MEMALIAJ- Ministria e Brendshme sqaroi dje gjithë dinamikën e vrasjes në Memaliaj, ku në qendër të konflikteve, ishte hasmëria mes autorëve të arrestuar të ngjarjes dhe familjarëve të personit që ka mbetur i plagosur.

Ndërkaq, viktima, duket se s'ka qenë objektivi i këtij atentati të rëndë. Për vrasjen e Aurel Haxhiajt e plagosjen e Niko Bakës, ekspertët bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, ku u arrestuan 3 shtetas si autorë të dyshuar dhe u shpall në kërkim autori i katërt. Konkretisht u arrestuan banorët e Memaliajt Ali Manaj, 44 vjeç, Henri Manaj, 28 vjeç dhe Elmand Hajdaraj, 26 vjeç si dhe u shpall në kërkim shtetasi Joni Manaj, 35 vjeç, lindur dhe banues në fshat Memaliaj, i dënuar më parë në shtetin grek për vjedhje me armë. Ministria e Brendshme thotë se arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se në datën 12 nëntor 2013, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Aurel Haxhiaj si dhe kanë plagosur shtetasin Niko Baka për motive hasmerie.

Nga hetimet paraprake rezulton se në shkurt të këtij viti babai i shtetasit Niko Baka, Qamil Baka, në fshat Memaliaj pas një konflikti për pronësi ka vrarë me thikë shtetasen Adelina Beqiri, fqinjen e vet dhe ka plagosur me sende të forta dhe vëllain e saj shtetasin Ali Manaj. Kjo ngjarje mendohet se ka shërbyer si motiv për Ali Manaj dhe dy nipat e tij Henri e Joni Manaj për t’u hakmarrë ndaj Niko Bakës, hakmarrje që në fakt i mori jetën shtetasit Aurel Haxhiaj, kushëririt të parë, teksa të dy po pinin kafe në lokalin e Memaliajt. Policia shtoi gjithashtu se tashmë po vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të kësaj vepre penale, teksa dyshohet se ai mund të jetë larguar për në Greqi. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasëve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 78 e 25 i Kodit Penal

Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)