Detaje të reja janë zbardhur pas ngjarjes tragjike që ndodhi disa ditë më parë në Montecalvoli, një provincë pranë Pizës, ku 25-vjeçari shqiptar Kevin Muharremi u qëllua për vdekje nga një bashkëkombës, pas një sherri në një pub në Montopoli.
Shqiptari Renato Xyke, 20 vjeç, qëlloi me armë drejt makinës ku ndodhej Muharremi, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Hetimet janë në zhvillim nga Prokuroria e Pizës për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar motivet. Gjykata konfirmoi arrestimin e Renato Xyke, i cili përballet me akuza për vrasje me dashje.
Ndërkohë edhe një mik i autorit, që ishte në makinë gjatë të shtënave, është marrë nën hetim ndërsa ka dëshmuar se nuk ishte i vetëdijshëm për armën që mbante Xyke, një Beretta gjysmë-automatike kalibri 7.65, e cila u sekuestrua më vonë pranë shtëpisë së të arrestuarit.
Autori i dyshuar i vrasjes mbetet në burg dhe autoritetet po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, duke përfshirë analizimin e kamerave të sigurisë, intervistimin e dëshmitarëve dhe verifikimin e të dhënave telefonike.
Komente








