Vrasjet e 21 janarit, Meçe: U vu në zbatim plani B i Berishës! Përgatiti skenarin që turma të provokohej dhe urdhëroi krimin shtetëror

Ish-deputeti Arben Meçe i ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, komentoi dokumentin e vendimit të gjykatës së Strasburgut lidhur me vrasjet në 21 janar 2011. Meçe tha se vendimi tregon se bëhet fjalë për një krim shtetëror.

Meçe tha se 21 janari ishte një skemë e përgatitur nga Berisha i cili sipas tij, kishte si plan A provokimin e turmës së protestuesve dhe më pas dhunimin e tyre brenda gardhit rrethues së kryeministrisë por ku pa që kjo nuk funksionoi, atëherë kaloi në planin B që kishte të bënte me hapjen zjarr ndaj protestuesve.

“Ajo që ishte më provokative ka qenë policia e shtetit sepse është absurde që të nxirret ajo masë policësh përballë një turme njerëzish. Nuk vendoset asnjëherë policia përballë turmës në atë formë sepse ndryshe do thotë provokim.

21 janari u parashikua nga shumë analistë që do ishte përplasje e fortë. Skenari i përgatitur nga Berisha ishte që kjo turmë të provokohej, të futej brenda gardhit dhe të goditej. Kur kjo skemë dështoi, u përdor plani B. Që ishte më i rrezikshëm sesa plani A dhe më i paramenduar”- tha Meçe.

Ai i cilësoi vrasjet e 21 janarit si të kryera me paramandim, ndërsa solli në kujtesë edhe faktin që ish-kryeministri Sali Berisha ndërtoi skenën e krimit duke e quajtur si një “grusht shteti”. Sa i takon hetimeve nga prokuroria e Tiranës, ish-deputeti Meçe tha se ky është krimi më i madh i drejtësisë që një vrasje të ndodhur nga shteti kërkon ta shtrembërojë.

“Të sjell në arsyetimin se çdo gjë që ka ndodhur, është vrasje me paramendim. Nuk është më vrasje as me rikoshet, as nga pakujdesia. Plani B ishte për të inskenuar një skenë krimi me puçistë. Urdhri ka ardhur nga Sali Berisha. Doli menjëherë dhe gjatë gjithë kohës foli për të prodhuar skenën e krimit.

Në orën 11 ishin prerë urdhrat për të arrestuar një masë njerëzish duke i përcaktuar si “puçistë”. Mes tyre isha dhe unë e 4 gazetarë. Personi që i prodhoi këto, që vrau e organizoi të gjitha këto, ka dalë jashtë loje dhe i gjithë hetimi ka përfunduar nëse gëzhoja e plumbit ka dalë nga komandanti i gardës. Ky është krimi më i madh i sistemit tonë të drejtësisë që vazhdon të shtrembërojë një vrasje të ndodhur nga shteti” shtoi ish-deputeti.

Nga ana tjetër, avokati Romeo Kara tha se SPAK duhet të marrë në dorë hetimin e çështjes dhe se ish-kryeprokurorja Ina Rama dhe ish-presidenti Bamir Topi, të thirren si dëshmitarë. Sipas tij, Berisha apo persona të tjerë që kanë urdhëruar të shtënat me armë që sollën vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm, sipas Kodit Penal dhe sipas përfundimeve të gjykatës së Strasburgut, duhet të dënohen me burgim të përjetshëm. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
‘Rrezikon burgim të përjetshëm’, avokati: Berisha urdhëroi gjakftohtësisht vrasjet në 21 janar! Dha mesazhin ‘unë vras dhe pushtetin nuk e lë’

 

“Nëse rezulton kështu siç thonë përfundimet e Strasburgut dënimet e tyre do jenë të përjetshme!”. Kështu u shpreh avokati Romeo Kara në “Studio Live” në Report Tv i pyetur për dënimet që rrezikojnë personat që kanë urdhëruar vrasjet e 4 protestuesve në 21 janar. Duke u shpreh se sipas tij është Berisha ai që e ka dhënë urdhrin, Kara tha se ekzekutorët mund të dënohen më pak se ai.

“Nëse rezulton kështu siç thonë përfundimet e Strasburgut dënimet e tyre do jenë të përjetshme! Prandaj ndahen në motivues, organizues, urdhërues. Kjo është bërë në shkelje të tejkalimit të kompetencave me gjak të ftotë Ekzekutorët mund të dënohen më pak se ai që ka urdhëruar, se ka dhënë një mesazh politik “Unë iu vras, nuk e lë pushtetin”.

Ata që kanë ekzekutuar kanë zbatuar urdhër edhe pse në kundërshtim me ligjin nuk duhet të zbatohet por ata që kanë urdhëruar, do mbajnë përgjegjësi të rëndë, ma merr mendja edhe me jetë”- tha Kara.

Ora 18:39
21 janari, avokati Romeo Kara: Janë prishur provat! Duhet që Ina Rama dhe ish-presidenti Bamir Topi të thirren si dëshmitarë

 

Avokati Romeo Kara i ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv u shpreh se duke qenë se gjykata e Strasburgut ka dalë në përfundimet se për vrasjet e 21 janarit kemi të bëjmë me një krim shtetëror, çështja do të merret në dorë nga prokurorët e SPAK.

Por sipas Karajt, duhet që të thirren si dëshmitarë, ish-kryeprokurorja Ina Rama dhe ish-presidenti Bamir Topi i cili ka bërë edhe shkrime lidhur me kujtimet e tij nga 21 janari 2011.

“Janë prishur provat, nga 500 gëzhoja janë gjetur shumë pak plumba. Ja vlen të thirret dëshmitar në këtë çështje edhe ish-kryeprokurorja por edhe ish-presidenti Bamir Topi i cili ndalon gjatë në këtë ngjarje në kujtimet që ka shkruajtur.  Nuk janë bërë ndalimet e punonjësve të gardës me pretekstin se më 28 janar do bëhej edhe një protestë tjetër e dhunshme”- u shpreh Kara mes të tjerash.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë