“Kam fjetur në mbrëmje. E kuptova se ishte një person tjetër në shtëpi vetëm mëngjesin e 26 marsit, kur pashë dy filxhanë kafe. I dëgjova duke u grindur, pastaj asgjë, hapa derën dhe pashë vajzën e vdekur. Më ra të fikët."

Kështu ka deklaruar Nors Manlapaz, nëna e Mark Samsonit, e cila ka ndihmuar djalin e saj të pastronte gjakun e Ilaria Sulës, ish të dashurës së tij shqiptare, të cilën e vrau pikërisht në shtëpinë e saj me tre plagë thike në qafë më 26 mars. 

Por gjurmët e gjakut të gjetura me luminol nga policia mjeko-ligjore në të gjithë shtëpinë dhe në veçanti në korridor mund të ndryshojnë akuzën ndaj saj. Hetuesit po përpiqen të kuptojnë nëse bëhet fjalë për një gjurmë të lënë nga viktima, e sulmuar nga mbrapa dhe e goditur tre herë me thikë kuzhine, ndoshta në tentativë për t’u arratisur drejt derës së banesës mund të ishte mbështetur pas murit me duart e lyera me gjak.

Siç raporton Il Messaggero, nëse Ilaria do të kishte ndotur murin e korridorit në një përpjekje për t'u arratisur dhe Nors Manlapaz nuk e kishte gjetur tashmë të vdekur në dhomë, por e kishte parë në agoni pa thirrur ndihmë, akuza mund të shndërrohej nga fshehja e një kufome në bashkëpunim në vrasje. Por njolla mund të jetë bërë edhe teksa po përpiqeshin të hiqnin qafe trupin duke e futur në një valixhe që Marku mori nga dhoma e prindërve të tij.

Hetuesit do të duhet të hedhin dritë edhe mbi datën e vërtetë të vdekjes së Ilarias. Sipas asaj që tha Marku gjatë marrjes në pyetje, të dy kanë kryer marrëdhënie seksuale atë natë (që do të verifikohet gjatë autopsisë) dhe vetëm në mëngjes, pasi i kishte sjellë mëngjesin në dhomën e saj, e vrau. Por veshjet, pantallonat e zeza dhe një xhup i bardhë dhe jo pizhamet, me të cilat u gjet trupi e rrëzojnë këtë teori.

Roli i babait dhe xhaxhait

Gjatë marrjes në pyetje, Marku pretendoi se babai i tij ishte duke punuar pranë Vatikanit, por vendndodhja e tij ende po hetohet. Si dhe atë të xhaxhait që banon në të njëjtën pallat dhe që pretendon se ka qenë në punë në momentin e vrasjes së studentes shqiptare.