E djathta ekstreme dhe partitë e reja anti-korrupsion kanë dalë fituese morale nga zgjedhjet parlamentare në Qipro, duke tronditur skenën tradicionale politike të ishullit dhe duke rritur presionin mbi presidentin Nicos Christodoulides. Mbi gjysmë milioni qytetarë votuan të dielën për zgjedhjen e 56 deputetëve në parlament, në zgjedhje që po shihen si provë politike para garës presidenciale të dy viteve të ardhshme.
Sipas rezultateve të publikuara nga Ministria e Brendshme, partia e ekstremit të djathtë ELAM shënoi rritjen më të madhe, duke marrë rreth 11% të votave, krahasuar me 6.8% në zgjedhjet e vitit 2021. Me këtë rezultat, ELAM është bërë forca e tretë më e madhe politike në vend. Partia konsiderohet degë e formacionit të ndaluar grek “Agimi i Artë” dhe gjatë fushatës mbajti qëndrime të ashpra kundër migracionit dhe negociatave me qipriotët turq.
Në vend të parë doli partia e djathtë DISY me 27.2% të votave, ndërsa AKEL mori 23.8%. Të dyja partitë regjistruan lëvizje të vogla në rezultat krahasuar me zgjedhjet e fundit. Humbësit më të mëdhenj të mbrëmjes ishin partitë centriste që mbështesin presidentin Christodoulides. Diko, Dipa dhe EDEK humbën ndjeshëm mbështetjen, ndërsa EDEK dhe Dipa nuk arritën as të kalonin pragun për të hyrë në parlament.
Rezultati shihet si sinjal se presidenti qipriot mund të detyrohet të krijojë aleanca të reja politike nëse synon rizgjedhjen në vitin 2028. Një nga surprizat e zgjedhjeve ishte edhe hyrja në parlament e lëvizjes së re ALMA, e fokusuar te lufta kundër korrupsionit dhe reforma politike. Partia arriti rreth 6% të votave dhe siguroi përfaqësim parlamentar për herë të parë.
Korrupsioni dhe rritja e kostos së jetesës dominuan fushatën zgjedhore, ndërsa analistët thonë se rezultati mund të ndryshojë ndjeshëm balancat politike në Qipro në vitet e ardhshme.
Komente









