ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar një tjetër seancë maratonë prej më shumë se 4 orësh në ngarkim të Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen politike të Pjerin Xhuvanit 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Ish-efektivi i RENEA-s i pranishëm në sallën e gjyqit shfaqi bezdi nga prania e medias e cila u lejua të filmonte 5 minuta para nisjes së seancës... më tej gjyqi vazhdoi me dyer të mbyllura.
Burimet thanë se në seancën e kësaj të mërkurë u shqyrtuan pamjet filmike që prokuroria kishte siguruar mbi ngjarjen, ndërsa Paplekaj ka këmbëngulur që të ribëhet akti i ekspertimit nga prokuroria.
avokatja e familjarëve të Xhuvanit, Rezarta Tahiraj në përfundim të seancës së sotme të procesit për vrasjen e mjekut dhe aktivistit politik Pjerin Xhuvani tha se video është tregues se policia iu dha kohë autorëve të kryenin aktin.
"Në planin njerëzor ishte e tmerrshme të shikoje atë video të vrasjes së mjekut psikiatër Pjerin Xhuvani. Si avokate deklaroj se ato video janë prova ekselente që gozhdojnë me përgjegjësitë e tyre të renda vrasësin Arbër Paplekaj por edhe të gjithë policët dhe komandantët e tyre. Ajo vrasje nuk do të ishte kryer dhe askush nuk do të ishte plagosur nëse policia do të kishte identifikuar dhe çarmatosur cilindo që ishte në atë vend. Vrasësit policia u lejoi kohën për të vrarë dhe arratisur i armatosur duke e vënë në kushte madje për të vazhduar për të vrarë dhe pra për të përmbushur një tragjedi. Videot që pamë në gjykatë konfirmuan sesa i madh ishte vullneti për të vrarë që ka pasur vrasësi. Pasi ka qëlluar goditjen e parë të pistoletës ka qëlluar akoma shumë herë me vendosmëri precize për të vrarë atë njeri të pa armatosur. Familjaret e viktimës nga unë të përfaqësuar për rolin e palës civile ia kemi besuar drejtësisë fatin e vrasësit. Unë si avokat uroj që drejtësia të jete ekzemplare, mbi të gjitha në këtë proces ku provat janë shumë evidente dhe të rëndësishme", tha Tahiraj.
Në seancën e mëparshme, avokati i tij, Mirash Martini kërkoi riekspertimin e vendit të ngjarjes pasi sipas tij nuk përputhet distanca e përcaktuar mes qitësit dhe viktimës, por u hodh poshtë nga gjykata bashkë më kërkesën e tij që kjo çështje të hetohet nga ekspert të pavarur. Kujtojmë se ndaj Arbër Paplekajt rëndon akuza për 'vrasje me dashje në rrethana cilësuese'. Ndërsa akuzohen për shpërdorim detyre dy ish-drejtorët e policisë së Elbasanit, Albert Nushi e Nikollaq Palla, të cilët nuk morën masa për të parandaluar përplasjen e armatosur për blerjen e votave.
Në seancën e radhës, caktuar për më 22 janar, pritet të nisë marrja në pyetje e dëshmitarëve. Është një listë e gjatë me 68 emra që prokuroria i ka thirrur për të dëshmuar ne gjyq, e ku mungojnë emrat e politikaneve të dy kaheve edhe pse vrasja u krye ne fushate në një situatë të tensionuar për blerje votash.
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi. Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend. Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.
Lajm në përditësim...
Arbër Paplekaj sapo hyri në sallën e gjyqit dhe gardianët i heqin prangat, sapo shikon praninë e gazetarëve që po e filmonin, u ngrit nga karrigia dhe kërkoi të dilte jashtë.