EKSKLUZIVE/ '4 vrasjet e 21 Janarit' - E motra e Ziver Veizit për Report Tv: Berisha e pranoi vetë krimin shtetëror, çfarë pret më SPAK? Të dënohen urdhëruesit e zbatuesit

EKSKLUZIVE -  Çfarë do të ndodhë me dosjen 21 Janari pas 14 vitesh nga ngjarja e rëndë e vrasjes së 4 protestuesve të opozitës së atëhershme socialiste, ka qenë një nga temat më të nxehta të diskutuara në studion e REPORT TV ditët e fundit.

Por ata që janë të prekur më shumë nga kjo drejtësi e vonuar dhe deri tani e mohuar, janë familjarët e viktimave.

Mes tyre edhe ata të afërmit e Ziver Veizit, një prej viktimave të 21 Janarit 2011, të cilët folën ekskluzivisht nëpërmjet një bisede telefonike në emisionin Studio Live të moderatorit Arbër Hitaj.

Trëndafile Muhametaj, motra e Ziverit dhe Zamira Veizi, mbesa, rrëfyen detaje nga ai moment tragjik dhe shprehën indinjatën e tyre sesi 14 vite nga ai krim shtetëror i Gardës së drejtuar nga qeveria “Berisha”, poshtë zyrës së tij dhe para Kryeministrisë në Bulevard, u vranë protestues të pafajshëm dhe u plagosën shumë të tjerë. Në intervistën e tyre ato apeluan për drejtësi dhe kërkuan që SPAK të hetoj me ritme të shpejta çështjen, pasi është i ngadaltë, teksa vunë theksin te dënimi i urdhëruesve dhe autorëve të krimit që e cilësuan shtetëror.

Por çfarë presin familjarët, kur edhe Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar si krim shtetëror, duke kërkuar zbardhjen e plotë. Kurse SPAK ka rinisur hetimet për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.

Trëndafile Muhametaj u shpreh:

“Shohim se SPAK nuk po vepron shpejt, ngjarja tani është e zbardhur prej kohësh. Edhe media ka 14 vjet që i bën gjyqin masakrës, ne kërkojmë nga SPAK drejtësin për ngjarjen e 21 Janarit, edhe sipas vendimit të Gjykatës së Lartë. Ne jemi me shpresë dhe presim se çfarë do të vendosë SPAK-u”.

Motra e Ziverit rrëfeu edhe momentin kur mësoi lajmin e kobshëm ditën e ngjarjes, teksa apeloi për vendosjen e drejtësisë sa më shpejt dhe të mos zvarritej më kjo çështje.

“Unë e kujtoj çdo ditë atë moment tragjik, atë tragjedi të paparashikuar. Kam kaluar në gjendje shoku atë ditë. E merrja në telefon vëllain atë ditë të protestës dhe dilte i fikur. Më dolën shokët në telefon dhe më thanë nuk jeton më se ka marrë plumb në zemër. Unë pres të bëhet drejtësi për këtë vrasje shtetërore, duam që ata njerëz që janë autorë, urdhëruesit, ekzekutorët, të marrin dënimin e merituar. Plagët tona mbeten të hapura nëse kriminelët e atij krimi nuk ndëshkohen”, u shpreh Muhametaj.

Për të provat janë të qarta dhe SPAK duhet të veprojë deri te ish-kryeministri i kohës, Sali Berisha, për të cilin Trëndafilja vë në dukje se e ka pranuar publikisht me zë dhe figurë krimin shtetëror të 21 Janarit dhe se “donte më shumë gjak” atë ditë.

“Nuk kemi pasur asnjë kërkesë faljeje nga pala autore. Kemi avokatin dhe gjithsesi po presim drejtësi, por hetimet janë të ngadalësuara. Çfarë kërkon SPAK, kush i kontrollonte serverat e kryeministrisë, kush i fshiu. Pse s’ia kërkojnë kryeministrit, kush ia fshiu kryeministrit serverat e kryeministrisë. Përgjegjësit janë urdhëruesit dhe zbatuesit. Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe komandanti i Gardës. Kë të bësh përgjegjës, atë me çadër afër vëllait, që thanë se ishte pistoletë. Duam që të dënohen autorët dhe urdhëruesit e krimit shtetëror. Kryeministri tha më 21 Janar se donte më shumë gjak, “dua më shumë gjak” tha kryeministri atëherë, çfarë do më SPAK tani?”, ngre ajo pyetje dyshuese ndaj drejtësisë.

Po nëse nuk bëhet drejtësi? Si do veprojnë familjarët e viktimave të 21 Janarit?

“Nëse shkohet në këtë rrugë si 14 vite, atëherë do ndjekim rrugën tonë. Por na kanë thënë se provat janë të rëndësishme. Pa marrë dënimin përfundimtar vrasësit dhe urdhëruesit, plagët tona do mbeten të hapura përjetësisht. I bëjmë thirrje SPAK ta zbardhi sa më shpejt këtë ngjarje, sepse ne nuk mund të presim pafund”, përfundoi Muhametaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:53
21 Janari/ Mbesa e Ziver Veizit: Disponohen prova dhe fakte të rëndësishme! E indinjuar me zvarritjen dhe pse hetimet nuk drejtohen te urdhëruesit

Për ngjarjen e 21 Janarit 2011 dhe hetimet e dosjes, foli edhe Zamira Veizi, mbesa e Ziver Veizit, një prej 4 protestuesve të vrarë.

Ajo kujtoi me dhimbje ditën e ngjarjes, teksa apeloi për drejtësi. Në lidhje me drejtësinë e re tha se shpreson që të veprojë sa më shpejt, duke kujtuar se provat janë të rëndësishme dhe të plota në rihetimin që po bëhet.

“Ajo kohë është tepër e dhimbshme, kanë qenë ditë të vështira. Kujtoj ditën e protestës kur udhëtova me xhaxhanë tim. Ai vërtetë donte ndryshimin, por nuk ishte njeri që meritonte atë fund, apo të ishte problematik. Ne kërkojmë drejtësi për atë ngjarje më 21 Janar”, shprehet mbesa e të ndjerit për Report TV.

Por tregon edhe indinjatën për ecurinë hetimore të deritanishme dhe me drejtësinë e vonuar.

“Jam e indinjuar personalisht sepse hetimet e ngjarjes duhet të ishin drejtuar që më parë drejt urdhëruesit. I pari mishte ish-kryeministri Sali Berisha, madje ai ka pranuar vrasjet dhe ka bërë deklarata publike. Unë kam pyetje për SPAK, pse po zvarritet, pse nuk shpejton hetimet dhe ta çojë në gjykatë. Pse nuk është thirrur ish-ministri Lulzim Basha e të pyetet për atë ditë. Ne kemi e një vendim të Gjykatës së Lartë, presim prej 14 vitesh drejtësi. Mendonim se do punohej me shpejtësi, por kemi shumë pyetje. Gjithsesi për ne shpresa vdes e fundit dhe kemi shpresë se do bëhet drejtësi për 21 Janarin”, thotë Zamira për ‘Studio Live’.

Për pasojat që la ajo ngjarje tragjike, Zamira rrëfen se ‘fëmijët janë të tronditur ende, e kanë përjetuar shumë keq, sidomos momentin kur shihet me pamje se babai i tyre vritet me duar në xhepa para Kryeministrisë nga Garda’.

Zamira flet edhe për procesin e deritanishëm dhe nëse ka prova të reja që ishin lënë mënjanë më herët për arsye apo faktorë të ndryshëm.

“Provat janë të shumta, prova që i kanë, ekzistojnë, por për shkak të hetimit t’ia lëmë kohës, sepse nuk mund të flasim më shumë. Avokatët na kanë thënë që ekzistojnë të gjitha provat. Thuhet që disponohen prova dhe fakte dhe prova të rëndësishme”, përfundon ajo.

S.G/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Milo: 17/01/2025 20:32

    Pervec ekzekutoreve, qe jane ne qeli, shperdoruesve te detyres: Berisha, Sali dhe Basha, Lulezim, te dy ne cilesi te posacme si pjese e qeverise pergjegjes per rendin dhe sigurime, ende SPAK jo i voniar por i paafte e imoral sa kohe shmang nga jetimi gjenezen e gjese ose bashkepunimin e organizuar kriminal mes Rama, Edi dhe Doshi, Tome qe ideuan, drejtuan dhe financuan banden e organizuar kriminale te dhunes ekstreme me synim tensionimin e skajshem dhe pasoje te renda si dhe ndodhen.

    Përgjigju
  • Arben: 17/01/2025 19:20

    Denimi me i madh per vrasesit e 21 janarit 2011 eshte fitorja e thelle e PS ne zgjedhjet e 11 majit 2025!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Dita Botërore e Picës, 'Tgcom24' interviston picajolin shqiptar në Brescia, Endrit Rustemin! 34-vjeçari: Majaja dhe mielli shpëtimi im

Itali/ Dita Botërore e Picës, 'Tgcom24' interviston picajolin shqiptar në Brescia, Endrit Rustemin! 34-vjeçari: Majaja dhe mielli shpëtimi im