Gjykata e Apelit urdhëron prokurorinë të rinisë hetimet për vrasjen e ish-policit Arben Bilalit. I akuzuar për atentatin është “i forti” i “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali.

Arben Bilali, ish-polici u qëllua për vdekje me armë zjarri në zonën e Selitës në Tiranë, më 30 janar të 2019.

Ish punonjësi i policisë udhëtonte me mjetin tip ‘Hyundai’ me targa AA867HX kur u qëllua për vdekje me 14 plumba nga persona ende të paidentifikuar. Për shkak të plagëve të marra ish-efektivi i policisë nuk arriti të mbijetonte edhe pse ndihma mjekësore iu dha në kohë rekord.

Ngjarja dyshohet për motive hakmarrje. Kjo pasi familja e Bilalit ka qenë në konflikt me dy familje të tjera në kryeqytet, përplasje të cilat kanë prodhuar disa të vrarë. Mes të cilëve edhe dy vëllezër të Bilalit të ekzekutuar në 1997 dhe 2010 në po të njëjtën zonë, atë të Selitës, ku u qëllua për vete edhe ish-oficeri i policisë.

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë

VENDOSI:

Ndryshimin e vendimit nr. - (s'ka) dt. 14.10.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si më poshtë: - Mospranimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, sot Prokuroria pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

- Kthimin e akteve për vazhdimin e hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 1006 dt. 30.01.2019, regjistruar për veprat penale të "Vrasjes me paramendim" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake", parashikuar nga nenet 78/2 dhe 278/2 të K.Penal, me person nën hetim Gjergj Cukali, sipas drejtimit e veprimeve të domosdoshme hetimore të përcaktuara në pjesën arsyetuese të këtj vendimi.

- Caktimin e një afati 3/mujor për kryerjen e këtyre veprimeve, afat i cili fillon nga momenti i njoftimit të këtij vendimi.

- Një kopje e këtij vendimi t'i njoftohet Drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

- Ndaj këtij vendimi lejohet rekurs sipas ligjit në Gjykatën e Lartë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë