ELBASAN - Vrasja e dyfishtë që tronditi Elbasanin dy ditë më parë, ku vjehrri qëlloi me breshëri automatiku mbi djalin dhe nusen e tij italiane, ishte e paralajmëruar nga vetë autori i krimit. Por policia duke shmangur një kontroll arme brenda shtëpisë së tyre, ka dështuar në parandalimin e krimit. Në fakt Engjo Ucaj bashkë më të birin Sokolin 3 orë para ngjarjes përfunduan në komisariatin e policisë për të sqaruar konfliktin mes tyre të nisur prej disa ditësh.

Policia sqaron se 27 vjeçari ushtronte dhunë mbi të atin, për faktin se 65-vjeçari nuk donte nuse të huaj në shtëpi. Por pavarësisht nga denoncimi, policia nuk ka shkuar për një kontroll në shtëpinë e tyre, aty ku ndodhi edhe krimi i dyfishtë. Nëse ky veprim do të ishte realizuar nga policia, atëherë do të ishte gjetur edhe kallashnikovi me të cilin tre orë më pas Engjo Ucaj kreu masakrën.

E kontaktuar me telefon, zëdhënësja e policisë së Elbasanit, Valbona Begu u shpreh se babë e bir kanë mbërritur në komisariat rreth orës 16.00 të 30 janarit, ku pas një seance pajtimi mes tyre, 27-vjeçari nënshkroi një deklaratë se nuk do ta shqetësonte më të atin. Nga ana tjetër, Begu nuk ka pranuar të konfirmojë nëse policia ka ushtruar kontroll për armë ose jo në banesën e familjes Ucaj.

Zëdhënësja pohoi se atë e bir dolën paqësisht nga komisariati i policisë dhe rreth 2 orë më vonë kanë debatuar sërish, e për pasojë konflikti ka degjeneruar në përdorimin e kallashnikovit. Engjo Ucaj ka derdhur mbi djalin dhe nusen e tij italiane Xhulia Baldasarre 24-vjeçare 14 plumba duke i lënë ata të vdekur në vend.

NENA E SOKOLIT, ENDE NE REANIMACION
Është akoma në reanimacion në gjendje të rëndë nëna e Sokol Ucaj, 27-vjeçarit të vrarë bashkë me nusen e tij Giulia Baltassarre. Ajo pësoi parainfarkt pas skenës makabre që ka parë me sy. Ajo ndodhet ende në reanimacion në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe po mbikqyret nga mjekët. Mësohet se ka qenë ajo që ka njoftuar policinë dhe fqinjët se mes djalit dhe të shoqit ka rinisur sërish sherri. Pak përpara se uniformat blu të mbërrinin 65-vjeçari ka kryer krimin e dyfishtë me një armë që e mbante në shtëpi.

NUSJA NUK ISHTE SHATEZENE
Nga ana tjetër trupit të nuses italiane, i është bërë ekspertiza mjeko ligjore dhe ka rezultuar që nuk ishte shtatzënë ashtu siç u deklarua paraprakisht. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e mëtejshme të kësaj ngjarje.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)