DEVOLL - Familjarët e dy viktimave në Devoll kanë refuzuar varrosjen e dy vëllezërve, Melsi dhe Klevis Çollaku pasi kanë kërkuar bërjen e një tjetër ekspertize mjeko-ligjore, veç asaj që kanë bërë autoritetet greke.

Bëhet e ditur se, Policia e Korçës ka dërguar një grup ekspertësh, mes të cilëve një polic gjyqësor, një tjetër ekspert, dhe një ekspert mjeko-ligjor, për të ribërë ekspertizën mjeko- ligjore.

Familjarët kanë kërkuar bërjen e ekspertizës pasi ata thonë se janë të paqartë se si janë vrarë nga policia greke natën duke u gdhirë dita e dielë datë 8 dhjetor.

Rreth orës 11:00 grupi i ekspertëve ka mbërritur në banesën e vëllezërve Çollaku.
 
Familjarët thonë se trupat ishin dhunuar fizikisht dhe polici grek është vrarë nga shokët e tij.

” Trupat ishin dhunuar, Melsi ishte me duar të thyera, Elvisi me dëmtime në kokë, dhe fytyrë. Nuk është gjetur armë në kasolle. Polici grek është vrarë nga mbrapa nga policët greke. Po fshihet e vërteta. Duam riekspertim sepse ekspertet shqiptarë nuk shkuan në Greqi”

Ndërkaq nëna e dy vëllezërve Çollaku, ka deklaruar se, djemtë e saj nuk kanë pasur armë me vete. Sipas saj në trupin e djemve janë bërë tortura çnjerëzore.

“Nuk kanë pasur automatikë me vete, dy djemtë peshkonin nga varfëria. Jemi të varfër dhe jo trafikantë”, ka thënë nëna e vëllezërve Melsi dhe Klevis Çollaku. “Me trupin e tyre janë kryer tortura çnjerëzore”, ka thënë nëna e dy viktimave.

Ajo ka kërkuar falje për vdekjen e policit grek, por sipas saj, ai është vrarë nga kolegët e vetë e jo nga djemtë e saj. “I kërkoj falje familjes së policit por atë nuk e kanë vrarë djemtë e mij por kolegët e tij”, ka thënë nëna e dy vëllezërve të vrarë.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)