Protestat dhe thirrjet publike të bëra në Qipro për shkak të vrasjes së shtatë grave emigrante, një rast që nuk u zbulua për tre vjet kanë bërë që Ministri i Drejtësisë në vend të japë dorëheqjen.

“E informova Presidentin e Republikës se po jap dorëheqje për shkak të ndjeshmërisë politike”, tha ministri Ionas Nicolaou para gazetarëve.

Nicolaou dorëzoi dorëheqje te presidenti i Qipros, Nikos Anastasiades, i cili tha se Nicolaou nuk ishte përgjegjës për rastet, por dha dorëheqje për shkak të “ndjeshmërisë politike” të tij.

Oficeri ushtarak grek Nikos Metaxas, 35-vjeçar, ka pranuar se ka vrarë shtatë gra të huaja, përfshirë edhe dy vajza.

Ai u arrestua më 14 prill në një hetim për vrasje të nisur pasi 39-vjeçarja Mary Rose Tiburcio nga Filipinet u gjet e vdekur në perëndim të Nicosias.

Janë gjetur mbetjet mortore të katër grave ndërsa policia ende po kërkon kufomat e tre viktimave tjera.

Në mesin e viktimave ishin shtetaset nga Filipinet Arian Palanas Lozano dhe Maricar Valdez Arquila, shtetaset rumune Livia Florentina Bunea dhe vajza e saj 8-vjeçare Elena, shtetasja nga Nepali Kata Anou si dhe Sierra, vajza 6-vjeçare e Tiburcios.

Të gjitha viktimat ishin gra emigrante që kishin ardhur në Qipro për të punuar. Administrata e Qipros kërkoi ndihmë nga ekspertët britanikë për rastin e vrasësit serik që u etiketua si rasti i parë i këtillë në ishull.