KOSOVE- Vazhdojnë ende polemikat dhe diskutimet mbi vrasjen e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës në janar të vitit 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë. Familjarët e Jusuf Gërvallës shohin me dyshim pretendimet për autorët e vrasjes së trefishtë. 

E bija e Jusuf Gërvallës, Donika, ka hedhur poshtë deklaratat e bëra nga njëri prej themeluesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim Kelmendi, i cili kohët e fundit ka akuzuar Riza Salihun si vrasësin e Gërvallajve dhe të Kadri Zekës. Në një intervistë për emisionin “Press-ing”, të KTV-së, Donika Gërvalla ka deklaurar se, di shumë gjëra lidhur me vrasjen e 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, ndërsa ka dhënë edhe vlerësimin e saj për emrat që përmenden, përfshirë Ibrahim Kelmendin dhe Riza Salihun. 
Për Ibrahim Kelmendin ka deklaruar se, ka një talent që të vërtetat e vogla t’i ndërlidhë me gënjeshtra të mëdha, ndërsa Riza Salihun e ka cilësuar si dinak dhe tinëzar dhe vjedhës të postës së babait të saj. 

(jd/shqiptarja.com)