gisht në ngjarje. Për gjatë këtyre katër ditëve, prokuroria i është drejtuar gjykatës së Kavajës me rreth 40 kërkesa për autorizim përgjimi, të 40 personave.

Emrat e listuar në dokumentin policor, kanë të bashkalidhur dhe numrat telefonike. Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë Kavajë, të gjithë personat që kërkohen të përgjohen janë me precedentë penalë dhe qëndrën e banimit e kanë në Kavajë, Durrës dhe Lushnjë. Ky duket se është veprimi i fundit, nga ku policia dhe prokuroria, presin të vjelin informacionin për të rënë në gjurmët e autorëve të krimit, që katër ditë më parë tronditi opionionin publik me vrasjen e dy personave dhe plagosjen e tre shtetasve të tjerë.

Miratimi i kërkesave
Të gjitha kërkesave për autorizim përgjimi kanë marrë “ok” nga gjykata e Kavajës, duke i dhënë mundësi prokurorisë dhe policisë të mbajnë nën mbikqyrje të plotë personat e dyshuar. Qëllimi është interceptimi i bisedave telefonike ku mund të merren të dhëna që do i shërbejnë hetimit, pasi në ruogë operative në teren dhe drejtime të tjera nuk ka informacione bindëse, për vrasjen e Astrit Gjepalit.

Kjo për shkak dhe të kaluarës së tij të mbushur me shumë precedentë penale. Marja pjesë në shumë krime dhe përplasja me grupe të ndryshme në zonën e Durrësit, ka bërë që policia të jetë e pafuqishme për të qartësuar informacionin dhe drejtuar gishtin mbi një person konkret. Momentalisht policia e Kavajës dhe ajo e Durrësit nuk kanë një person konkret të dyshuar për ngjarjen e rëndë, ndërsa dhe vetë i plagosuri Ilirjan Sulkja, që është pyetur në cilësinë e dëshmitarit nuk ka arritur të shohë asnjë shenjë dalluese të atentatorëve.

Autorët me maska
Në dëshminë e tij të dhënë për grupin hetimor, Ilirjan Sulkja ka pohuar se nuk ka arritur të shohë asnjë detaj rreth makinës dhe autorëve të krimit. Sulkja ka pohuar se së bashku me Halil Ficin dhe kunatin e tij Astrit Gjepalin, po udhëtonin në drejtim të burgut të Peqinit, pasi Gjepalit i përfundonte leja shpërblyese. Sipas tij i gjithë segmenti rrugor Durrës-Rrogozhinë ka qënë i qetë, vetëm kur papritur nga pas janë qëlluar me breshëri automatiku. Ai ka shtuar në dëshminë e tij se ka mundur të shohë pak personat që qëllonin dhe se ata ishin të maskuar. Dëshmia e shkurtër e Sulkjas, tregon se mjeti ka dalë nga kontrolli dhe se ka rënë në kanal.

Ndërkohë në këtë moment autorët kanë qëlluar me dy kallashnikovë mbi Astrit Gjepalin, duke e lënë të vdekur në vend. Momentalisht ky është dëshmitari kryesor i policisë dhe prokurorisë, pasi dëshmitarët e tjerë, disa tregtarë të frutave-perimeve, nuk kanë mundur të tregojnë asnjë gjë, veç faktit të dëgjimit të krismave dhe shtrirjes në tokë, nga frika e plumbave. Pista ku policia dhe prokuroria është duke hetuar është ajo e hakmarjes pasi Gjepali kishte marrë pjesë në vrasjen e 6 personave në Durrës dhe Zvicër.

Brenda 24 orëve Gjepali vrau 5 persona
Astrit Gjepali njeriu që mbeti i vrarë me 7 plumba në pritën e ngritur në afërsi të Rrogozhinës,rezulton i dënuar për “Veprime për qëllime terroriste” dhe “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim. Gazeta “Shqiptarja.com” zbuloi dy vendime gjyqësore të gjykatës së Durrësit dhe Gjykatës së Lartë, që tregojnë se si kapobanda Gjepali, në bashkëpunim me tre anëtarët e tjerë Naim Qerimi, Mirush Jareci dhe Bashkim Haxhia,kanë ekzekutuar brenda 24 orëve në vitin 1997 pesë persona mes tyre njëri efektiv policie. Veç vrasjes së shtetasve Luan Plaku, Kajmak Kullolli, Bilal Nezës, Nazmi Kopshtit, Gjepali është akuzuar dhe për vrasjen e Ylli Majacit, të cilin e ka ekzekutuar në Zvicër.


Shkrimi u publikua sot (19.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)