Gjykata e Gjirokastrës, ka lënë në burg, dy të rinjtë Emiljano Vockën dhe Samuel Jacen të cilët rezultojnë të kenë qenë dëshmitarë në ngjarjen e katër ditëve më parë, ku ngeli i vrarë Dorian Lluka dhe u plagos i vëllai i tij, Birbil Lluka.

Gjyqtarja e çështjes Albina Spaha, ka mbështetur argumentet e ofruara prej prokurorit të çështjes Spartak Çoçoli mbi këtë çështje e cila përkufizohet si një krim i rëndë.

Vetë prokurori i cështjes, ka kërkuar nga gjykatësja Spaha, që Vocka dhe Jace të qëndrojnë në burg deri në zhvillimin e procesit gjyqësor në ngarkim të tyre.

Dorian Lluka
(Viktima Dorian Lluka)

Birbil Lluka
(I plagosuri Birbil Lluka)

Ata akuzohen për mos kallzim krimi të rëndë paragrafi i dytë i nenit 300 të Kodit Penal. Ndërsa avokatët mbrojtës të të pandehurve, nisur nga rrethanat në të cilat është zhvilluar ngjarja dhe përfshirjes së klientëve të tyre në të, kanë kërkuar lirimin e tyre në sallën e gjyqit dhe ndjekjen e tyre në gjendje të lirë.

Avokatët pretenduan se klientët e tyre nuk kanë qenë as pjesmarrës direkt apo indirekt në krimin e ndodhur dhe për këtë qëllim, mbajtja e tyre në burg është e jashtëligjshme ndërkohë që akuzuan policinë dhe grupin hetimor për veprime të padrejta.

Mirëpo, i menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit Çoçoli ku ka thënë se dy të rinjtë akuzohen për moskallzim krimi të rëndë duke marrë për bazë, paragrafin e dytë të nenit 300 të Kodit Penal ku dënimi është i ashpër për moskallzim të një krimi të rëndë.

 Pas kësaj, gjyqtarja Spaha, ka dhënë masën e arrestit burg pa afat për dy të rinjtë të cilëve do t’iu duhet të qëndrojnë në paraburgim, deri në zhvillimin e gjyqit dhe dhënies së vendimit në ngarkim të tyre.

Jaçe dhe Vocka, kanë qenë dëshmitarë rastësorë në ngjarjen në fjalë njëri me palën agresore dhe tjetri më vëllezërit viktima. Ndërkaq, Policia e Gjirokastrës, ende nuk ka gjetur dhe arrestuar, të akuzuarin kryesor të ngjarjes në fjalë, Enrik Llukën i cili ndodhet në arrati, qysh momentin e kryerjes së vrasjes.
 

Redaksia Online
Shqiptarja.com