Gushti është përgjakur nga disa vrasje të ndodhura në qytete të ndryshme të vendit tonë, si në Vlorë, Fier dhe në Rreshen. Në këtë situatë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit të nivelit qendror dhe vendor ku ka bërë thirrje që të shtohen masat e sigurisë për parandalimin e krimit. Duke kritikuar disa drejtues vendorë për ngjarje kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, z. Lleshaj përcaktoi detyra të qarta që duhet të ndiqen në periudhën në vijim. “Presingu” i mirëfilltë ndaj personave me profil kriminal, përfshirë edhe ata që kthehen në vend gjatë pushimeve, mbikqyrja parandaluese ndaj tyre, kontrollet e mjediseve të frekuentuara prej tyre, e automjeteve dhe e veprimeve u përcaktuan si detyrë e dorës së parë. Po ashtu, u kërkua shtimi i kontrolleve për armëmbajtjen pa leje në mjedise publike si në qarkullimin rrugor, bare e diskoteka etj.
Jo më larg se dy ditë më parë në Rrëshen u ekzekutua Armando Gjini 48-vjeç, i njohur si pjesë e grupit të Met Kananit. Po ashtu më datë 11 gusht u vra me thikë Florian Selimi, 23-vjeç në vendin e quajtur "Kthesa e Hamilit" në fshatin Sulaj të Fierit. Më 7 gusht një tjetër ekzekutim tronditi Selenicën ku u ekzekutua me plumb në kokë Nikola Ikonomi. Saga e vrasjeve të muajit gusht u hap me vrasjen e me 6 plumba pronari i lokalit në plazhin e Vlorës, Arben Beqiri. Vrasje kjo e ndodhur me 4 gusht. Kjo situatë duket se ka sjellë edhe shqetësimin e madh të ministrit të Brendshëm.
Ndërkohë sezoni i suksesshëm turistik ka sjellë si rezultat që Shqipëria të ketë aktualisht rreth dy herë më shumë banorë sesa në ditët e zakonshme të vitit. Bashkë me rritjen e jashtëzakonshme të numrit të përgjithshëm të njerëzve në vend, janë rritur shumë edhe sfidat dhe problemet me të cilat duhet të merret Policia e Shtetit, e cila është po ajo.
Ministri Lleshaj kërkoi me forcë rritjen e përpjekjeve parandaluese kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë periudhë për qëllime kriminale.
Ministri kërkoi angazhim të fortë për menaxhimin efektiv të qarkullimit rrugor, në kushtet e rëndimit të tij për shkak të flukseve të mëdha dhe të sjelljes së papërshtatshme të disa qytetarëve.
Për strukturat kundër Krimit Ekonomik u kërkua thellimi i angazhimit në operacionin e përbashkët kundër informalitetit në ekonomi.
Lleshaj vuri theks të veçantë në masat kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, ku evidentoi nevojen për vigjilencë të pandërprerë në këtë fushë.
Të njëjtën vigjilencë kërkoi ai edhe në mbrojtjen nga zjarret në vend në kushtet e thatësirës dhe temperaturave të larta, duke përcaktuar detyra për të gjitha strukturat e PSH.
Një çështje që mori vëmendje të shtuar në takim ishte lufta kundër korrupsionit në radhët e vetë strukturave policore. Duke evidentuar numrin e shtuar të punonjësve të Policisë që janë arrestuar apo që janë në proces hetimi penal për korrupsion, Ministri tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të PSH, ndaj të cilëve kërkoi përgjegjësi maksimale në goditjen e çdo rasti të korrupsionit dhe të cënimit të integritetit në radhët e Policisë së Shtetit. Lleshaj më pas ka kërkuar edhe bashkëpunimin me komunitetin.
Shtet jo shtet, nuk bën dot zap kriminelët.. Të ngrihet urgjent Enveri, Enver djali!
Përgjigju