Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka deklaruar se policia është në fazën e fundit të hetimit, sa i takon çështjes së vrasjes në qytetin e Fierit.

I pyetur nga mediat, ai tha se ekspertët e policisë janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjeve të fillim vitit.

“Jemi drejt finalizimit për zbardhjen e vrasjes në Fier. Aktualisht jemi në fazën finale të hetimit ndërkohë që ekspertët tanë po punohet për zbardhjen e ngjarjeve të fillim vitit” ka thënë ai.

Vetëm pak ditë më parë në autostradën Fier – Lushnjë u vra me armë zjarri përmes një ekzekutimi mafioz 44 vjeçari Denis Kasa, ndërkohë që u plagosën Elton Margariti dhe Klement Kastrati.

Sipas policisë Kasa dyshohet se kishte ndryshuar emër, pasi më parë figuronte Granit Kasa.  Ndërkohë sipas burimeve për Shqiptarja.com Kasaj ishte emigrant në Hollandë ndaj dhe policia po heton pistën e një konflikti në vendin ku ai jetonte. Denisi (Graniti) ishte kthyer në Shqipëri pak ditë para festave të fundvitit.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)