Vrasja e gruas shtatzënë nga ish bashkëshorti në Kosovë, dëshmi tronditëse nga të afërmit e saj! Prishtina përfshihet nga protestat e qytetarëve

KOSOVË- Familja Magashi ka hapur dyert e mortit për vajzën e tyre 35-vjeçare e cila vdiq tragjikisht në oborrin e maternitetit të Prishtinës nga bashkëshorti i saj. Një situatë e tensionuar është krijuar në Kosovë ku përpos reagimeve të shumta, pozitë, opozitë dhe aktivistë, familjarë të viktimës kanë dëshmuar përpara kamerave duke rrëfyer detaje të rënda për Hamide Magashin.

35-vjeçarja ishte dje në maternitetin e Prishtinës për t’i dhënë jetë fëmijës që kishte në bark, të parin me Sokol Halilin, kur rreth orës 18:00 është qëlluar me tri plumba me armë tip pistoletë silenciator nga 31-vjeçari me 1 plumb në kokë dhe dy në gjoks pa mëshirë dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme së bashku me fëmijën e saj.

Së fundmi, e motra e viktimës ka dëshmuar përpara kamerave duke rrëfyer detaje rrëqethëse të të gjithë dhunës sistematike që Hamide Magashi kishte mbajtur në kurriz nga bashkëshorti i saj.

Ajo u shpreh se viktima kishte qenë gjithnjë me shenja në trup, dhe se që në momentin që doli lajmi se ishte vrarë një grua 35 vjeç shtatzënë, e dinte se bëhej fjalë për motrën e saj.

“Si thanë 35 vjeçare u vra, dhe në muajin e fundit të shtatzënisë, e kom ditë që është motra jem dhe kom piskat e kom thanë se është motra e jem. Kom thanë se e paska vra ish-bashkëshorti i saj”, ka thënë ajo para mediave.

Ajo ka tregoi se martesa e tyre zgjati vetëm tre muaj dhe se gjatë këtyre 3 mujave, Hamide Magashi përjetoi ferrin. Sokoli nuk e linte të takonte familjen e saj dhe se ka qenë pre e dhunës nga bashkëshorti i saj.

“U kanë e martume 3 muaj, pas 3 muajve ka pasë dhunë familjare dhe jemi detyruar me ndal, me djalin e mixhës së babës, që është polic”, ka treguar ajo.

Duke treguar për dhunën ndaj motrës se saj, ajo ka thënë se vazhdimisht ajo e ka pasur trupin e mavijosur nga ushtrimi i dhunës.

“E kanë rreh e kanë maltretu, e kanë shti mrena. Me çykë të alltisë i kanë meshu në krye, krejt trupin e ka pasë blozhd, krejt e mavit u kanë. Nuk e kanë lanë më ardhë kurrë në Llugaxhi, të shpija e babës, me u bashku me motra”, është shprehur ajo, duke treguar se kur i kanë vrenjtur mospajtimet mes qiftit.

“Problemet e para i kemi vërejtur, kur e thirrshim na motra për e ardhë me njetë, ajo na e çelke telefonin dhe thojke motër nihemi nesër. Ja bajshim, motër çka ki, thojke hajt se të kallxoj nesër dhe nuk na kallxojke. Pas një kohe, me motra jemi shku me e marrë, i kemi thanë hajde se jemi bashku krejt motrat, nuk na e kanë lëshu. Jemi detyru me ardhë të shpija. Mas dy jave, i kemi thanë motër hajde rrina, ajo ka thanë jo nuk mujë. Edhe kur ka ardhë ka ardhë me përcjellje, me vjehrrën e vet. Kurrë nuk e kanë lanë me ardhë vetë”, ka deklaruar ajo.

Me tej, ajo ka treguar se edhe pas ndarjes ish-bashkëshorti i saj ka ardhur të shtëpia e tyre.

“Ai ka ardhë u sill nepër sokak, a mrena nuk ka guxu me hy. U kanë rasti në polici, në entin social, në gjykatë. I ka thanë se kur te lind fëmijën ta dorëzoj. Të shtunën e kemi qu në spital në gjinekologji, sepse doktori i ka thanë rastin e ke urgjent. Kur e kemi qu ata kanë thanë se për sot e ka lindjen me operacion”, ka thënë ajo.

Sipas motrës, Hamide Magashi është vrarë me armë me silenciator.

“Ka dal në ora 6 me ble diçka, me një shoqe aty, kur ka dal ai tinza e ka vra, me armë pa kërsima hiq. Një herë i ka meshu e ka rrëzu”, ka thënë ajo.

Mësohet se autori i dyshuar, që nga viti 2014 deri në korrik të vitit 2022 mbante ilegalisht një pistoletë me gaz, me kalibër 9 milimetra dhe një karikator. Ai madje ka qenë i dënuar për ‘armëmbajtje pa leje’ dhe vetëm me 300 euro.

Si ndodhi ngjarja e rëndë:

Me dy krisma të njëpasnjëshme, 35-vjeçarja Hamide Magashi u qëllua për vdekje nga ish bashkëshorti i saj Sokol Halili, 31 vjeç në oborrin e maternitetit të Prishtinës.

‘Pasha këtë fëmijë që kam me lind sonte', mësohet të ketë thënë 35-vjeçarja pak para se të vdiste tragjikisht së bashku me fëmijën e saj. Hamide Magashi ishte shtatzënë, në ditën e fundit të saj të shtatzënisë kur bashkëshorti i saj e vrau pa mëshirë në orën 18:00. Ngjarja makabër erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve në çift, ishte pikërisht një divorc i ardhshëm çka mendohet të ketë shtyrë, Sokol Halilin të kryejë aktin barbar.

Ngjarja e rëndë e ndodhur ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët të cilët u ngritën në protestë me pankarta ku shkruhej se vrasja e grave nga burrat në Kosovë ishte urgjencë kombëtare. Disa prej protestuesve kanë hedhur molotov pranë ndërtesës së kryeministrisë dhe për pasojë janë arrestuar nga policia. Ndërsa kryeministri, Albin Kurti ka reaguar nëpërmjet një shkrimi në facebook, ku ka deklaruar se duhet të dorëhiqej i gjithë zinxhiri i personave të papërgjeshëm që nuk kanë vepruar për të ndaluar rastin e rëndë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:25
Kosovë/ Vrau para derës së maternitetit ish-gruan shtatzënë, autori mbante prej 8 vitesh armën në shtëpi dhe ishte gjobitur vetëm me 300 euro

Sokol Halili

31-vjeçari Sokol Halili është i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-bashkëshortes, e cila ishte shtatzënë. Ajo u ekzekutua para derës së maternitetit të Prishtinës me një armë tip pistolete silenciator. Mësohet se Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë prej 300 euro për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, raporton “Kallxo”.

Në vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, të siguruar nga “Kallxo.com” thuhet se i njëjti, pra Sokol Halili, nga viti 2014 deri në korrik të vitit 2022 mbante ilegalisht një pistoletë me gaz, me kalibër 9 milimetra dhe një karikator.

Gjyqtari i këtij rasti, Sahit Krasniqi, kishte vendosur që ta dënojë Halilin me gjobë prej 300 eurove ndërsa në aktvendimin e siguruar nga “Kallxo” përmendet se i njëjti në shqyrtimin fillestar e kishte pranuar fajësinë për veprën penale ndërsa kishte premtuar se në të ardhmen nuk do të përsëriste vepra të tilla apo të ngjashme.

Pas konstatimit të gjendjes gjyqtari Krasniqi kishte vendosur që ndaj të pandehurit të shqiptojë dënimin me 300 euro.

Si rrethanë lehtësuese për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, gjyqtari Krasniqi kishte marrë edhe pranimin e fajësisë së të pandehurit dhe faktin se i njëjti nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale më parë, si dhe pendimin e të njëjtit për kryerjen e veprës penale. Me datë 10 gusht të këtij viti, Prokuroria në Ferizaj ka ngritur aktakuzën për të dyshuarin për veprën penale të kanosjes.

Sipas përgjigjeve të Gjykatës në Ferizaj, i pandehuri në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 7 shtator nuk e kishte pranuar fajësinë në lidhje me veprën për të cilën ishte ngritur aktakuza.

“Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Ferizaj për KALLXO.com.

Pas kësaj, me datë 8 shtator 2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës për viktimën.

Ora 21:54
Krimi i rëndë në Kosovë, kërcënimet që i bënte ish-bashkëshorti 35-vjeçares: Do ta vras burrin e motrës e do të bëj s*ks në prezencën tënde

Krimi makabër në Prishtinë tronditi opinioni publik, por akoma dhe më tronditëse mesa duket janë dhe detajet që po dalin në pah lidhur me pasivitetin e treguar nga autoritet ndaj denoncimeve të vazhdueshme të 35-vjeçares, e cila shumë shpejtë do bëhej nënë, por u vra nga ish-burri abuzues, që vazhdon të jetën në arrati.

 “Do ta vras burrin e motrës dhe do të bëj seks në prezencën tënde”, këto kanë qenë kërcënimet, fjalët e autorit të dyshuar, Sokol Halili, që viktima i kishte denoncuar në Polici në korrik të këtij viti, sipas dosjes hetimore të siguruar nga “Kallxo”.

Në dosjen e siguruar nga Kallxo.com, po përfshihen deklarata e 35-vjeçares Hamide Magashi e cila kishte dhënë në një hetues muaj më parë.

35-vjeçarja u vra mbrëmë me armë zjarri në oborrin e maternitetit, dhe Sokolo Halili, është i dyshuari kryesor, që është dhe në arrati.

E ndjera Magashi kishte raportuar se kishte pasur në vazhdimësi dhunë nga i dyshuari Sokol Halili. Ajo kishte thënë më parë se në çdo vizitë të cilën e kishte bërë te familja e saj, kishte qenë nën praninë e vjehrrës dhe vëzhgimin nga afër të bashkëshortit.

Përveç dhunës nga ish-bashkëshorti, Magashi kishte deklaruar edhe se çdo pagë të sajën ia dorëzonte bashkëshortit duke ia paguar kështu edhe gjobat në trafik. 35-vjeçarja kishte deklaruar se disa herë më radhë ishte kërcënuar me armë.

Ora 19:25
Vrasja e gruas shtatzënë nga ish burri në Kosovë, Kurti: Të japë dorëheqje i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë

1669477309_wrewrwewerewrwerwe.JPG

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kosovë. Nëpërmjet një reagimi në facebook, ai ka shkruar se të gjithë personat përgjegjës duhet të japin dorëheqje. Ndërsa theksoi se po bëhej inspektimi i punës së zyrtarëve të cilët duhet të merreshin me mbrojtjen e viktimës e cila u vra nga ish burri i saj para se të lindte fëmijën.

“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur.

Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar. I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”- shkruan Kurti.

Ora 18:49
Përshkallëzohet protesta në Prishtinë, protestuesit hedhin molotov pranë ndërtesës së kryeministrisë, arrestohen disa persona

Është përshkallëzuar protesta e qytetarëve në Prishtinë. Siç shihet edhe në foton e publikuar nga mediat e Kosovës, protestuesit kanë hedhur molotov në ndërtesën e kryeministrisë.

Mësohet se deri tani janë arrestuar disa aktivistë protestues të cilët organizuan protestën ku kërkohet që vrasja e grave nga burrat në Kosovë të trajtohet si urgjencë kombëtare.

Ora 16:38
Ekzekutimi i 35 vjeçares shtatzanë nga ish bashkëshorti, nis protesta në Prishtinë: Vrasja e grave nga burrat, urgjencë kombëtare

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në spitalin e QKUK ku Sokol Halili ekzekutoi me tre plumba ish gruan e tij Hamide Magashi, sot në sheshin “Zahir Pajaziti” është mbajtur një protestë nga qytetarët.

Protestuesit janë mbledhur për të protestuar me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Me pankarta të shumta në duar, shumë protestues kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kosovë, ku nuk është hera e parë që raportohen raste të tilla.

“Jeta e gruas e vlefshme pavarësisht a është nanë, motër, bijë!”, “Hapësirat private e publike të pasigurta për gratë!”, “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave!”, është shkruar në disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.

Ora 15:40
Vrasja e gruas shtatzënë në Kosovë, Sveçla: I tronditur! Do të merren masat ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kosovë, ku një 35-vjeçare, e cila priste të sillte në jetë shumë shpejtë fëmijën e saj, u vra nga ish-bashkëshorti i saj para derës së maternitetit të Prishtinës.

Zveçla shprehet i tronditur  nga ngjarja, teksa njofton se kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit.

“Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.

Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili. 

Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.

Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.

Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.

Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë.”, shkruan ministri Zveçla në Facebook.

 

Ora 15:06
'Nuk ka qenë djalë problematik, me gruan kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera', babai i Sokoli Halitit: Ma mirë të vdesë pas asaj që bëri

 

Babai i Sokol Halitit ka folur për ngjarjen makabër dhe për marrëdhënien e tij me viktimën. Familja e viktimës nuk e përkrah veprimin e Sokolit duke u shprehur ashpër ndaj tij dhe duke shpresuar që kjo ngjaje të jetë e fundit.

'Jam i mërzitur, jam i nervozuar shumë. Shumë keq, shumë keq, shumë keq. E kam një mesazh, ishalla kurrë nuk ndodh kësi raste të rënda, të keqia, të liga, se jam shumë i mërzitur. Hiç nuk di sen për ta, ma mirë ai me pasë dekë me gjithë ta masi e ka vendos me bo ata, edhe ai me pasë metë qaty. Hiç s’du me pa, as mem marrë kohë, shumë keq ka bo, shumë keq, tash me gru s’po dijmë çka me bo." - theksoi ai.

Ai thotë se djali i tij nuk ka qenë kurrë problematik dhe shton se ai nuk e ka ditur kurrë çfarë ka ndodhur në familjen e çiftit, përveç faktit që pohon për divorcin dhe problemet e muajve të fundit.

“E kam thirrë çdo orë, çdo minutë, kam shkru mesazhe. Ai s’u kanë problematik kështu kurrë, as s’u dalë nëpër kafe kurrë, as s’u ardh mas vakti kurrë. As nji send s’ma ka kthy” – theksoi Halili për Nacionalen.

Madje, ai shprehet se marrëdhëniet me familjen e viktimës dhe viktimën i ka pasur gjithnjë shumë të mira duke e trajtuar njësoj si vajzën e tyre.

Në fjalën e tij për median në Kosovë, "Nacionale" , ai shprehet se një ditë më parë ishte për vizitë në shtëpinë e Hamides për t'i dërguar veshjet dhe gjërat e nevojshme dhe për t'a pyetur nëse i nevojitet ndihmë.

 Na jemi kanë pardje, me ja çu teshat, unë, plaka jeme, çika jeme, edhe ja kanë çu teshat. Edhe i kanë thanë a të vyjnë pare për naj nevojë, najsen. “Jo” ka thanë, “nuk më vynë kurgjo”. Edhe ma s’di çka foli për këtë punë ma sen. Valla me neve fort mirë, sikur me çikën tonë. Kanë pasë problem qysh ka kallxu Sokoli si ka metë shtatzanë, i kishin pas do fjalë, do sene, ma thellë nuk di çka me thanë.” – përfundoi Halili.

Deklarime e babait të Sokolit janë të kundërta me motrën e viktimës, ku ajo thotë se Sokoli e ka dhunuar edhe më parë Hamiden, prandaj dhe ajo kërkoi divorcin .

Ora 14:33
U vra nga bashkëshorti, del autopsia e gruas shtatzënë që vdiq në Kosovë: Iu gjetën 3 plumba në trup! U qëllua në kokë dhe në kraharor

1669901673_autoWhatsAppImage20221130at22.12.011669843940.jpeg

Është bërë publike autopsia e 35-vjeçares Hamide Magashi, që u vra nga ish-bashkëshorti në ambientet e spitalit në Prishtinë.

Mediat në Kosovë shkruajnë se autopsia zbulon se në trupin e viktimës janë gjetur tre plumba, një në kokë dhe dy në gjoks.

Familjarët e viktimës kanë treguar se 35-vjeçarja që ishte edhe shtatzënë ka qenë e divorcuar nga ish-bashkëshorti.

Ora 13:14
Gjendet vetura e të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë në QKUK

 

Është gjetur vetura e Sokol Halilit, i cili dyshohet për vrasjen e gruas së tij në oborrin e QKUK-së, në hryje të Klinikës së Gjinekologjisë, të mërkurën në mbrëmje. Janë siguruar fotografitë e veturës e cila është gjetur në sheshin "Ahmet Shtime. Babai i Sokolit është dërguar nga Policia e Kosovës tek vetura e djalit të tij.

Kujtojme se mbremjen e djeshme, policia shkoi në vendgjarje dhe zbuloi informacione për viktimën.

 Hamide Magashi ishte 35 vjeçe dhe e martuar para njw viti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. ", njoftoi policia .

Më herët është konfirmuar informacioni se për të ndjerën kishte pasur urdhër të mbrojtjes, pasi kishte qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.  Policia është në kërkim të Sokol Halit i cili akoma gjendet në arrati. informacionet e deritanshme janë që çifti ishte martuar para një viti dhe kishin probleme, sidomos dhunën në familje, prandaj dhe Hamide Maggashi kishte kërkuar divorcin,vendim ky i pamirëpritur nga ish-burri i saj dhe i akuzuar për vrasjen e saj.

Ora 11:44
35-vjeçarja shtatzënë që u vra në Kosovë në oborrin e maternitetit kishte urdhër mbrojtjeje

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se gruaja shtatzënë Hamide Magushi e vrarë mbrëmë në QKUK, nga ish-bashkëshorti i saj Sokol Halili, kishte urdhër mbrojtje. Sipas njoftimit të Gjykatës, urdhri mbrojtës ishte në fuqi deri në muajin mars 2023.

“Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje. Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”, thuhet në njoftim.

Gjykata njoftoi tutje se i dyshuari Sokol Halili, më 23 shtator ishte shpallur fajtor për armëmbajtje.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”.

Më 10 gusht ai është akuzuar edhe për kanosje ndaj gruas.

“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M. Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”.

Ora 09:14
Vrasja e gruas shtatzënë në Kosovë, kardiokirurgu i spitalit bën thirrje për dorëheqje: Lëshoni karriget, do turpërohemi edhe në varr

Pak orë pas ngjarjes së tmerrshme në Kosovë ku Sokol Halili vrau gruan e tij Hamide Magashi shtatzënë në maternitet, në Prishtinë kanë vërshuar reagimet.

Pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë në repartin e Gjinekologjisë, ka reaguar edhe një kardiokirurg nga QKUK-ja, i cili duke dënuar rastin, ka thënë që shumë persona duhet të kërkojnë falje publike e të dhënë dorëheqje.

Leonard Bytyqi, ndër të tjera është shprehur se kanë dështuar si shtet, si shoqëri dhe si burra.

“Kena dështu komplet si shtet, si shoqni, si individ e si burra”.

Ai ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje, përkundër që rasti nuk lidhet direkt me punën e tyre, por se një gjë e tillë duhet të bëhet për të treguar se dikujt i intereson për njerëzit që po vriten.

“Lshoni karriget, ikni prej atyne 2 grosh vota që keni me i marr mas 1 viti, e ndjera ishte nën urdhër mbrojtjeje. Mane n'mend, kena me u turpnue edhe n varr,” ka shkruar Bytyqi.

G.MO/S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Pas arrestimit të Evis Berberit, qeveria emëron Gentian Gjylin në krye të ARRSH

Pas arrestimit të Evis Berberit, qeveria emëron Gentian Gjylin në krye të ARRSH