KORCE- Trupat e pajetë të vëllezërve Çollaku të cilët u ekzekutuan në orët e para të së dielës (8 dhjetor) nga policia greke gjatë një përleshje me armë në Follorinë mbërritën sot pranë familjeve ku do u zhvillohet ceremonia mortore.

Familjarët dyshojnë se policia greke i ka vrarë në territorin shqiptar. Sipas tyre, fillimisht është plagosur vetëm njëri prej vëllezërve dhe tjetri e ka marrë në krah dhe e ka futur në territorin shqiptar. Më pas sipas tyre, policia i ka ndjekur pas duke i qëlluar e duke i lënë të vdekur.

Sot paradite familjarët tërhoqën trupat nga morgu i spitalit grek dhe përmes doganës së Kapshticës kanë hyrë në tokën greke, informon gazetarja jonë në Korçë Lediona Xheladinaj. Si pasojë e përplasjes humbi jetën edhe një polic grek.

 Familjarët thonë se veprimi i policisë greke ishte kriminal. “Kërkojmë zbardhjen e së vërtetës. Viktimat nuk u paralajmëruan. Nuk ishin trafikantë”- i kanë thë ata gazetares tonë Lediona Xheladinaj e cila shkoi në fshatin e viktimave, në Shuec të Devollit.

Familjarët thonë se Klevisi ka marrë 5 plumba në pjesën e përparme të trupit. Vëllai tjetër Melsi ka marrë 3 plumba, ndërkohë që polici grek ka marrë një plumb në këmbë dhe 2 në shpinë. Mësohet se në momentin kur trupat e pajetë kanë mbërritur në shtëpi bashkëshortja e njërit prej viktimave, e Melsi Çollakut ka humbur ndjenjat për disa minuta.

Viktimat  u vendosën në morgun e qytetit të Follorinës, pasi policia greke do kryente ekspertizën dhe pas përfundimit të saj trupat e tyre do të transportoheshin në Shqipëri.

VRASJA E VELLEZERVE ÇOLLAKU
Vëllezërit, Melsi dhe Klevis Çollaku dhe polici grek Elias Kostenis, mbetën të vdekur si pasojë e një përplasje me armë 2 kilometra brenda tokës greke në zonën e liqenit të Prespës së Vogël. Ngjarja e rëndë ndodhi 20 minuta pas mesnatës së të dielës, kur një patrullë e policisë greke prej tre efektivësh ishin duke bërë kontrolle.
 
Policët grekë ishin duke patrulluar në këmbë dhe makinën e kishin lënë 45 minuta larg vendit të ngjarjes. Sipas dëshmive, ata kanë thirrur në gjuhën shqipe “Ndal Policia”, por nga kasollja janë qëlluar me armë.

Sipas gazetës greke To Vima, dy shqiptarët dyshohet se prej disa kohësh vidhnin rrjetat e peshkatarëve. Ndërkohë që familjarët deklaron se dy vëllezërit nuk ishin hajdutë.
Ndërsa "Zougla.gr" shkruante se  kasollja ku ka ndodhur ngjarja dyshohej se, përdorej nga trafikantët e lëndëve narkotike.

Familjarët i kanë hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se dy vëllezërit ishin peshkatarë e kishin peshkuar për të nxjerrë bukën e gojës.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)