DURRES - Policia e Durrësit në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ka ndërmarrë ditën e djeshme një oeracion për kontrollin e mjeteve luksozë, vetëm pak orë pas masakrës në Vlorë ku u vranë tre të rinj si dhe një tjetër mbeti i plagosur. Synimi i operacionit është ndalimi i personave me precedentë penale.

Në kuadër të këtij operacioni në të cilin ishin ngritur dy postoblloqe, një tek "Ura e Dajlanit" dhe një tek rruga e re e ish Kënetës, u bë i mundur shoqërimi në komisariate i 30 personave, ndërsa u arrestuan dy të tjerë për përdorim të pijeve alkoolike gjatë drejtimit të automjetit. Po ashtu një automjet i blinduar është bllokuar pa dhënë shumë detaje të tjera, ndërsa 6 automjete të tjera janë bllokuar për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Siç theksohet nga ana e autoriteteve të rendit, ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në qytetin bregdetar me qëllim luftën ndaj kriminalitetit dhe rritjes së sigurisë.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)