Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar lidhur me vrasjen e 4 shqiptarëve gjatë javëve të fundit në shtetin fqinj. Reagimi i Ministrisë greke vjen pas deklaratës së Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë (lexo këtu), ku i bëhej thirrje Athinës të frenonte aktet ekstremiste të cilat po merrnin jetë njerëzish të pafajshëm që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në Greqi. Ministria e Jashtme greke thotë se rastet e theksuara nga Tirana zyrtare janë trajtuar dhe hetuar në mënyrë efektive siç e parashikon ligji. 

"Greqia është një vend europian ku sundimi i ligjit funksionon në mënyrë efektive. Autoritetet kompetente kanë trajtuar menjëherë rastet e raportuara nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, të cilat janë hetuar dhe zbardhur tashmë, siç edhe është përmendur në një njoftim përkatës nga Policia greke" ,tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Alexandros Gennimatas në përgjigje të një pyetje lidhur me reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare për vrasjen e 18-vjeçarit Marios Isak në Kavalla. 

Ndërsa deklarata shton më tej: "Autoritetet greke janë të vendosura për të luftuar krimin dhe njëkohësisht përsërisimin qëndrimin tonë për të dënuar të gjitha format e dhunës dhe racizimit, të cilat mund të kushtojnë edhe jetë njerëzore"

Lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit shqiptar, Marios Isak, mediat greke raportojnë se një shok i tij, gjithashtu shqiptar, ka pranuar autorësinë e vrasjes. Ai mësohet të jetë shprehur në polici gjatë marrjes në pyetje se e ka vrarë gabimisht bashkëmoshatarin e tij teksa po debatonin gjatë rrugës për në shtëpi pasi kishin dalë nga një bar kafe në qytetin Kavalla. 

Marios është shqiptari i katërt që vritet në Greqi gjatë tre javëve të fundit. Pak ditë më parë u vra Altin Mullai nga një shkëmbim me armë zjarri me policinë greke në tentativë për të trafikuar drogë drejt Greqisë. Më pas ishte Petrit Zifle që u ekzekutua në Korfuz nga një anëtar i Agimit të Artë pas një debati me të për minoritarin Konstandin Kaçifas që u vra në Gjirokastër, ndërsa një 35-vjeçar u gjet i pajetë në burgun e Trikalasë, shkaqet e vdekjes të të cilit ende nuk dihen.