Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot ka dhënë mbrojtjen e tij i bashkakuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla i cili mohoi se kishte një marrëveshje me dy të akuzuarit e tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën për kryerjen e kësaj vrasjeje.
Ai madje mohoi të ketë marrë para për këtë qëllim si dhe deklaroi se nuk e kishte njoftuar Murselin me Plavën, që sipas prokurorisë është dorasi i vrasjes së Liridona Ademajt.
Fillimisht Kokalla iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij, Ndrec Dodaj, ndërsa kur erdhi radha për t’iu përgjigjur pyetjeve të palëve të tjera trupi gjykues mori vendim që seanca të mbahet e mbyllur për publikun me arsyetimin se pyetjet për Kokallën mund të përfshijnë edhe jetën personale të Naim Murselit me Liridona Ademaj.
I akuzuari, Kokalla tregoi për takimet që kishte me zhvilluar me dy të akuzuarit e tjerë, por mohoi t’i ketë takuar ai ata të dy për kryerjen e vrasjes.
Dodaj: A i ke takuar ti Naimin e Granitin? A ke ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje eventuale për këtë vrasje?
Kokalla: Unë nuk e kam takuar, as me Granitin dhe as nuk kam bërë kurrfarë marrëveshjeje.
Kokalla deklaroi se nga hetuesit policorë pas arrestimi i ishte thënë se ai e kishte bërë skenarin për vrasjen e Liridonës.
“Më treguan pse më arrestuan më than se ti je kryesor në këtë punë edhe pse nuk e ke ngreh gishtin ti e ke bërë skenarin dhe është në interesin tonë he tuajin të na tregosh si e ke bërë skenarin”, tha ai.
I pyetur nga avokati i tij nëse Naim Murseli i kishte ofruar para për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj fillisht i akuzuari, Kokalla tha se nuk i kujtohet, por pas ballafaqimit që avokati i bëri me deklaratën e tij dhënë në stacionin policor, Kokalla deklaroi nuk ka pranuar para as para dhe as pas rastit.
Dodaj: A të ka ofruar Naimi ndonjëhherë të holla për vrasjen e Liridonës?
Kokalla: Nuk më kujtohet që më ka bërë ofertë për vrasjen e gruas së tij…
Dodaj: Ju jeni përgjigjur ‘para më ka ofruar për këtë rast, por asnjëherë nuk kam pranuar para as para as pas rastit’ a është kjo që e ke deklaruar në procesverbal….
Kokalla: Po, është e vërtetë. Unë kam deklaruar më gjatë në polici, u kam treguar, por ata nuk i kanë futur në procesverbal. U kam treguar për problemet e tyre, disa herë që kam ndenjur me ta, mesazhet.
Duke folur për takimin e dytë me Murselin e Plavën në një pompë derivatesh, Kokalla tregoi se Naimi i kishte dhënë Kokallës 300 euro për këstin e kredisë, ndërsa 500 euro ia kishte dhuruar Plavës duke i thënë “kënaqu”. Por, Kokalla gjatë dhënies së mbrojtjes së tij deklaroi se për Murselin kishte marr 25 mijë euro kredi për shtëpi.
Kokalla: Kur kemi shkuar me Granitin jemi ulur e m'i ka dhënë mua 300 euro Naimi për pagesë të kredisë, të jemi të qartë pasi që unë veç kam marr kredi për Naimin. Ndërs, një shumë prej 500 euro ia ka dhënë Granitit… Nuk më kujtohet a i ka thënë diçka Graniti Naimit, por vetëm ia ka dhënë dhe i ka thënë ‘kënaqu’ ku unë mbeta i shokuar. Nuk më kujtohet që i ka thënë Graniti që i duhen...
Dodaj: A është biseduar diçka tjetër, rreth rastit…
Kokalla: Nuk është biseduar diçka konkrete rreth rastit.
Në natën e rasjes, Kokalla deklaroi se ishte takuar në Gjakovë me Murselin pasi ishte duke u rregulluar veturën e tij. Ai tha se në atë ditë kishin biseduar për disa probleme që i kishte Naimi me Liridonën, por i mohoi ato që i kishte deklaruar në stacionin policor më 1 dhjetor 2023. Sipas tij aspektet e xhelozisë ishin problemet mes Naimit dhe Liridonës të cilat i kishte biseduar Naimi me të.
I akuzuari, para trupit gjykues tregoi se si kishte marr vesh për vrasjen e Liridonës dhe ku ndodhej ai në natën e vrasjes. Ai mohoi se për lëvizjet dhe takimet në mes të Murselit dhe Plavës në ditën kritikoi kishte ditur më herët, Kokalla tha se këto i mësoi gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Unë realisht kam qenë në shtëpi, por aty e kam afër edhe tezen, sepse jemi në të njëjtën mahallë. Kam qenë duke luajtur karta me tezaket. Më ka thirr Flori dhe më ka pyetur Flori se a i ke parë gazetat, se çka ka ndodhur. Unë realisht aty kam qenë si pjesëtar i FSK, pasi që ka ndodhë sulmi në Banjskë thash ka ndodhe diçka. Pasi më ka thënë Flori a i ke parë gazetat, aty më ka shkuar mendja, paska krisë edhe diçka tjetër. Por kur e kam pa që është grabitje, që është grabitë Naimi. Unë kam provuar ta thërras Naimin në telefon por kishte telefonin e ndalur. Pas ndoshta 20-30 minuta po del vrasje…. Dodaj: Ti tentove me thirrë nuk mujte, ti ke ardhë në Prishtinë, pse ke ardhë…Kokalla: Pasi kemi dëgjuar për rastin kemi ardh me babën, axhën dhe dy djemët e axhës tjerë dhe kemi shkuar në Prishtinë në stacionin policor ku ishte Naimi. Ora ishte diku rreth 12:00 – 12:30. Kur kemi shkuar ne aty jemi bërë bashkë me familjen Ademaj si daj të Naimit dhe kemi qëndruar bashkë me familjen Ademaj derisa ka dal Naimi prej stacionit të policisë”, tha ai.
Ai tregoi se më pas e kishte shoqëruar Murselin në hotelin “Swiss Diamond” pasi Valon Lluka kishte thënë dikush të qëndrojë me Naimin.
I pyetur nga avokati i tij nëse kishin biseduar rreth vrasjes, fillimisht Kokalla mohoi një gjë të tillë, por kur një pjesë të deklaratë së tij dhënë në Polici më 01.12.2023 ku kishte deklaruar se Naim Murseli kishte thënë “e kreva këtë punë”, Kokalla para trupit gjykues deklaroi se i kujtohet ajo pjesë dhe deklaroi se i kishte thënë të akuzuarit, Murseli te mos i flas për kësi gjërash.
Kokalla deklaroi se meqenëse janë familjarë kishte marrë pjesë në varrimin e Liridonës, meqë familjen Ademaj kanë miqësi 60-vjeçare.
Marrja në pyetje e të akuzuarit, Kokalla më pas vazhdoi pa praninë e publikut, ndërsa seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 17 prill.
Në seancat e kaluara mbrojtjen e tyre e kanë dhënë të akuzuarit, Naim Murseli dhe Granit Plava. Edhe gjatë marrjes së pyetje Murseli insistonte se ai dhe familja e tij ishin pre e grabitjes ku mbeti e vrarë Liridona Ademaj, ndërsa, Granit Plava dje theksoi se kishin një marrëveshje me Naim Murselin për të marrë përgjegjësinë për vrasjen e Liridona Ademajt, por nuk e di se kush është dorasi.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe fillimisht rasti ishte raportuar si vrasje gjatë grabitjes./Kosovapress
________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente





