DURRES- Kanë rrëfyer momentin e krimit shokët e klasës së Adriatik Totës, 16 vjecari i cili u vra një ditë më parë në ambientet e shkollës "Beqir Çela" në Shkozet të Durrësit. 

19 djemtë të cilët po kryenin orën e praktikës në ambjentet e oficinës së shkollës së mesme profesionale thonë se gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondash dhe se autori e kreu krimin me shumë gjakftohtësi. 

“Mbaj mend vetëm kur personi hyri aty brenda dhe qëlloi direkt. Në atë moment ne po rrinim brenda tek klasa, ai hyri brenda dhe dëgjuam dy të shtëna. Ne ngelëm në vend. Nuk e prisnim atë gjë. Viktimën e kishim shokë klase. Nuk kam dëgjuar që të kenë patur ndonjë konflikt”- thotë një shok.
 
Jemi ndjerë shumë të tronditur, shumë të frikësuar. Të gjithë u trembëm kur pamë atë, të gjithë vrapuan dhe dolën jashtë. Ngjarja ndodhi në shumë pak sekonda. Autori la armën, hoqi përprësen dhe iku"- thotë një shok tjetër.
 
Shoku i tyre Adriatik Tota do të mbetet gjatë në memorien e tyre, si një kujtim i hidhur.

Një ditë pas vrasjes së 16 vjecarit, djalë i vetëm i familjes, shokët e klasës rrëfejnë jo vetëm natyrën e tij si djalë të qetë që mësonte shumë në shkollë.
 
Ndërkohë drejtori i shkollës Bashkim Shkëmbi, thotë se kjo është një ngjarje që duhet të reflektojë në të gjithë sistemin arsimor. Ai ka deklaruar se si trupë pedagogike do hartohet një program i ri lidhur me sistemin e sigurisë në shkollë, por edhe për marrëdhëniet mes mësuesve dhe nxënësve në shkollë. 
 
“Këtu duhet të kemi një bashkëpunim të ngushtë shkollë-familje-shoqëri. Ky rast është tepër specifik dhe ajo që më shqetëson është fakti që ne për këta dy nxënës nuk kemi patur asnjë lloj informacioni në lidhje me konflikte që kanë patur".

15 VJECARI SHKOI TA VRISTE ME PUSHKE E 16 COPË FISHEKË 

Policia e Durrësit përmes njoftimi për shtyp tregon sot për arrestimin e autorit mësuesit të klasës por dhe se në vendin e ngjarjes u gjetën jo vetëm arma e krimit por dhe 16 copë fishekë model 56.

“Më datë 04.12.2013, ora 20.00, u bë arrestimi në flagrance i shtetasit E.V., 15 vjec, banues në fshatin Xhafzotaj Shijak, nxënës në Shkollen e Mesme ”Beqir Çela” Durres.
Shtetasi në fjalë dyshohet se rreth ores 09.50, ne lagjen Nr.14 Shkozet Durres, ne ambientet e shkolles, për motive te dobëta ka vrarë me arme zjarri shtetasin A.T., 16 vjec, banues ne Rrushkull Sukth Durres, nxenes i vitit te pare në po këtë shkollë.

Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar nga ambientet e shkollës me qëllim shmangjen hetimit. Policia e Durrësit, pas identifikimit të kryer brenda një kohe të shkurtër mori një sërë masash në drejtim të kapjes së tij. Kështu u ushtruan një sërë kontrolle banesash, ambientesh të tjera; u ngritën pika kontrolli në segmentet rrugore të zonës dhe pikat hyrëse e dalëse në qytet. Krahas këtyre masave u kontaktua me familjarët e autorit, të cilëve iu shpjegua rreth situatës.

Pas një sërë veprimesh policore si dhe falë bashkëpunimit të familjarëve, rreth orës 16.45 u bë e mundur kapja e shtetasit E.V. në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit.
Lidhur me këtë ngjarje u punua intensivisht në drejtim të grumbullimit të provave për dokumentimin e plotë ligjor të saj. Në cilësinë e proves materiale u sekuestrua arma e zjarrit pushkë, 16 copë fishekë model 56, e cila u braktis nga autori në vendin e ngjarjes.

Materialet proceduriale të përpiluara iu përcollën Prokurorise Rrethit Durres per vepren penale “Vrasje në rrethana të tjera cilesuese” dhe ”Mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/a e 278/4.
Gjithashtu, lidhur me rastin, në orën 18.00 u bë arrestimi ne flagrancë i shtetasit Thoma Llazari, 55 vjec, banues ne Durres, mesues praktike në shkollen ”Beqir Çela”, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.”

Ngjarja shkaktoi reagime të shumta edhe në organet shetërore, të cilët kërkuan një përforcim të masave në institucionet arsimore. 

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)