FIER - Gjykata e rrethit gjyqësor Fier ka lënë në burg pa afat Emiljano Yzeirin, 19 vjeç, banues në Aranitas të Mallakastrës, pasi më datën 13 janar të këtij viti dyshohet se ka vrarë Jetmir Lazajn, 32 vjeç.
 
Ky i fundit është gjetur i pajetë, i vrarë me sopatë në malin e Goicës në fshatin Kalenjë, Mallakastër.
 
Seanca gjyqësore për masën e vlerësimit është bërë me dyer të mbyllura, pa praninë e gazetarëve, si dhe të afërmve të autorit të krimit.
 
Prokurori Petrit Vukaj i ka kërkuar trupit gjykues, që ndaj shtetasit Emiljano Yzeiri të merret masë e vlerësimit ajo e burgut pa afat. Sipas tij, ka prova të mjaftueshme, që vërtetojnë si të dyshuar kryesor këtë të pandehur.
 
Ndërsa avokati, i cili ishte caktuar nga gjykata, Albert Alimadhi është shprehur për klientin që mbronte, se arrestimi i tij është i paligjshëm, pasi nuk ka prova për të vërtetuar autorësinë e klientit që ai mbronte.
 
Gjyqtarja Adelina Zarka, pasi ka dëgjuar të dy palët, përfundimisht ka urdhëruar togën e shoqërimit, që Emiljano Yzeiri të shoqërohej në dhomat e paraburgimit me arrestin "burg pa afat". Ndërkohë, babai i 19- vjeçarit Kastriot Yzeiri është shprehur para kamerave se djali i tij është i pafajshëm.
 
“Atë ditë që ndodhi ngjarja fëmijët e mi kanë qenë në shtëpi. Ai akuzohet kot, pasi djali i ka thënë që policia e ka rrahur dhe ai ka firmosur gjithçka që i kanë thënë ata. Nëse ai, djali im ka bërë krimin, ai të pushkatohet dhe jam unë ai që do ta vras me dorën time”, thotë babai.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)