Në qershor të vitit të kaluar, Lul Kulla është arrestuar nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai është mbajtur në burg dhe është liruar pas gjashtë muajsh.
Ndërkohë, Report Tv mëson gjithashtu se Lul Kulla pas vitit 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen "Rus". Lul Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin nga qyteti.
Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar. Në objektin ku iu vendos tritoli, Lul Kulla ka në pronësi një lokal si dhe disa ambiente të dhë me qira. Në katin e dytë të ndërtesës ndodhen zyrat e shoqatës së minoritetit malazez të Shkodrës.
Ngjarja ka ndodhur në një nga lagjet më të populluara të kryeqendrës së veriut, pranë qendrës së qytetit. Nga shpërthimi i fuqishëm janë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë biznesit. Një prej automjeteve të dëmtuara nga shpërthimi është një fuoristrade me targë AA 444 CX, e cila dyshohet se i përket pikërisht Lulzim Kullës.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Blutë kanë sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë, pasi kanë qenë të pajisura me kamera sigurie dhe dyshohet të kenë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive në dyqan.
Redaksia Online
l.q/shqiptarja.com
