Prej së enjtes kur dolën në një marshim protestë nga shkolla “Fan Noli” për 2 orë drejt Ministrisë së Arsimit, prindërit ende nuk kanë marrë asnjë reagim nga autoritetet. Nëse kjo heshtje vijon, ata paralajmëruan se nuk do t’i dërgojnë më fëmijët në shkollë, në shenjë bojkoti.
“Kërkesat nuk janë tekat tona, por domosdoshmëri që të krijojmë një shkollë të denjë për fëmijët tanë dhe një shkollim dinjitoz për të gjithë brezat që do të vijnë. Ne si prindër zotohemi se nuk largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen, nëse ministria dhe qeveria vijon me neglizhojmë konsiderojmë edhe bojkotin e mësimit si formë të reagimit tonë”, tha Migen Qiraxhiu nga Qwndresa Qytetare.
Në një deklaratë publike para shkollës “Fan Noli”, ku vetëm 200 metra më larg më 18 nëntor dyshohet se u vra pas mësimit nga shoku i shkollës Martin Cani 14 vjeç, prindërit kërkuan më shumë siguri për fëmijët e tyre, e nëse kërkesat nuk plotësohen – theksuan ata - veprimi që duhet të pasojë, është dorëheqja e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
“Kjo dorëheqje do krijonte precedent dhe modelin e të mbajturit përgjegjësi. Kjo gjë nuk do të mjaftonte po do hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame. Kësaj shkolle i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve të saj ndërsa ata nuk arritën ti mbrojnë as jetën. Kjo ministre nuk ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë, kur artikuluam kërkesat tona për shkollë më të mirë për të krijuar një shoqëri më të mirë nesër. Ne do jemi të hënën para ministrisë së Arsimit për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë. Nuk është rrufe në qiell të hapur por sinjal për secilin pre nesh që të reagojë sa nuk është vonë”, vijoi ai.
Së pari, prindërit duan që buxheti për arsimin të shkojë në nivelin 5% të GDP-së, dhe shkollat të plotësohen me infrastrukturë dhe staf mbështetës, përfshirë shërbimin psiko-social në raportin 1 psikolog për 200 nxënës, si dhe oficerë sigurie në çdo shkollë.
Në kushtet kur shumë prindër janë edhe të d ypunësuar për të përballuar shpenzimet e familjes, ata kërkojnë që nxënësit të qëndrojnë në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat.
Në mesin e 8 kërkesave të artikuluara prej tyre, prindërit duan garanci për zbatimin e udhëzimit që ndalon celularët në orën e mësimit, dhe vendosjen e filtrave parandalues për gjuhën e dhunës e të urrejtjes.
Ndërkohë në një audio që pretendohet se është regjistruar gjatë një mbledhjeje në shkollën “Fan Noli” pas vrasjes së Martin Canit, dëgjohet teksa një prind që kërkon të merren masa ndaj të gjithë stafit të shkollës që thuhet se kishin dijeni se i mituri vinte me thikë në shkollë.
“Dhe kur gjithë klasa po përpëlitej, ai djali kishte thënë prisni ju çfarë do të ndodhë sot. Dhe vjen me një thikë kaq! Dhe ua ka treguar edhe shokëve”.
Për sherrin që fëmijët mendohet se kanë nisur në ambientet e shkollës prej të premtes, e që vijoi edhe të premten, ditën e vrasjes, asnjë përfaqësues i shkollës nuk njoftoi prindërit e të miturve.
Ditën e hënë në orën 17:00 prindërit do të dalin sërish në protestë para Ministrisë së Arsimit.