Në tekstin e shpjegimit presidencial për çdo të titulluar “Martir i Demokracisë”, të pushkatuarit prej gjoja një gjykate brigade prej tre vetësh por në të vërtetë me urdhër dhe këmbëngulje të vetëm Mehmet Shehut, vlerësoheshin si bartës të spikatur të luftës për liri dhe demokraci. Për pionierët dhe prijësit e vetëdijshëm të kësaj cilësie ka një titull shumë të bukur: “Pishtar i Demokracisë”.
Doemos, duke mos qenë, për shumë arsye, Pishtarë, ata të 67 Martirë janë. Me vetëdijë apo pa vetëdijë. Të gënjyer apo të mobilizuar me forcë. Ata u vranë se ishin ndjekës të Ballit Kombëtar, organizatës politike antikomuniste të kohës. Thelbi për të bërë saktësimin dhe për pasojë lartësimin e vërtetë, mbetet nëse janë Martirë të Lirisë dhe të Demokracisë.
Dyfjalëshi “Liri-Demokraci”, duke të kujtuar Lëvizjen e Dhjetorit 1990 dhe më pas Partinë Demokratike, forcën kryesore përmbysëse të diktaturës, ka mbetur në kujtesë si slogan udhërrëfyes i kësaj të fundit. Kaloi një çerek shekulli prej këtij momenti historik dhe më pas në sipërfaqe dolën plot probleme shpërdorimi të këtij motivi dhe qëllimi fisnik. Sidoqoftë Shqipëria e pas nëntëdhjetës me në vijë të parë Partinë Demokratike dhe atë Socialiste, si edhe forca të tjera politike, prodhoi një pluralizëm përgjithësisht të pajtueshëm me Lirinë dhe Demokracinë. Në historinë tonë të shekullit të shkuar nuk i kishte qëndruar këtij detyrimi Partia Komuniste Shqiptare dhe sidomos doktrina enveriste. Qeveria e saj e parë e shpallur në Berat në 22 tetor 1944 kishte për slogan kryesor “Për një Shqipëri të Lirë dhe Demokratike”. Dhe ngrinin lart grushtin.
Ishte formalisht njëlloj si ajo e pas pesëdhjetë moteve: “Liri-Demokraci”. Këtë herë ngriheshin përpjetë dy gishtat.
Gjesti i nderimit të 67 të masakruarve pa asnjë faj për t’u marrë jetën (sepse ajo ngjarje emrin e përputhur me emërtimin e saktë e ka vetëm dhe vetëm masakër), po të ishte më i shkëputur nga zakoni i përdorimit për qëllime politike, institucioni dekorues do të shmangte stilin e hartimit të një deklaratë të mëpasshme, e cila nuk qe shpjegim me nerva të qeta, por mirëfilli impulsive dhe deklarative si të ishte një trakt propagandistik i moteve të Luftës së Ftohtë.
Stili partiak i vlerësimit të ngjarjes së dhimbshme, por njëkohësisht mjaft kriminale, mënyrë veprimi që ia dobëson ndikimin sa më të gjerë e të thellë shoqëror, u shfaq që në çastet e para të dinamikës së ngjarjes. Në fjalimin zyrtar, i cili mori përsipër ta interpretonte para opinionit publik përse po jepej ajo dekoratë e lartë për merita liridashëse dhe demokratike, u krye një gjest censure: nuk u tha se ajo barbari ishte dënuar menjëherë prej Enver Hoxhës, PKSH-së dhe Shtabit të Përgjithshëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Kjo e vërtetë historike, e cila në këtë ngjarje nuk është pjesë periferike, por element qendror, qe shenja më provuese se ai dekorim po kryhej edhe për motive dhe qëllime politike, pra jo vetëm kundër të kaluarës tiranike, por me nëntekst edhe ndaj shumicës në qeverisje, për të cilën ka një mendësi fluturake që i cilëson si trashëgimtarë dhe vazhdues të enverizmit.
Rasti që krimi ishte denoncuar edhe prej vetë palës nga vinte dora dhe mendja e pashpirt e Mehmet Shehut, qe një rast i shkëlqyer që, përherë të distancuar nga çfarë kjo sjellje staliniste i solli më pas popullit dhe vendit, të shndërrohej në moment, sado i shkurtër, konsensusi. Me pak fjalë masakra mbi 67 jetë bashkëkombësish, e kryer në një formë mbase edhe më të spikatshme, mund të realizohej në emër të të gjithë mjedisit pluralist shqiptar të pas Luftës së Ftohtë dhe në afrim të hyrjes në BE.
E shprehim këtë mendim, sepse vendi ku ngjau kjo ndodhi e kompromentuar me politizim, ishte vërtetë fshati Divjakë, por në thelb qe vetë selia e Presidencës së Republikës, pra i Kryetarit të Shtetit, institucioni që e ka për detyrë të parë funksionale paanësinë.
Ndodhi në 21 apo 23 tetor 1943?
Sipas fjalimit shpjegues të mbajtur në ceremoninë e dekorimit, vrasja masive ka ndodhur në 21 tetor 1943, gjë që u përsërit në çfarë shkruan e thanë pjesëmarrësit në polemikë. Mirëpo i akuzuari prej palës balliste dhe asaj komuniste, Mehmet Shehu, thotë se qe dita e njëzetë e tre e muajit. Ai nuk kishte asnjë arsye të gënjente, sepse kjo mospërputhje nuk ngre peshë. Kjo datë, 23 tetor, ndodhet edhe në bllokun ditar të një partizani që kish përfunduar Normalen e Elbasanit, rënë dëshmorë në fillim pranverë të vitit 1944. Ka qenë i pranishëm në këtë ngjarje.
Në librin “Brigada I Sulmuese shpresë për popullin, tmerr për armikun”, botuar në 1977, i cili gjithkund të lë përshtypjen se është i hartuar drejtpërsëdrejti nga vetë Shehu, në faqen 93 dhe më pas, fillon shpjegimi i asaj që ndodhi. Thuhet se në zonën përreth Lushnjës dhe sidomos në veri të saj, përfshi edhe fshatrat Shegas dhe Golem, vepronin rreth 400 ballistë. Sipas Mehmet Shehut për sjelljet e tyre kishte ankime prej banorëve dhe sidomos fshatarët i luteshin Brigadës I-rë të vinte për të ndërhyrë. Gjithnjë sipas tij, këta ballistë “po hapnin llogore që të mbronin komunikacioni në rrugën Rogozhinë-Lushnjë”. Ai tregon se patrullat partizane të zbulimit e informuan komandën e brigadës se disa skuadra balliste në Lushnjën e pushtuar prej ushtrisë naziste, bënin roje rreth qytetit. Në këto grupe rojesh qenë parë edhe ushtarë e deri oficerë gjermanë.
Sipas Mehmet Shehut qëllimi kryesor i dy batalioneve të Brigadës I-rë si edhe i forcave të tjera partizane të zonës, ishte goditja e gjermanëve brenda në Lushnjë, por kjo nuk mund të bëhej pa likuiduar forcat balliste të përqendruara në veri të qytetit, në Shegas e Golem, pikërisht në atë drejtim prej ku kalonte rruga kryesore nacionale dhe kryhej lidhja me Tiranën. Gjithnjë sipas Shehut dhe librit të tij, sulmi ndaj gjermanëve në qytetin e Lushnjës nuk mund të realizohej pa u neutralizuar më parë kjo forcë luftarake në shpinë. Ndryshe do të ndodheshin mes dy zjarreve.
Në vijim teksti formulohet kështu: “Lëvizja e forcave filloi në mbrëmjen e 23 tetorit dhe rreth orës 1.00 të ditës së nesërme të gjitha qenë vendosur në pikat e caktuara. Sulmi do të fillonte në orën 4.00, pas shenjës që do të jepej me anë të një rakete shenjëhedhëse- Në fillim do të lëshoheshin disa predha mortajash, pastaj partizanët do të vërsuleshin drejt objektivave të parashikuara”.
E vazhdon rrëfimin e tij Mehmet Shehu: “Në krah të djathtë vepronte batalioni i I-rë në drejtim të fshatit Shegas, kurse në të majtin Batalioni i 4-të në drejtim të fshatit Golem. Partizanët e Myzeqesë kishin për detyrë të mbronin krahët e sulmuesve nga ana e Lushnjës”.
Më tej Shehu ngul këmbë se “në kohën kur po vinte ora 4.00 një kompani e batalionit I-rë kapi një roje balliste dhe i mori parullën. Kjo ndihmoi që të asgjësoheshin përpara se të fillonte sulmi edhe roje të tjera, gjë që siguroi afrimin e forcave tona, befasi të plotë dhe kështu ata nuk organizuan rezistencë”. Mehmet Shehu shkruan se në këto çaste komandantët ballistë i braktisën njerëzit e tyre dhe brenda 20 minutave u kapën robër 172 veta si edhe bazë materiale. Ai pohon se “Në luftime mbetën të vrarë 10 reaksionarë e 2 gjermanë. Nga ana jonë nuk pati humbje”. Po ashtu Shehu thekson se “Artileria gjermane ndërhyri nga Lushnja, por nuk i ndihmoi dot ballistët”.
Tani ja edhe teksti kyç: “Prej robërve shumica u la e lirë të kthehej nëpër shtëpi, me qenë se ishin mobilizuar me forcë nga ballistët, 28 shprehën dëshirën për të qëndruar vullnetarë në rreshtat partizane, kurse një pjesë iu dha gjyqit të brigadës, sepse kishte kryer krime në popull”.
Pastaj Shehu pranon: “Ç’është e vërteta disa nga robërit e pushkatuar gjyqi i brigadës mund të mos i ndëshkonte aq rëndë, por vetëm t’i paralajmëronte. Po gabime të këtij lloji në luftërat e mëdha revolucionare, në përleshjet e ashpra klasore, janë të pashmangshme. Sidoqoftë shtabi i brigadës bëri autokritikë para Shtabit të Përgjithshëm dhe porositi gjithë kuadrot e luftëtarët që tjetër herë të tregoheshin më të kujdesshëm dhe të bënim dallim më të thellë ndërmjet reaksionarëve që kapeshin në luftë”.
Mehmet Shehu pranon gabimin në një takim sekret me katër ushtarakë të lartë, tetor 1971
Në shpjegimin e mësipërm të Mehmet Shehut, bërë publike në vitin 1977, mund t’i dallosh, krahas fjalorit ultraideologjik stalinist, tërësisht sektar, edhe një përpjekje për ta djallëzuar Ballin Kombëtar si kolaboracioniste shumë aktive me gjermanët, ndërkaq që rojet balliste buzë rrugës nacionale me ndonjë ushtarak gjerman pranë tyre, mund të qenë edhe pjesë të trupave shqiptare të qeverisë bashkëpunuese në Tiranë. Gjithashtu dy gjermanët e vrarë bashkë me ballistët gjatë luftimeve nuk vërtetohen dot edhe pse mund të ketë qenë pikërisht kështu, por edhe pse të mos jenë e sajuar. Veç një gjë dëshmohet nga mjaft burime: kur partizanët sulmuan përqendrimin e grupit ballist në Shegas-Golem, artileria gjermane nga Lushnja ka goditur ata dhe jo palën tjetër.
Sot po thuhet, sidomos prej përkrahësve të dekorimit nëpërmjet stilit politik, se të gjithë të vrarët qenë njerëz të Ballit Kombëtar. Me këtë rast përmenden edhe komandantët e tyre, por tamam këtu, në këtë listë citimi, ka një pështjellim. Përmenden nacionalistë të mirëfilltë (Isa Manastirliu), të tjerë me identitetet politik të admiruar prej antikomunistëve të Myzeqesë si Hamit Matjani. Por mirëfilli kriminelë, plaçkitës e hajdutë, si Isa Toska, kundër bëmave të të cilit luftonin edhe vetë ballistët. Ka një dëshmi për këtë të vetë Sejfi Protopapës.
Rrëfimi dhe shpjegimi i Mehmet Shehut i vitit 1977 është i fundit, katër mote më pas do ta humbte jetën në një përleshje pushteti brenda grupit të nomenklaturës së lartë të partisë së tij. Ajo ngjarje kishte qenë një barrë e rëndë peshimi shtypës në karrierën e tij. Do t’ia kujtonin sa herë që i lëkundeshin pozitat dhe donin ta pengonin të mos lakmonte të bëhej i pari i vendit.
Kur lexon atë çfarë ka shkruar tek kujtimet e tij për Brigadën e Parë, të mbetet përshtypja se ai nuk ka asnjë brerje ndërgjegjeje. Po ashtu e gjen të bollshme provën se vërtet impulsi i tij i njeriut të përgjakshëm u ndez kur njëri prej ballistëve të kapur rob, kur e ftoi të bashkohej me partizanët, shqiptoi fjalët irrituese “Unë dërr bahem, por komunist jo”, por masakrën kundër të gjashtëdhjetë e shtatëve e ka kryer për motive ideologjike, në emër të doktrinës së tij të komunizmit. Ato 67 pushkatime qenë vrasje politike. Ajo ishte vetëdijshëm një masakër politike.
Kjo është edhe masakra më e madhe vëllavrasëse mes shqiptarëve jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Mehmet Shehu deri sa u nda dhunshëm edhe nga jeta e tij ka pasur vetëm një pendesë: atë të numrit të të vrarëve. Mund të qe më dorëpërmbajtur.
Në fund tetor 1971, në postin e kryeministrit dhe me detyrën për të kontrolluar 110 probleme që lidheshin me sistemin dhe efektivitetin e mbrojtjes ushtarake të Shqipërisë, Shehu u ndodh në një vendkomandë stërvitore mbi tunelin e Rogozhinës. Takimi me vetëm katër oficerë të lartë të rajonit ishte sekret. Kur kishte përfunduar kontrollin dhe tërë bisedës, pa asnjë arsye të dukshme ai e nderi vështrimin përtej në fushë të Myzeqesë dhe si i rënë në mendime pati shqiptuar befas fjalët “Mos bëni siç gabova unë me atë ngjarjen që ju e dini, kur në rrëmbim e sipër gjyqi i brigadës vrau edhe shumë që mund të faleshin!” Kaq. Asnjë rrokje më tepër. Veproi ashtu ndoshta sepse qe përvjetori i asaj masakre të ndodhur: plot 28 vite.
Nuk ngulim këmbë që është shenjë e sigurt e vrasjes së ndërgjegjes. Më shumë e sollëm këtë rast për të shtuar tek kjo ngjarje makabre edhe një hollësi tjetër, një rrethanë.
Nuk ishte hera e parë që Mehmet Shehut i qe dhënë detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të ndërhynte ushtarakisht në Myzeqe. Ende pa u krijuar Brigada e Parë (ajo u themelua në 15 gusht 1943) njësia luftarake e Shehut në mes të korrikut të atij viti filloi të plotësohej në organikë. Shumë shpejt do të lëvizte drejt Mallakastrës. Objektivi do të qe edhe likuidimi i Isa Toskës dhe i grupit të tij përdhunës e plaçkitës, por që njëkohësisht bashkëpunonte ngushtë me italianët. Këta donin ta përdornin kundër lëvizjes partizane në Skrapar ose siç edhe e patën formuluar shënjimin: kundër “Republikës Rebele të Skraparit”.
Në mënyra të tjera ata e thërritnin këtë krahinë edhe si “Republika Partizane” apo “Republika Komuniste”. Vetë Isa Toska qe aq fort dashuruar me këtë mision politik dhe ushtarak sa nuk pushonte duke ua nxitur italianëve që të mos e vononin orën e shpërthimit të sulmit të tij. Në një bisedë që Isa Toska pati bërë me komandantin e xhandarmërisë së Beratit, kishte thënë se "do ta bëjmë Skraparin si Abisininë dhe drejtuesin e tij si Negusin". Ky i fundit qe ish-mbreti i Abisinisë para pushtimit nga Musolini në vitin 1935.
Mallakastra atë kohë bënte pjesë në qarkun e Beratit dhe kjo qe një nga arsyet përse njësisë së Mehmet Shehut iu dhanë në ndihmë njëqind partizanë nga Skrapari, por edhe të tjerë prej forcave nacionalçlirimtare të Beratit. Me to formoi Brigadën e Parë. Siç shkruan në librin e tij të kujtimeve Skënder Malindi, “sa të lodhej Isai për të ardhur te ne, vajtëm ne tek ai”. Forcat e Isa Toskës u shpartalluan krejtësisht. Shumë u zunë robër, por gjithsesi nuk pati pushkatime.
Nuk dëshmohet që forca të armatosura të Ballit Kombëtar patën marrë përsipër detyrën për të likuiduar “Republikën Partizane të Skraparit”, madje ata që prej 14 shtatorit 1943 deri në 26 tetor bashkëjetuan me njësitë partizane në qytetin e lirë të Beratit. Ndërkohë italianët patën kapitulluar dhe tashmë pushtues të rinj qenë gjermanët. Këta nuk e aktivizuan projektin e fashistëve italianë për shkatërrim të posaçëm të lëvizjes nacionalçlirimtare të Skrapar nëpërmjet grupeve të armatosura bashkëpunuese që ndodheshin në Myzeqe. I sipërmorën vetë dhe me kolaboracionistë të viseve të ndryshme.
Megjithatë kur Mehmet Shehu kreu krimin e 23 tetorit 1943 tek ai dhe tek të tjerët vepronte dhe ndikonte ende psikoza se myzeqarët qenë të gatshëm për të mbytur rezistencën e skraparllinjve.
Dy javë më parë një urdhër i brendshëm i Mit’hat Frashërit
Letra e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl për komandën e Brigadës së Parë daton 31 tetor 1943 dhe jo 4 nëntor, si e kanë parashtruar ata që përdorin 21 tetorin si datë të masakrës. Kur u hartua kjo letër kishin kaluar nga masakra tetë ditë, kohë e shkurtër për rrethanat e një lufte të drejtuar ilegalisht dhe me vendkomanda nëpër male. Reagimi është kryer sapo u mor vesh. Teksti i plotë, deri tani i paraqitur me vetëm ndonjë frazë, ka rëndësi, prandaj edhe po ja paraqitim lexuesit: “Kemi mjaft kohë që s'kemi marrë letër nga ju. Dëgjojmë nga populli për veprimet që keni bërë kundër çetës së Hamit Matjanit dhe çetave të tjera balliste, por dëshirojmë të kemi raporte të imëta nga ju, si dhe një komunikatë për ta shtypur. Kemi marrë vesh, gjithashtu, duke mos qenë të sigurt se janë ekzekutuar gjashtëdhjetë ballistë që janë zënë robër prej brigadës.
Duhet të keni kujdes në ekzekutimet që po bëni. Për të gjithë ata që janë përgjegjës dhe që na kanë deklaruar luftë, qofshin në Ballin qofshin në ndonjë organizatë tjetër jashtë lëvizjes nacionalçlirimtare, pasi të gjykohen, të merren masat e duhura në lidhje me fajet që kanë bërë. Pra, për të gjithë ballistët përgjegjës, dhe që poshtërsisht po na luftojnë, asnjë mëshirë ndaj tyre; sa për katundarët që janë në çetat e Ballit, të mos merren masa të rrepta, përveç ndaj atyre që janë fajtorë. Duhet të dini se masat e rrepta, si dënime me vdekje kundër katundarëve të gënjyer dhe të futur çetat balliste, do të kenë konsekuenca jo të mira për lëvizjen tonë, pse katundari, i prapambetur, i lidhur ngushtë me tradita të vjetra e miqësi patriarkale, nuk është shumë fajtor dhe koshient për punën që bën. Nga ana tjetër, brigada jonë duhet njëkohësisht t'u futë tmerrin armiqve, por pa krijuar në radhët e katundarisë, baza jonë e shëndoshë, një ide jo të vërtetë mbi brigadat tona. Këto direktiva duhet t'i merrni në studim dhe të zbatohen. Brigada duhet të jetë tmerr për armiqtë dhe simbol i drejtësisë për popullin”.
Enverkomunizmi la më pas ato pasoja që dihen. Ndaj ndjekësve të Ballit Kombëtar gjatë pas tre viteve të luftës u zhvillua një shtypje klasore e egër dhe e pamerituar për pothuaj dhjetëfishin e kohës.
Për një gjysmë shekulli për këtë krim masiv politik për motive barbare ideologjike u hesht tërësisht, por gropat e kujtesës mund t’i kthesh kur të duash në gremina dhe theqafje edhe kur dëshiron t’i mbushësh. Do të ishte e padrejtë që ata 67 bashkëkombës të quheshin sot thjesht viktima, sepse janë patjetër dëshmorë. Për liri, sigurisht. Edhe partizanët, edhe ballistët për një Shqipëri të lirë mendonin.
Të rënë për demokraci? Patjetër, për aq sa e kuptonin. Siç janë dhe mbeten edhe partizanët e vrarë në ndeshje të drejtpërdrejtë me pushtuesit fashistë. Nuk luftuan ata për diktaturë. Gjithsesi u quajtën me emrin e thjeshtë “dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare”. Mund të quheshin martirë apo pishtarë, pse jo.
Veç një gjë, si hollësi të fundit në këtë shkrim, na duhet ta kemi parasysh. Në 23 tetor 1943 rruga për tek liria dhe demokracia, edhe pse më pas mund të komprometoheshin prej të eturve për pushtet personal, kalonte nga lufta kundër pushtuesve gjermanë. Nuk kishte asnjë shteg tjetër.
Porse, të mos e harrojmë, në 7 tetor, dy javë më herët, udhëheqësi i Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri, pati urdhëruar me shkrim të gjitha komitetet qarkore të organizatës dhe çetat e tyre të armatosura, të pezullonin çdo veprim të atmatosur kundër gjermanëve.
Redaksia Online
Al.N.Shqiptarja.com