FUSHE-KRUJE- Plot 10 ditë pas masakrës ku në lokalin e natës “Ante Grand” në kryeqytet humbën jetën katër persona, Prokuroria e Tiranës i komunikon zyrtarisht akuzën Kostandin Xhuvanit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Enea Xhaj, Arbër Demiraj, Edison Jaho dhe shtetasit italian Giampaolo Azzolo.
 
Akuza është komunikuar këtë të premte në paraburgimin e Fushë-Krujës ku Xhuvani qëndron pas masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë nga gjykata e Tiranës.
 
“Vrasja me dashje e 2 apo më shumë personave” dhe “armëmbajtja pa leje” është akuza që rëndon mbi Xhuvanin, akuzë kjo e firmosur nga dy prokurorët Erion Pano dhe Enklit Gjini, të cilët udhëhoqën hetimet që prej orës 4:30 të mëngjesit të 4 nëntorit kur ndodhi krimi.
 
Burime për “A1 Report” nga grupi hetimor bënë me dije se gjatë komunikimit të akuzës Xhuani nuk kanë patur kundërshtim, teksa sërish ka vendosur të mos flasë asnjë fjalë për ngjarjen.
 
Akuza e cila është komunikuar të pandehurit Xhuvani pritet që të hënën e javës që vjen, sëbashku me faktet dhe provat që rëndojnë mbi të riun, të dorëzohet në Gjykatë, pasi tashmë hetimet për të janë të mbyllura.
 
Teksa Xhuvani është njohur me akuzën ndaj tij, pritet që shoku i tij Erald Sida i cili ka qenë në shoqërinë e Xhuvanit mbrëmjen e masakrës të qëndrojë ende me masë sigurie “arrest me burg”, pasi prokurorët kanë ende për të hetuar në lidhje me dëshmitë e dhëna prej tij.
 
Kostandin Xhuvani gjatë akuzës që i është komunikuar këtë të premte ka qenë në shoqërinë e avokatit të tij mbrojtës Ardian Leka, i cili është i njëjti avokat që e ka mbrojtur dhe në vrasjen që Xhuvani ka kryer 3 vite më parë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)