Ky është rezultati i hetimeve paraprake të nisura nga prokuroria e Fierit për vrasjen e ndodhur pasditen e djeshme (21 gusht) në këtë qytet. Konkluzioni paraprak është nisur duke pasur parasysh dinamikën e ngjarjes. Dyshohet se autori ka qenë duke pritur viktimën në lokal, i ulur në tavolinën përbri tij, dhe 45 vjeçari, mesa duket nuk e ka njohur. Mendohet se vrasja ka qënë e mirëorganizuar dhe e mirëporositur.
NGRIHEN POSTBLLOQE
Që prej ditës së djeshme policia vijon kontrollet në zonën e Fierit, si dhe ka shoqëruar disa persona. Gjithashtu disa persona të tjerë janë marrë në pyetje pasi këto dëshmi mund të hedhin dritë për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes.
HEQIMI U EZKEKUTUA ME PLUMB NE KOKE
Babai i dy fëmijëve, i sapodalë nga burgu dhe anëtar i një prej familjeve më të njohura dhe të përfolura të qytetit të Fierit u ekzekutua dje rreth orës 19:20 në në lagjen Liri në një lokal “Eurolloto” rreth 100 metra nga apartamenti ku jetonte Heqimi. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje mësohet se Heqimi ka qenë i vetëm duke pirë kafe ndërsa vrasësi kishte shkuar në lokal përpara tij dhe po e priste. Porsa Heqimi është ulur, vrasësi e ka goditur me një plumb pas koke. Autori më pas është larguar duke hipur në një automjet që është larguar me shpejtësi.
HASMERITE E FAMILJES HEQIMI
Policia tha se është duke hetuar për kapjen e autorëve por duket se pistat janë të shumta pasi në 20 vitet e fundit familja Heqimi ka akumuluar një numër të madh rivalësh për shkak të hasmërive.

(Foto: viktima ende ulur në tavolinën ku po pinte kafe në momentin kur u ekzekutua, mbuluar me çarçaf)
Dy vëllezër të Lulzim Heqimit janë ekzekutuar më parë. Lulzim Heqimi sapo kishte dalë nga burgu përpara 6 muajsh, ndërkohë që më parë kishte vuajtur gati 8 vite dënim në Shqipëri për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të heroinës.
Lulzim Heqimi u arrestua në Fier në vitin 2001 për llogari të autoriteteve italiane, ndërsa në këtë aksion vëllai i tij Bilbil Heqimi (Bilua) ishte arrestuar në Itali si kryeu i organizatës së cilës i ishin kapur në flagrancë 50 kilogramë heroinë. Bilbil Heqimi vazhdon të vuajë dënimin në Itali.
ARBENI
Në vitin 1998 vëllai i tij, Arben Heqimi është ekzekutuar në qëndër të qytetit të Fierit. Arben Heqimi njihej edhe si më kryesori ndër gjashtë vëllezërit e familjes Heqimi. Në vitin e turbullt 1998 policia e Fierit dyshoi se vrasja e Arben Heqimit ishte e porositur nga rivalët e tij. Si ekzekutor i tij u dyshua një emër i njohur i nëntokës së krimit, Arjan Paja. Ky i fundit humbi jetën aksidentalisht pesë muaj në vonë në Durrës pasi ndodhej në një makinë me Marsel Sotirin dhe Viron Currin në kohën kur Marsel Sotirit ju bë një atentat. Megjithëse ishte i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Arben Heqimit, prokuroria nuk mundi dot të vërtetonte implikimin e Pajës në këtë vrasje.
RIVELINO
Në vitin 2005 një tjetër vrasje do të trondiste familjen Heqimi. Në Fier vritet vëllai i vogël i familjes, Rivelino Heqimi(Rino). Viktima Rivelino Heqimi kishte më pak se një muaj që kishte dalë nga burgu i Rrogozhinës ku kishte kryer plot 10 vjet për veprën penale të vrasjes së shokut të tij Bledar Brahimi, nga Fieri. Rivelino ishte duke parkuar makinën afër apartamentit të nënës së tij, pikërisht në kopshtin e shtetasit Dhori Aguridhi, kur dy plumba pistolete e goditën atë në kokë. Sapo ka mbërritur në oborrin e spitalit, 32 vjeçari, baba i dy fëmijëve, vdiq menjëherë. Rivelino, kohët e fundit, fill pas daljes nga burgu, jetonte në apartamentin e së ëmës, Verës, e cila jetonte e vetme, në katin e parë të një pallati parafabrikat në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit, jo më larg se 300 m largësi nga vendi i parkimit, ku u vra Rivelino.
(Shkrimi u botua sot në gazeten Shqiptarja.com dhe u përditësua nga redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)
